Shqipëria ka ashpërsuar masat ndaj kundërvajtjeve në rrugë, duke parashikuar edhe dënime penale për parkimin dysh. Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, kush ndalon mjetin në mes të rrugës dhe bllokon qarkullimin rrezikon deri në një vit burg, me përjashtim të biçikletave dhe motorëve.
Masat e reja vijnë në një kohë kur aksidentet rrugore mbeten një problem. Sipas statistikave të INSTAT, gjatë vitit 2025 , u regjistruan mesatarisht katër aksidente në ditë, ose 1 375 aksidente në total, shifra që gjithësesi janë në ulje në krahasim me vitin 2024
Për këtë situatë dhe për efektin e masave ndëshkuese foli eksperti i sigurisë rrugore Islam Qibini në emisionin Studio Live në Report TV . Sipas tij, shifrat tregojnë një përmirësim krahasuar me vitin e kaluar.
“Ka një rënie të ndjeshme të aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin, rreth 17.5 për qind. Ka qytete ku aksidentet janë në ulje, por ka edhe qytete si Tirana, Elbasani dhe Lezha ku aksidentet me pasoja janë më të shumta, për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe problemeve infrastrukturore,” tha ai.
Qibini theksoi se, pavarësisht përmirësimeve, shkaku kryesor i aksidenteve mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve. Sipas statistikave, 18.4 për qind e aksidenteve ndodhin për shkak të shkeljes së rregullave nga shoferët, 13.7 për qind nga moszbatimi i rregullave të qarkullimit dhe 5.9 për qind nga faktorë madhorë, si kushtet atmosferike.
“Aksidentet më të rënda vijnë nga shpejtësia mbi normat e lejuara. Moshat nga 24 deri në 35 vjeç shpërfillin rregullat dhe qarkullojnë me 160 deri në 200 kilometra në orë,” u shpreh ai.
Sa i përket parandalimit, eksperti tha se gjobat kanë efekt edukues por nga ana tjetër nënvizoi se jo çdo parkim paralel përbën rrezik.
“Gjobat ndikojnë pozitivisht tek drejtuesit e automjeteve. Kanë efekt edukues dhe ndikojnë për zbatimin e rregullave. Kemi edhe infrastrukturën jo të plotësuar dhe jo sipas standardeve. Pavarësisht përmirësimit të dukshëm të sinjalistikës rrugore të kohëve të fundit këto ndryshime do ndikojnë pozitivisht por para se të arrihej këtu mund të kishte masa të tjera alternative sa i përket masave administrative për këtë kondravajtje. Jo çdo lloj parkimi parallel është i rrezikshëm apo burim aksidenti dhe përbën problem. Duhet parë dispozitat e Kodit Rrugor që masat administrative të rriten për disa lloj parkimesh paralele specifike që pengojnë qarkullimin” tha ai.
Eksperti nënvizoi se policia duhet të ketë edhe rol edukues. Sipas tij, ndëshkimi duhet të jetë i ashpër për drejtuesit problematikë që përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve, ndërsa për shkeljet e rastësishme duhet një qasje më këshilluese.
“Policia duhet të ndëshkojë ata që përbëjnë rrezik të shtuar për qarkullimin rrugor dhe jetët e qytetarëve. Nuk duhet ndëshkuar çdo lloj drejtuesi mjeti sepse kështu do të gjobiteshin njerëz që janë seriozë dhe qarkullojnë normalisht por bëjnë shkelje padeshje. Ndaj këtyre të fundit, punonjësi i policisë duhet të mbajë tjetër qëndrim dhe të këshillojë, kurse ndaj drejtuesve problematikë, qendrimi duhet të jetë më i ashpër” tha ai.
Sipas ekspertit gratë shqiptare janë më të kujdesshme në drejtimin e mjeteve dhe përfshihen më pak në aksidente, duke respektuar plotësisht rregullat e qarkullimit.
Komente











