Zbulimi i një parcele me kanabis në territorin e një reparti ushtarak në Zall Herr të Tiranës, ka çuar në pranga tre ushtarakë ndërsa 4 janë nën hetim mes tyre komandati i repartit zv. komandati i tokës

Policia informon se gjatë kontrollit në territorin e një reparti ushtarak, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 125 bimë kanabis.

Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, me detyrë shefa seksioni ndërsa po hetohet në gjëndje të lirë, Komandant Reparti zv/komandanti i togës dhe specialisti dhe magazinieri i repartit.

Të arrestuar
- Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë;
- Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin;
- Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.
U proceduan penalisht në liri:
- A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture;
- P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge;
- I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier;
- P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.

 

"Këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak" informoi policia e Shtetit.

Menjëherë më pas ministria e Mbrojtjes urdhëroi pezullimin e ushtarakëve.

Megaoperacioni antikanabis i koduar “Fokusi” vijon në të gjithë vendin dhe është shtrirë në terrene  ë vështira malore dhe në fshatra të thellë të vendit. Tre opeacionet e fundit që u ndërmorën dje janë në Fier, Zall Herr dhe në Selenicë të Vlorës

Në Fier arrestohen vëllezërit
Në Fier u arrestuan 3 vëllezër Luan, Astrit dhe Arben Kocaqi, përkatësisht 45, 51, dhe 39 vjeç  si dhe u procedua në gjëndje të lirë babai i tyre 80 vjeçar dhe djali i njërit prej vëllezërve 18 vjeçar, pasi pas banesave kishin kultivuar në tokë, 300 bimë narkotike cannabis sativa.
 Përveç asgjësimit të bimëve narkotike, Policia e Fierit sekuestroi 1 armë gjahu, 2300 euro dhe rreth 500 000 lekë  të rinj që këta shtetas i kishin përfituar nga shitja e drogës.

Në Selenicë sekuestrohen kubike me kanabis

Në Selenicë të Vlorës u arrestua Lorenc Kapaj 29 vjec, banues në Selenicë, pasi gjatë kontrollit të territorit të banesës së tij, Policia gjeti e sekuestroi 80 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Megaoperacioni policor antikanabis “FOKUSI” vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e Guardia di Financa.

Bilanci 
Gjatë kësaj jave janë angazhuar për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike, 6000 punonjës policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë.
Janë asgjësuar rreth 17000 bimë cannabis sativa dhe 100 kubikë të kultivuar me fara të kësaj bime.
Janë arrestuar në flagrancë 12 shtetas dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:29
Parcelë me kanabis në repartin ushtarak në Zall Herr, Berisha: Skandal, ministri Peleshi të japë dorëheqjen

1691143822_saliberisha.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për zbulimin e kanabisit në repartin ushtarak në Zall Herr në Tiranë. Berisha shkruan se kjo është skandal dhe kërkon dorëheqjen e ministrit të mbrojtjes Niko Peleshit.

“Ushtria e narkoshtetit të Edi Ramës, narko-ushtri. Në repartin e trupave speciale të Zall Herrit gjenden plantacione me qindra rrënjë të Kanabis Sativa. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në repartin ushtarak më të ruajtur të të gjithë ushtrisë shqiptare në territorin strikt të mbrojtur të repartit të trupave elitë të ushtrisë tonë, në Zall Herr janë gjetur plantacione me qindra e qindra rrënjë kanabis.

Partia Demokratike deklaron se ky skandal i turpshëm i pashembullt në historinë e ushtrisë shqiptare, ushtri njëkohësisht e Aleancës së Atlantikut të Veriut, implikon thellë dhe me përgjegjësi të rëndë narkoministrin Peleshi i cili është akuzuar për parcela kanabisi gjatë periudhës që ka qenë ministër bujqësie, shtabin e përgjithshëm, zbulimin, policinë ushtarake shërbimet inteligjente të ushtrisë dhe komandën e repartit të trupave speciale të Zall Herrit. Ky skandal dëshmon tragjikisht shndërrimin e ushtrisë e narkoshtetit të Edi Ramës që është dhe narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë në narko-ushtri sikur të ishte ushtri e talebanëve dhe jo ushtri e një vendi anëtar të NATO-s.

Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe këtë skandal të turpshëm për ushtrinë, por dhe shtetin shqiptar dhe kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit kanabisit Peleshi si dhe vendosjen para ligjit të gjithë përgjegjësve të këtij akti të turpshëm dhe kriminal të shëmtuar”, shkruan Berisha.

Ora 14:03
U zbulua parcela me kanabis në repartin ushtarkak, Balla: Goditje të tjera më të forta po vijnë

1691236366_kanabis.jpg

Mbi 6000 forca policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë janë angazhuar për të zbuluar dhe shkatërruar parcelat me kanabis në kuadër të operacionit policor që vijon në të gjithë vendin. 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh i vendosur se lufta kundër kultivimit të kanabisit do të vijojë.

“Lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike. Shqiptarët presin një pastrim të territorit tonë nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike.Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale. Ky burim duhet shuar përfundimisht. Goditje të tjera më të forta po vijnë”, shkruan Balla në një postim në facebook duke publikuar dhe video të operacionit. 

Gjatë kësaj jave janë asgjësuar rreth 17000 bimë cannabis sativa dhe 100 kubikë të kultivuar me fara të kësaj bime, si dhe janë arrestuar në flagrancë 12 shtetas dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë.

Ora 13:46
Parcelë me kanabis në repartin ushtarak të Zall Herrit, pezullohen ushtarakët

1691229124_finalprojekt.00331923.Still050.jpg

Ministria e Mbrojtjes urdhëron pezullimin nga detyra të gjithë personave përgjegjës në repartin ushtarak të Zall Herrit brenda në territorin e të cilit u gjetën 125 bimë kanabisi.

“Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës. Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast!” thuhet në një reagim të ministrisë së Mbrojtjes.