Protesta dy orëshe e opozitës, mbrëmjen e kësaj të hëne përpara kryeministrisë, e quajtur kombëtare prej saj, nuk arriti as këtë herë të mbushte bulervardin e kryeqytetit. Përpara turmës së shpërndarë në shesh, Berisha premtoi betejë deri në largimin e kryeministrit. Dhe sapo ai mbylli fjalën e tij, një breshëri bombash molotov u derdhën mbi godinën e qeverisë.
Në sfondin e protestës së opozitës këtë herë ishte hetimi që ka përfshirë zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, e akuzuar për shkelje të procedurave të disa tenderave, dhe dosja tjetër e SPAK-ut për AKSHI-n.
Nga selia, Berisha u nis drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ me besnikët e tij në krah, në një proces që do të çojë, sipas tij, ose në rrëzimin e Edi Ramën, ose në shuarjen e vetë opozitës.
Të tjerët po e prisnin prej 20 minutash para kryeministrisë.
Por dhe këtë radhë Berisha nuk arriti të bindë as demokratët e as qytetarët t’I bashkohen masivisht në shesh. Pjesëmarrja në protestën Kombëtare ishte dicka më shumë se përmasat e foltoreve të tij të zakonshme.
Në rrugëtimin drejt godinës së kryeministrisë Berisha shmangu përshëndetjen me Ervin Salianjin, i cili tha se ishte pjesë e protestës si demokrat.
Nga sheshi Salianji sfidoi Berishën duke iu përgjigjur se nga PD askush nuk mund ta përjashtojë.
"Sot është dita për të rrëzuar Ramën..Nuk më përjashton asnjënjeri sot jemi këtu për të rrëzuar ramën, unë jam në PD dhe do të jem. Jam bashkëdrejtues i një lëvizjeje shumë të rëndësishme të partisë demokratike",- tha Salianji.
Pas kësaj deklarate, nuk ka vonuar masa e PD-së ndaj Salianjit duke e hequr nga grupi i kryesisë së partisë në Whatsapp.
Si rrallë herë në podium këtë radhë mbajti fjalë edhe Gazment Bardhi. Kreu i grupit parlamentar demokrat tha se me këtë protestë i tregohet Edi Ramës se koha e tij ka mbaruar.
"Edi Rama, Belinda Balluku duan qe ne të kemi frikë, të heshtin duan të mendojnë se jemi të pashpresë, të besojmë se në këtë vend të gjithë janë njësoj, por ne jemi këtu për tu treguar se e keqja nuk do të triumfojë, se koha e tyre ka mbaruar..",- tha Bardhi.
Sali Berisha e nisi fjalën në protestë duke hedhur akuza të rënda ndaj Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
"Një gjykatë turpi i bën, një gjykatë supreme, kryesore e kombit, i hoqi jashtë çdo rregulli masën e pezullimit, e ktheu Lubinë në detyrë të hënën ditën e natën, që të prishë çdo provë, që si banditë të kërcënojë çdo dëshmitar",- tha Berisha.
Akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama se ka vendosur veten mbi ligjin duke diktuar vendimin e Gjykatës për Ballukun
"Me këtë akt që i diktoi Kushtetueses edi rama u tha shqiptarëve se unë do tju vjedh pakufij se është mbi ligjin. Edi Rama dhe Balluku kanë vjedhur shqiptarët. Rama bllokoi parlamentin për heqjen e imunitetit për të shpëtuar lëkurën e tij . nuk lejoi të arrestohej lubia ..",- tha Berisha.
Berisha u zotua para demokratëve se do të rrëzojë Edi Ramën dhe i ftoi qytetarët të bashkohen edhe më shumë në këtë betejë.
"Rama sot është një kufomë politike. Pret funeralin, do t’ia bëjmë ne funeralin”,- tha Bardhi.
