Pritja mori fund. Sot ngre siparin Seria A një nga kampionatet më të bukur dhe të luftuar në Europë. Parma-Juventus në orën 18:00 është sfida hapëse me kampionët e Italisë që për shkak të një sëmundje nuk do të kenë në pankinë teknikun Maurizio Sarri. Bardhezinjtë pritet të luajnë me skemën 4-3-3. Balotazh Danilo- De Sciglio për krahun e djathtë të mbrojtjes ndërsa Bonucci është në avantazh ndaj De Ligt.Khedira pritet ta nisë nga minuta e parë ndërsa me Ronaldon e sigurt ka dy balotazhe për t'u zgjidhur në sulm. Dybala-Higuain dhe Douglas Costa- Bernardeschi.
Në mbrëmje në 20:45 luhet Fiorentina-Napoli. Vjollcët me shumë ndryshime këtë sezon edhe pas ndryshimit të presidencës dhe blerja e bujshme Frenck Ribery pritet të jetë në pankinë ndërsa tek Napoli trajneri Ancelotti ka dilema përzgjedhjeje. Në mbrojtje Di Lorenzo e Ghoulam duken favoritë ndaj Malcuit e Mario Rui ndërsa në majën e sulmit do jetë Mertens.
Një superndeshje luhet në “Anfield Road” mes Liverpool dhe Arsenal dy ekipet që i kanë fituar dy ndeshjet e para në Premier League. Djemtë e Klopp janë të karikuar për të vijuar me fitore dhe janë me artilerinë gati pasi në dy ndeshjet e para kanë shënuar 6 gola dhe po ashtu edhe ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj topçinjve e kanë fituar 5-1. Edhe Arsenal është në formë me Dani Ceballos që ishte lojtari më i mirë i ndeshjes së fundit dhe gati edhe për ndeshjen e sotme që luhet në 18:30./ Përgatiti Andi Kapxhiu