Parlamenti Evropian ka votuar ndryshime të rëndësishme në rregullat e azilit, me synimin që kërkesat të trajtohen më shpejt dhe migrantët të kthehen më lehtë në vendet e origjinës.

Me këtë vendim, BE ka miratuar një listë të re të vendeve të ashtuquajtura “të sigurta”. Në këtë listë përfshihen Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, Kosova, India, Maroku dhe Tunizia. Edhe vendet që janë në proces për t’u anëtarësuar në BE do të konsiderohen automatikisht të sigurta.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë?

Për qytetarët e këtyre vendeve, përfshirë Kosovën, kërkesat për azil në BE do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar. Kjo do të thotë se azili mund të refuzohet shumë më shpejt dhe barra e provës bie mbi aplikuesin, i cili duhet të tregojë se rrezikon përndjekje ose dëm serioz nëse kthehet në vendin e tij.

Parlamenti Evropian ka miratuar gjithashtu rregulla që u lejojnë shteteve të BE-së të përpunojnë kërkesat për azil edhe jashtë territorit të Unionit. Kjo i hap rrugë marrëveshjeve për emigrantët si ajo mes Italisw dhe Shqipërisë.

Sipas ligjit të ri, një kërkesë për azil mund të shpallet e papranueshme edhe nëse migranti nuk është shtetas i një vendi të sigurt, por ka kaluar më parë në një vend të tretë të tillë, ka lidhje familjare aty ose ekziston një marrëveshje mes BE-së dhe atij shteti.

Kush e mbështeti dhe kush e kundërshtoi vendimin?

Ndryshimet u miratuan me votat e qendrës së djathtë dhe partive të djathta në Parlamentin Evropian. Në anën tjetër, eurodeputetët e së majtës dhe të gjelbërve reaguan ashpër, duke thënë se me këtë vendim po dobësohet e drejta për azil. Sipas tyre, kjo është “një ditë e zezë për vlerat evropiane”.

Pas votimit, Nicola Procaccini, bashkëkryetar i grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë dhe figurë e afërt me kryeministren Giorgia Meloni, deklaroi se Bashkimi Evropian ka marrë si model politikën e Italisë për migrantët dhe e ka kthyer atë në strategji të gjithë BE-së.

Sipas Procaccinit, me rregullat e reja emigracioni nuk do të “durohet” më, por do të kontrollohet dhe menaxhohet. Ai theksoi se migrantët që kanë kaluar ose janë nisur nga vende të shpallura të sigurta, si Tunizia apo Egjipti, do ta kenë kërkesën për azil automatikisht të papranueshme.

Kjo, sipas tij, është pika kyçe e ndryshimit, pasi mbyll rrugën e azilit për shumë migrantë që deri tani arrinin të qëndronin në Bashkimin Evropian. Procaccini e quajti këtë një hap historik dhe tha se marrëveshja e Italisë me Shqipërinë për përpunimin e migrantëve jashtë BE-së tashmë është kthyer në politikë evropiane.

Çfarë ndodh tani?

Komisioni Evropian do të monitorojë situatën në vendet e shpallura të sigurta dhe mund t’i heqë nga lista nëse kushtet ndryshojnë. Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së do të kenë edhe lista të tyre kombëtare të vendeve të sigurta./Ansa