E ndërsa kryedemokrati i shpalli luftë Edi Ramës, sapo mbylli fjalën, militantë të PD-së, nisën hedhjen e molotovëve drejt derës së kryeministrisë ndërsa të tjerë arritën të spostonin gardhin metalik
Nga situata mori flakë edhe një nga protestuesit, ndërsa të lënduar mbetën edhe dy efektivë të policisë.
Më pas bashkë me turmën Berisha marshoi drejt ministrisë së Brendshme. Për Report TV ai tregoi edhe objektivat e fushëbetejës opozitare
"Kryeminsitria, Parlamenti dhe Surreli",- tha Berisha se janë 3 vendet ku do të përqëndrohen protestat e ardhshme të opozitës.
Në këtë betejë, Berisha ftoi të gjitha forcat politike opozitare. Ilir Meta e mbështeti më herët me një letër nga burgu drejtuar komitetit drejtues të Partisë së Lirisë, ku u kërkonte të dilnin në rrugë për të shembur barrikadën e korrupsionit të shkrirë, sic shprehej, në një me krimin.
Thirrje i bëri edhe Adriatik Lapajt, i cili prej dy javësh është pozicionuar para godinës qeveritare në protestën e tij, por ai e refuzoi duke i lënë hapësirën në shesh dhe duke u zhvendosur përkohësisht në një tjetër ambjent.
Për report TV Lapaj sqaroi se përse nuk mund t’i bashkohet protestës së Berishës .
"Duhet të shkojmë në protesta përtej logove të partive. Na duhet të mendojmë për Shqipërinë, jo për partinë",- tha Lapaj.
Protesta të cilën Berisha e quajti madhështore përfundoi në më pak se dy orë. Pas shpërndarjes së demokratëve, përpara godinës së kryeministrisë u kthye sërish Lapaj me mbështetësit e tij.
Qindra efektivë të Policisë së Shtetit rrethuan Kryeministrinë në kuadër të masave të sigurisë të marra. 1300 mësohet të ketë qenënumri i forcave blu që ishin gati ne terren në kuadër të tubimit e demokratëve. Pas protestës, mësohet se 10 protestues janë shoqëruar në komisariatin nr.1 të policisë në Tiranë.

Ish-deputeti Selami Jenisheri "kontribuoi" 2 herë në protestën që Partia Demokratike zhvilloi mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë.
Ai ishte vetë i pranishëm në tubim, i pozicionuar pranë podiumit, për të rritur numrin e pjesëmarrjes, por ndërkohë e ndiqte protestën edhe online nga telefoni, për të rritur audiencën në rrjetet sociale.

Një mbështetës i opozitës u dogj nga një molotv gjatë një proteste kundër qeverisë në Tiranë, Shqipëri, më 22 dhjetor 2025, shkruan Reuters.
"Protestuesit hodhën bomba molotov (me benzinë) drejt godinës qeveritare ku ndodhet zyra e Kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë pasi prokurorët ngritën akuza ndaj zëvendëskryeministres për korrupsion të dyshuar. Tensionet politike në Shqipëri janë përshkallëzuar javët e fundit pas akuzave të ngritura ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku",- shkruan më tej Reuters.

Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i dërgon një mesazh kryetarit të PD, Sali Berisha pas molotovëve të hedhur në drejtim të kryeministrisë.
Përmes një postimi të shkurtër, por të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, me pamje të Berishës që valëvit flamurin përballë flakëve, Balla shkruan:
“Sali, ti nuk e djeg dot më Shqipërinë!”
Balla,i kujton Berishës të kaluarën, duke iu referuar ngjarjeve të ‘97-ës, shpërthimit në Gërdec dhe vrasjeve në bulevard kur ishte kryeministër.

Pas deklaratës që Ervin Salianji bëri gjatë protestës që opozita zhvilloi mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë, se asnjë nuk mund ta përjashtojë nga Partia Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Flamur Noka, e ka hequr ish-deputetin nga grupi i Kryesisë në Whatsapp.
Burime pranë Kryesisë, kanë konfirmuar lajmin për gazetaren Danjela Maloku, e cila ka siguruar edhe një screenshot nga grupi në rrjetin social.

