Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar idiot ndërkombëtar prokurorin e Hagës, Matt Halling i cili në fjalën e tij në seancën gjyqësore, tha se ndërkombëtarët nuk e kishin kuptuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte maskuar realitetin, lidhur me luftën në Kosovë. Rama ka ndarë pamje në rrjetet sociale, ku tregohet deklarata e bërë nga prokurori.

“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesler Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë, është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet sesi funksiononte UÇK. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan që nuk kishin interes për të kuptuar se çfarë po ndodhte në realitet, dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë. Nuk u përballen me atë që po dëgjon tashmë ky trup gjykues dhe për të cilat do të marrë vendimet përkatëse. Vendimet e tyre në fakt nuk ishin as me standardet ligjore ndërkombëtare, sa i takon kontrollit efektiv. Kryekomandanti i identifikuar i UÇK, mund të mos ketë qenë në gjendje të ushtronte komandon sikurse ushtritë e SHBA dhe NATO-s, por as nuk kishte nevojë ta bënte këtë gjë. Paragrafi 613 i dosjes sonë, flet për shumëllojshërinë e hierarkive, të cilat janë të mjaftueshme për të konstatuar përgjegjësinë eprore sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare", thuhej në deklaratën e prokurorit të Hagës.

Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria e Hagës ka kërkuar ditën e djeshme për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga 45 vjet burgim për secilin.

Ndërkaq, sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër tyre. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Data 9 dhe 10 shkurt i është rezervuar ekipit të akuzës për të bërë deklaratat përmbyllëse, ndërsa mbrojtja e ish krerëve të UÇK do të nisë me deklaratat e saj nga nesër më 11 shkurt deri më 18 shkurt.

Pas përmbylljes së deklaratave të prokurorëve dhe mbrojtjes, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:09
Gjyqi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Vengu: Paraburgimi mbi 5 vjet dhe akuzat, instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit e viktimës

1769426542_piroovengu.jpg

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Hagës, për të dënuar me 180 vite burg, ish-krerët e UÇK-së. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Vengu u shpreh se paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës.

Sipas Vengut, krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara. Vengu shtoi se akuzat janë të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.

"Revolta ndaj kërkesës për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – buron nga kërkesa që drejtësia të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme. Paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërsa krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara. Është evidente se përpjekja për të barazuar çlirimtarët tanë me gjenocidarët e Srebrenicës mbështetet në akuza të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.

Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes. Në këtë formë, gjykatat ndërkombëtare po delegjitimojnë të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve. E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen vetëm mbi drejtësi të besueshme, të paanshme dhe historikisht të përgjegjshme – jo mbi barazimin e çlirimtarëve me gjenocidarët.", shkruan Vengu.