Drejtuesit e 'Djathtas 1912' reagojnë për vendimin e Kushtetueses
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi sot (24 Dhjetor) ankimimin e partive të vogla politike për pavlefshmërinë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor nga marrëveshja PS-PD, është pritur me pakënaqësi nga paditësit.
Edhe grupimi “Djathtas 1912”, e cilësoi vendim negativ rrëzimin përfundimtar të kërkesës për lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar padinë e disa partive politike kundër paktit të Kodit Zgjedhor, të miratuar nga PS dhe PD, që u mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur deputetët me lista të hapura, është një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Forca e re thekson se ata u përpoqën që të kishin lista të hapura, garë të ndershme, konkurrencë mes partive politike dhe kandidatëve për deputetë, si dhe ‘një parlament të ndërtuar me deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, të cilët janë të detyruar t’u japin llogari atyre, dhe jo kukulla te verbëra të kryetarëve të partive’.
Duke shprehur keqardhjen për këtë vendim, i cili në frymë bie në kundërshtim të hapur me një vendim të mëparshëm të po kësaj gjykate, Djathtas 1912 shpreh vendosmërinë që në zgjedhjet e 11 Majit të garojë me lista të hapura.
“Ne do të donim që çdo parti politike të detyrohej nga ligji të zbatonte listat e hapura, si një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, në mungesë të kësaj, i mbetet vullnetit të partive të tregojnë kurajo politike dhe shërbim ndaj qytetarëve për të zbatuar listat e hapura me iniciativën e tyre”, apelon ky formacion.
Madje ata shtojnë se “Djathtas 1912” ka zgjedhur që tani të zbatojë listat e hapura, duke dhënë shembullin për respektim të zgjedhësve, llogaridhënie ndaj tyre dhe demokraci të drejtpërdrejtë.
“Ne besojmë se pas 34 vitesh, Shqipëria ka nevojë për një parlament të vërtetë demokratik, dhe për këtë arsye kemi vendosur të jemi të parët që do t’i japim votës së qytetarëve vlerën që meriton, duke u përballur drejtpërdrejt me gjykimin dhe vlerësimin e tyre. Ka ardhur koha që shqiptarët të vendosin vetë përfaqësuesit e tyre me “listat e qytetarëve” dhe jo “listat e kryetarëve”. Për këtë arsye, ne do të zbatojmë listat e hapura”, thuhet më tej.
Ata bëjnë thirrje se listat e hapura janë domosdoshmëri “për të çliruar parlamentin e shqiptarëve nga uzurpimi i binomit Rama-Berisha dhe strukturave të tyre, të cilat kanë mbyllur hapësirat për konkurrencë politike”.
Lajmi kryesor: