Qeveria financoi 503 milion lek, parkimi publik i Durrësit po ndërtohet pa leje ndërtimi! Bashkia konflikt me hekurudhën për pronësinë e truallit

Godina e parkimit publik në Durrës, financim i qeverisë me vlerë 503 milionë lekë po ndërtohet në shkelje të ligjit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Durrësit.

Në kantier po punohet prej 4 muajsh, ndonëse Bashkia ende nuk ka nxjerre lejen e ndërtimit. Siç shihet në pamjet e xhiruara nga Report TV këtë të premte (24 nëntor) punëtorët e dy kompanive të ndërtimit po punojnë për hedhjen e themeleve të bazamentit edhe pse objekti s’ka leje.

Më datë 8 nëntor, gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako pranoi se parkimi me kate nuk ka leje ndërtimi, por nuk dha shpjegim mbi shkaqet.

“Ky objekt ka leje zhvillimi, që do të thotë është në rregull me legjislacionin për ngritjen e kantierit. Atje nuk kanë nisur punët me strukturat dhe jemi në proces të dhënies së lejes së ndërtimit”, tha ajo.

Kur kanë kaluar 3 javë nga kjo deklaratë, ende nuk ka dalë leja e ndërtimit.

Bashkia e Durrësit refuzoi t’i përgjigjet kërkesës së Report Tv për informacion duke na adresuar tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit.  Ndërsa Fondi, në cilësinë e njësisë zbatuese bën të ditur se është bashkia përgjegjëse!

FSHZH nënshkruan marrëveshje Investimi me Bashkinë, në të cilën përcaktohen detyrat e të gjitha palëve të përfshira në projekt. Njësia Vendore ka si detyrë të miratojë lejet përkatëse, të vendosë në dispozicion truallin duke ndjekur procedurat e nevojshme rast pas rasti që lidhen me pronësinë apo shpronësimin etj, si dhe të garantojë se nuk ka konflikt juridik apo social që lind nga pronësia mbi sheshin e ndërtimit”. – bën të ditur FSHZH.

Në fakt është pikërisht konflikt i pronësisë mes institucioneve që ka çuar në këtë shkelje ligjore. Trualli ku po ndërtohet parkimi pranë stacionit të trenit në Durrës është pjesërisht në pronësinë të Hekurudhës Shqiptare. Për shkak se prona ende nuk kaluar në emër të bashkisë, nuk mund të lëshohet leja e ndërtimit. Kësisoj ndërtimi po kryhet në shkelje të ligjit, për shkak të burokracive dhe konflikteve mes dy institucioneve shtetërore.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 24/11/2023 23:14

    Dhe qahemi kur privati nderton pa leje! Ketu hekurudha qe eshte shteterore zoteron truallin, nderkaq shteti jep parate per ndertim parkingu publik qe do te jete po shteteror,nderkohe bashkia fillon e nderton ne toke te hekurudhes pa leje dhe te mendosh qe e ka vete ne dore t'ja nxjerre vetes lejen e ndertimit,nuk eshte person privat qe eshte i detyruar te sorrollatet neper zyra e te gjeje miq e t'u lyeje rroten! /Bir Selman i nenes,ke te qash me pare!/-thote populli!! Ketu shteti ja ka futur shtetit!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!