Pas protestës së Sali Berishës para Kryeministrisë, mësohet se 10 protestues janë shoqëruar në komisariatin nr.1 të policisë në Tiranë. Në rajon kanë mbërritur dhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Pas përfundimit të protestës kombëtare të PD, ekspertët e kriminalistikës kanë shkuar në godinën e Kryeministrisë.
Ekspertët kanë mbërritur aty për të mbledhur provat pas shpërthimit të molotovëve nga protestuesit.

Përfundimi i fjalimit të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, u shoqërua me tensione. Protestuesit demokratë kanë hedhur molotovë drejt policisë dhe kryeministrisë. Si pasojë e hedhjes së molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga ana e protestuesve, janë dëmtuar dy punonjës të Policisë.
Kreu i PD Sali Berisha në mbyllje të protestës, është pyetur në një prononcim për media, lidhur me pjesëmarrjen e Ervin Salianjit në protestë.
Ai tha se çdokush që i bashkohet protestës është i mirëpritur.
‘Çdo njeri që vjen në protestë është i mirëpritur, nuk është protesta e Sali Berishës por vullnet i qytetarëve që duan që të protestojnë kundër kësaj qeverie. Është rasti që të merrem me protestën. Do po flasim për protestë apo? Unë thirrjen time e bëra për çdo forcë për çdo qytetarë dhe intelektual të na bashkohet, por kjo do të jetë një betejë që s’do të ndalet pa realizimin e qëllimit të saj’, tha ai.
Një protestues në tubimin e Sali Berishës para Kryeministrisë është djegur nga flakët e molotovëve që janë hedhur drejt godinës qeveritare, pas fjalimit të kryedemokratit.
“Kjo histori i ka rrënjët në Surrel” tha Sali Berisha ndërkohë që i printe militantëve të opozitës në bulevard të cilët i quajti 'luftëtarë të lirisë'. Sipas Berishës, banesa e kryeministrit Rama është një pallat krimi. Berisha tha se “aksioni i sotëm mbyllet tek selia” por pranoi se i kishte thënë militantëve “të bëjnë një xhiro dhe të njohin terrenin.”
Berisha e quajti ‘historike’ pjesëmarrjen ne protestë. I pyetur nëse "do t'i shkojë me të vërtetë Edi Ramës në shtëpi", Berisha u përgjig duke thënë "aty rreth."
"Në Surrel do të shkojmë ne, por nuk shkojmë pa ju thirrur ju" u tha ai gazetarëve. Ai premtoi militantëve të tij se "PD do ta shpëtojë Shqipërinë nga Edi Rama" dhe më pas u fut në selinë e PD-së.
“
Report Tv ka siguruar pamjet me dronë nga protesta e PD para Kryeministrisë.
Në pamje shihet se pjesëmarrja është e ulët për një protestë kombëtare, ku numri i pjesëmarrjes është i vogël. Protestuesit duken të shpërndarë në Bulevard.
Kreu i PD Sali Berisha theksoi se shqiptarët duhet të bashkohet me protesta për të larguar kryeministrin Edi Rama nga pushteti.
Gjithashtu Berisha i ka bërë thirrje të gjitha forcave politike opozitare që të bëhen bashkë kundër regjimit.
‘Të largojmë Edi Ramën dhe për të shpëtuar demokracinë dhe familjen shqiptare. Ne jemi sot këtu, sepse ka qytetarë këtu në shesh dhe thonë çfarë do të bëjnë këta me këtë. U them atyre që pyesin, ne do të bëjmë atë ‘ja do vdesim ja të rrëmojmë për liri’. Kur kemi dalë me këtë motiv nuk kemi humbur kurrë. Kemi fituar dhe do të fitojmë. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh që të na nëpërkëmbë ne, nuk mundet një grup hajdutësh që të nxinë Shqipërinë. Ta harrojnë. Kemi dalë në shesh, mos e harro këtë Edi Rama, sheshi është i yni.
Mjerë ai që provohet me ne. Kudo të jesh nuk të ndahemi as këtu as në Surrel, marshim drejt Surrelit, ai na ka shpallur luftë dhe ne i shpallën luftë atij. Të bashkoheni sa më shumë, ftoj të gjithë forcat politike opozitare dhe çdo opozitar dhe çdo guximtarë që të bashkohet në këtë betejë vendimtare për fatin e këtij kombi që po shuhet dhe që po shkretohet. Për familjen shqiptare që duan që ta shkatërrojnë. Dilni në sheh si në ‘91 dhe në ’90, dilni të përballeni sepse kemi detyrime ndaj familjeve tona dhe ndaj qytetarëve që na besojnë, nuk mundet një bandë si këta që të privatizojnë shtetin’, tha ai.
Militantë të Partisë Demokratike kanë filluar të hedhin molotovë në drejtim të selisë së kryeministrisë, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha ishte akoma në podium duke mbajtur fjalimin e tij. Disa protestues kanë thyer kordonin e policisë në rrethim të godinës së kryeministrit duke u përplasur edhe me focat e rendit. Me të mbaruar fjalimin, Berisha i është bashkuar turmës dhe po marshon drejt Ministrisë së Brendshme.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti të imponuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e masës së sigurisë pezullim nga detyra të caktuar nga GJykata e Posaçme ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, deri në marrjen e një vendimi për ankimimin e Këshillit të Ministrave.
"Miq, këto dy javë në Shqipëri është zhvilluar një betejë e pashembullt, një prokuror guximtar pezullon nga detyra zv/kryeministren, njeriun më të afërt të Edi Ramës. Një gjykatë turpi i bën, një gjykatë supreme, kryesore e kombit, i hoqi jashtë çdo rregulli masën e pezullimit, e ktheu Lubinë në detyrë të hënën ditën e natën, që të prishë çdo provë, që si banditë të kërcënojë çdo dëshmitar. Edi Rama me këtë akt, me këtë vendim që ia diktoi gjykatës kushtetuese, tha: “Unë ju kam vjedhur dhe do ju vjedh pa kufi, pa ndalesë, sepse jam mbi ligjin, mbi Kushtetutën, mbi gjykatat.” Reagimi tjetër i tij i pashembullt në ekzistencën e pluralizmit ishte kërkesa për arrestimin e zv/kryeministres, pasi u shtuan faktet të cilat provojnë se Edi Rama dhe ajo së bashku kanë vjedhur dhe shpërdoruar vetëm me ato afera afro 1.2 miliardë euro. Edi Rama mori pushtetin e parlamentit, bllokoi parlamentin, bllokoi heqjen e imunitetit, kreu grushtin e shtetit për të shpëtuar lëkurën e tij. Edi Rama është autori i vjedhjeve të pronave të imagjinuara nga ne. Këto ditë ne mësuam se zv/kryeministrja, se në ato dosje që janë gjetur deri më sot, ka 300 apartamente, ka 2 jahte luksi, ka 15 supermarkete e qindra prona të tjera. Miqtë e tij, Edi Rama nuk do pranojë kurrë të heqë imunitetin, nuk do pranojë kurrë të shkarkojë Belinda Ballukun. Nuk duhet të gabohemi, jo. Edi Ramën do ta heqim ne, populli, opozita. Do ta heqim ne, populli opozitar. Askush mos të ketë iluzion se Edi Rama ikën me votë, sepse sot nuk ka shqiptar që beson më se Edi Rama ikën me votë. Ai është i gatshëm ato 84 mandate t’i përdorë si bajoneta krimi kundër drejtësisë, qytetarëve dhe ligjeve",- tha Berisha.
Kreu i partisë Shqipëria Bëhet Adriatik Lapaj, ka komentuar protestën e Partisë Demokratike, duke sqaruar arsyet pse zgjodhi të zhvendosë protestën e tij disa metra larg asaj të opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.
