Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka ndarë në rrjete sociale disa foto nga rrugët e Tiranës, ku makinat luksoze janë parkuar dysh, duke bllokuar gjithçka përreth.

Në pamje dallohet qartë se në njërin krah bllokohen kazanët e mbeturinave, duke mos i lënë punonjësit e pastrimit të bëjnë punën e tyre, ndërsa në anën tjetër mbyllet rruga, duke krijuar trafik dhe rrezik për aksidente.

"Shikojini, shikojini këta “trimat” në njërin krahë bllokojnë kazanët, duke pamundësuar punonjësit t’i pastrojnë, nga krahu tjetër bllokojnë rrugën, duke sjellë trafik apo rrezik incidentesh rrugore” shkruan Balla.

Postimi i Ballës vjen vetëm pak ditë pasi Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, ku parkimi dysh nuk shihet më si shkelje e vogël. Nëse nga ky parkim pengohen ambulancat, zjarrfikëset apo shërbime të tjera emergjente, parashikohet edhe dënim me burg deri në një vit.