Parku natyror i Prespës, Hoffman
e Koka firmosin grantin 3.5 mln €

Parku natyror i Prespës, Hoffman<br />e Koka firmosin grantin 3.5 mln €
Qeveria gjermane do të financojë me një grant prej 3.5 milionë eurosh, fazën e dytë të  projektit “Rezervati Ndërkufitar i Biosferës Prespës” me një kohëzgjatje nga viti 2016 deri në vitin 2020 .

Marrëveshja u firmos këtë të premte nga ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ambasadori gjerman në Tiranë Hellmut Hoffmann.

Ministri Koka pasi falenderoi qeverinë gjermane për kontributin e vazhdueshëm për mjedisin shqiptar tha se faza e dytë e projektit do të realizojë një menaxhim më të mirë të pyjeve dhe përdorim më të mirë të burimeve natyrore.

“Objektivi kryesor i Ministrisë së Mjedisit  për Prespa 2 është përfshirja e komunitetit të zonës dhe përdoruesëve tradicionalë në këtë zonë të mbrojtur. Investimet e deritanishme kanë ndihmuar ndjeshëm në zbutjen e varfërisë në zonë, në sensibilizimin e vetë banorëve për pasuritë natyrore dhe nga ana tjetër për të pasur një administratë sa më cilësore e cila vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë homologe në Maqedoni dhe në Greqi” - u shpreh Ministri Koka.

Nga ana e tij, Ambasadori Hoffmann deklaroi se Gjermania është e vendosur të vijojë më tej bashkëpunimin me Shqipërinë në fushën e mjedisit. “Gjermania përmes Bankës për Zhvillim KfË dhe në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ka zhvilluar programin e Parkut Natyror të Prespës, i cili synon të krijojë barazpeshën mes mbrojtjes së biodiversitetit dhe zhvillimit ekonomik. Natyra nuk njeh kufij shtetesh,” tha ai.

Projekti “Rezervati Ndërkufitar i Biosferës Prespë” përqendrohet në investimet e mëtejshme në Parkun Kombëtar të Prespës (PNP) në përfitim të popullsisë lokale, të diversitetit biologjik dhe një mbështetje fillestare për zhvillimin e Rezervës së re të Biosferës të miratuar nga UNESCO.

Qëllimi i Projektit është që të reduktojë shfrytëzimin mbi burimet natyrore, si edhe uljen e varfërisë në pjesën e Shqipërisë, të Rezervës së Biosferës Prespë. Kjo do të kontribuojë në ruajtjen e biodiversitetit dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës të popullsisë në Parkun Natyror të Prespës dhe në pjesën shqiptare të Rezervës së Biosferës. Gjithashtu është parashikuar që Parku Kombëtar i Prespës (PNP) do të zhvillohet në një zonë të mbrojtur model për Shqipërinë duke u shndërruar edhe në një institucion trajnimi për zonat e tjera të mbrojtura dhe stafin e tyre.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën