Paris/Poker për pushtet, shtyhet takimi i nivelit të lartë për Ukrainën

Paris/Poker për pushtet, shtyhet takimi i nivelit të lartë për Ukrainën

Parisi duhet të presë. Takimi i planifikuar i nivelit të lartë, i planifikuar për në shtator në të ashtuquajturin format Normandia, me Rusinë, Ukrainën, Gjermaninë dhe Francën për të zgjidhur konfliktin në Ukrainën Lindore duket pa gjasa - të paktën që nga takimi pa rezultate i Grupit të Kontaktit në Minsk të mërkurën. Përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës ia hodhën fajin njëri-tjetrit. Kjo në një kohë kur Presidenti i ri ukrainas Volodymyr Selenskyj priste një takim më vonë këtë muaj me homologun e tij rus Vladimir Putin, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

Priteshin impulse të reja apo edhe një kthesë në procesin e paqes, që ka ngecur në vend në Donbas. Bëhet fjalë se në cilat kushte mund të kthehen nën kontrollin e Kievit zonat separatiste rreth Doneckut dhe Luhanskut, të cilat mbështeten nga Rusia.

Putini kërkon në letër "formulën Steinmeier"

Takimi në Paris do të ishte takimi i parë i tillë që nga tetori i vitit 2016. Arsyeja e pushimit tre vjeçar ishte qëndrimi i Rusisë. Kremlini ka këmbëngulur në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë tërheqjen e trupave në vendet e përcaktuara. Vrasja e liderit separatist të Donetskut, Olexandr Zakharchenko në një atentat në gusht 2018, për të cilin Moska fajëson Kievin, i dha Rusisë një rast për të ngrirë samitet e formatit Normandia.

Pas fitores së Selenskyt në zgjedhjet presidenciale, në këtë çështje pati lëvizje. Arritja më e madhe deri tani e këtij afrimi është shkëmbimi i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës në fillim të shtatorit. Pas kësaj, u zbuluan edhe detaje rreth përgatitjeve të takimit të nivelit të lartë. Por pengesa me siguri më e madhe u bë e dukshme pas telefonatës së Putinit me Macronin në 8 shtator. Shefi i Kremlinit e cilësoi si parakusht për pjesëmarrjen e tij në samit një fiksim me shkrim të së ashtuquajturës "formula Steinmeier". Me këtë kihen parasysh propozimet e Ministrit të atëhershëm të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier të vitit 2015 për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme të papërmbushura të Minskut.

Komentet e Putinit u pasuan nga një pështjellim i pakuptueshëm deklaratash dhe spekulimesh. Në veçanti, Ukraina e pati të vështirë të artikulonte qartë pozicionin e saj. Negociatat përpara takimit të Normandisë gjithnjë e më shumë dukeshin si një poker për pushtet, në të cilën Rusia duket se ka kartat më të mira. Zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov tha të enjten se vonesa në përgatitjet e samitit kishte të bënte me ndryshimin e pozicionit të Kievit dhe me kushtet e reja. Kjo në një kohë kur Selenskyj e vuri vetë veten nën presion, pasi kishte premtuar një paqe të shpejtë. Pothuajse gjysmë viti pas zgjedhjes së tij, në vijën ndarëse vdesin pothuajse çdo ditë ushtarë ukrainas.

Mosmarrëveshje për kushtet për zgjedhje në Doneck dhe Luhansk

Ka është e qartë: "Formula Steinmeier" ka të bëjë me statusin e ardhshëm të zonave të separatistëve dhe me zgjedhjet. Në vitin 2014, parlamenti ukrainas miratoi një ligj mbi autonomi të gjera për pjesë të Donbasit dhe që prej asaj kohe e ka zgjatur vazhdimisht vlefshmërinë e tij. Disa nga rregullat do të hyjnë në fuqi vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme lokale, të cilat, sipas ligjit, mund të mbahen vetëm në kushte të caktuara, përfshirë tërheqjen e njësive të armatosura të paligjshme, pjesëmarrjen e partive të Ukrainës ose raportimin e lirë të mediave ukrainase.

Në bisedimet paraprake për samitin e Normandisë në Paris, Kievi ka rënë dakord që ky ligj të hyjë në fuqi përkohësisht në ditën e zgjedhjeve të parakohshme komunale. Përfundimisht ai do të jetë në fuqi kur vëzhguesit e zgjedhjeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të konfirmojnë se zgjedhjet i kanë përmbushur standardet. Por në takimin e Grupit të Kontaktit në Minsk të mërkurën, përfaqësuesi i Ukrainës nuk deshi ta nënshkruajë një dokument të tillë. Ministri i Jashtëm i Ukrainës Vadim Pristajko tha të premten në një intervistë për median ukrainase "Europejska prawda" se kishte pasur një "keqkuptim teknik".

Tërheqja e trupave në Donbas po përgatitet

Në thelb, jo në publik po diskutohet nëse Ukraina do të braktisë ose të paktën të zbusë qëndrimin e saj deri tani pa kompromis - në fillim armëpushim, pastaj tërheqje e trupave dhe rivendosje e kontrollit në kufirin me Rusinë, dhe pastaj zgjedhjet. Disa ekspertë në Kiev paralajmërojnë që të mos nënshkruhet "formula Steinmeier" para samitit të Parisit. "Kjo mund të bëjë që situata të humbasë ekuilibrin dhe ta çojë palën ukrainase gjatë negociatave në një kurth", tha politologu Volodymyr Fessenko në një bisedë me DW. Si pasojë do të vijonin protesta dhe një krizë politike. Kolegu i tij rus Sergei Utkin, nga ana tjetër, e quan "formulën Steinmeier" "një kornizë që duhet të ruhet" me qëllim që të zbatohen marrëveshjet e Minskut. Pas kësaj mund të përcaktohen aspekte të sigurisë, mendon eksperti i Qendrës Kërkimore të Moskës "Këshilli Rus për Politikën e Jashtme" (RSMD).

Nga ana tjetër, tërheqja e dakorduar e trupave dhe pajisjeve të rënda luftarake në tre lokacione të zgjedhura si projekte pilot duket të jetë shumë më e thjeshtë. Edhe ky është parakusht i Moskës për një takim të ri të nivelit të lartë në formatin Normandia. Në Stanytsia Luhanska, tërheqja u krye me sukses në qershor. Duhet të pasonin Solote dhe Petrivske, por në Minsk të dyja palët së fundi nuk u pajtuan për detaje. Ndërkohë, ushtria ukrainase ka njoftuar përgatitje për tërheqjen përgjatë gjithë vijës ndarëse. Ministri i Jashtëm i Ukrainës Pristajko njoftoi bisedime të mëtejshme.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK