Parlamenti i ri, qeveria rrit me
60 mln dollarë koston e projektit

TIRANE- Qeveria i shton edhe 60 milionë dollarë të tjerë projektit të godinës së re të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo mësohet nga një deklaratë, e bërë për median arabe në Riad nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Arabinë Saudite. Sipas agjencisë on line " Arab Neës ", Admirim Banaj ka deklaruar, në përgjigje të një pyetjeje nga përfaqësues të medias saudite, se po negociohet me qeverinë e Arabisë Saudite që ajo të ndihmojë në sigurimin e një fondi prej 160 milionë dollarësh për ndërtimin e godinës së parlamentit të ri.
Deri tani, shifra e shpallur për koston e ndërtimit ka qenë rreth 79 milionë euro, pra më pak se 100 milionë dollarë sipas kursit aktual të kembimit. Kjo shifër figuron në dokumentat e tenderimit, të shpallura nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga urdhëri i ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi lidhur me garën për një konsulente në procesin e caktimit të kompanisë që do të realizojë projektin e Kuvendit të ri. Por, duket se ambasadorit i është kërkuar për të negociuar për një shifër 60 për qind më të lartë se ajo e shpallur publikisht.
Një shifër e tillë është e barabartë me 18 miliardë lekë të reja, pra sa 4.5 për qind e shpenzimeve buxhetore, të parashikuara për vitin në vazhdim, sipas Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2012. Por, sipas një prej negociatorëve të kreditimit, deputetit të PD Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministër i Financave, sauditët kanë premtuar tashmë një grant, me saktë disa grante, pra shifra e financimit do të jetë falas. Për marjen e këtij granti, sipas tij, nuk do të vihej asnjë kusht. Por, financimet nga Banka Islamike e Zhvillimit dhe banka të tjera nga vende arabe përdorin metoda të tjera të nxjerrjes së fitimit nga financimi, duke përfshirë bashkëpronësinë, apo forma të tilla, të përdorura deri tani në financimin e disa objekteve të vogla rrugore, të quajtura " isistn'a".
Qeveria shqiptare ka nënshkruar tre vjet më parë një marrëveshje për anëtarësimin në Korporatën Islamike për Zhvillimin e Sektorit privat. Në bazë të marrëveshjes, kjo korporatë do të financojë ndërmarrjet private në Shqipëri, të cilat do të paraqesin projekte që sigurojnë sukses dhe që nuk bien ndesh me rregullat e Sheriatit, apo ligjit islamik.
Sipas ambasadorit shqiptar në Arabinë Saudite, qeveria do të kërkojë pranë institucioneve islamike edhe një financim prej 587 milionë dollarësh për realizimin e programit të saj të rrugëve rurale. Deri tani, nga bankat islamike janë thithur disa qindra milionë euro financime, ku pjesa më e madhe ka shkuar për realizimin e segmentit të ri Tiranë-Elbasan.
Gjatë vlerësimit të projekteve për Kuvendin e ri, kryeministri Berisha ka deklaruar se varjanti më i shtrenjtë ishte më i miri.
Nga ana e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili normalisht, në kohë vështirësish ekonomike për të mbushur arkën e shtetit, duhej të kishte kundërshtuar hapur projektin, u shpreh thjesht se Komiteti vlerësues kishte për detyrë të garantonte vetëm respektimin e procedurave ligjore dhe jo të vendoste se cili projekt duhet të ishte fituesi.

(ns/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve