Një ditë më parë në hyrje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta kanë nisur punimet për vendosjen e një trau. I pari që reagoi ishte deputeti socialist Erion Braçe.

"Po vendosin tra në hyrje të parkut, i pyes më thonë jemi punëtor. U them kush po e bën më thonë ADZM. Edhe këtu tek moli për të bërë fotot e dasmave do të behet me pagesë. Për vendas e të huaj do të duhet të kalohet atje matanë tek trau me pagesë për të bërë xhiro në park. E shikoni ku ka arritur lajthitja në këtë vend?!”, tha Braçe në rrjetet sociale.

Kundër hyrjes me biletë në parkun e Divjakës shprehet dhe deputetja demokrate, Ilda Dhori.

"Dua të sjell në kujtese në 2011 ka ekzistuar trau në brendësi të pyllit, ata që kanë qenë atëherë në opozitë (PS) e kanë çuar në gjykatë dhe gjykata e shpallur të paligjshëm. Me sa informacion kam, tani vendimin e ka marrë ministria e mjedisit. Do dalim në protesta derisa të anulohet sepse banorët e kanë atraksion kryesor për të kaluar moment çlodhje", u shpreh Ilda Dhori, deputete e PD-së.

Këtë të premte grupi i xhirimit të "Report TV" konstatoi se punimet për vendosjen e traut janë ndërprere. Nuk ka asnjë tabele për punimet, ndërsa në asfalt gjendet e shkruar me të kuqe tarifa e biletës150 lek/automjet.

Detajet e këtij projekti mbeten të paqarta! Drejtori i Parkut, Ardjan Koçi heziton të përgjigjet publikisht, por përmes telefonit tha se "tenderin e ka bërë Ministria e Mjedisit". Nga ana tjetër, policia njofton se ka pezulluar punimet dhe po heton një punëtor të firmës private pasi nuk dispononte leje ndërtimi për punimet.