“Në respekt të protestës që po zhvillon PD, sepse ata nuk janë armiqtë e mi, përkundrazi… unë jam këtu tani,” u shpreh Lapaj në një intervistë për Report TV.
Ai pranoi se kauza e protestës së tij është e njëjtë me atë të PD-së, largimi i Belinda Ballukut dhe i kryeministrit Edi Rama, por nga ana tjetër sqaroi se qëllimi duhet të jetë rritja e Shqipërisë dhe jo e partisë.
“Jetojmë në një kohë kur askush nuk duhet të mendojë ‘si të rrisim partinë’, por ‘si të rrisim Shqipërinë’,” tha ai.
Lapaj shtoi se do t’i ishte bashkuar protestës nëse ajo do të ishte qytetare dhe do të shkonte përtej strukturave partiake.
“Nëse sot aty do të kishte qytetarë përtej logove, unë sigurisht do të isha në shesh. Vendi ka nevojë që të vijnë edhe socialistët, edhe të gjithë ata që janë kundër makutërisë së Edi Ramës.” deklaroi ai.
Lapaj argumentoi se ndarja e protestave nuk duhet të shndërrohet në konflikt mes partive opozitare, duke paralajmëruar se ai që përfiton nga përçarja është pikërisht kryeministri Rama.
“Kjo është e vetmja çështje parimore pse jam ndarë nga protesta e PD. E kam respektuar atë dhe jam spostuar. Kjo na bën nder të gjithëve, sepse Edi Rama nuk mund të na vërë në konflikt me njëri-tjetrin,” tha Lapaj.
I pyetur për ftesën e Berishës për t’iu bashkuar protestës së PD-së, Lapaj pranoi se ka pasur komunikime me përfaqësues të kësaj force politike, por vetëm në nivele që ai i quajti ‘bazike dhe jo të avancuara”.
“Na duhet të mendojmë për Shqipërinë, jo për partinë. Nëse secili qëndron në gardhin e vet, Rama na mund të gjithëve. Nëse dalim përtej dhe populli zbarkon totalisht në rrugë, Rama e ka të vështirë dhe do të ikë,” theksoi ai.
Lapaj kërkon një qeveri tranzitore 12-mujore, të përbërë nga profesionistë dhe intelektualë brenda dhe jashtë vendit, me mandat të qartë për të përgatitur zgjedhje të lira dhe demokratike.
Në ditën e 15-të të protestës së tij, Lapaj paralajmëroi organizimin e një proteste edhe më të madhe dhe bëri thirrje për bashkim qytetar përtej partive.
“Unë do të qëndroj edhe në shi për t’ia zhveshur maskën Edi Ramës,” përfundoi ai.
Kryetari i PD, Sali Berisha, nga protesta e PD para Kryeminitrisë ‘shigjetoi’ kryeministrin Edi Rama.
Berisha tha se Edi Rama, pasi i shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, del se ka vendosur me paratë tuaja të bëhet multimiliarder, me pasuritë tuaja publike.
Ai e quajti Ramën “kapobandë” dhe akuzoi qeverinë për përdorimin e administratës për kontroll të zgjedhjeve.
‘Ju flas sot në një moment kritik të kombit. Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo pushtim dhe epidemi. Shqiptarët ne 10 vite të këtij regjimi kanë shkuar pas 100 vite për lindshmërinë e tyre. Ne mblidhemi në një moment kritik, ndoshta si kurrë më parë sepse Rama pasi i shëndërroi zgjedhjet në farsë elektorale del se ka vendosur të bëhet multimiliardier me paratë tuaja, me pasuritë tuaja publike dhe jo vetëm kaq, por ai ka vendosur veten mbi ligjin dhe mbi çdo pushtet, dhe na thotë nga Surreli se unë ju shumëzojë me zero. Rama hidhi sytë këtij bulevardi sot, nga sot ti s’do njihesh më kryeministër, por si kapobandë.
Në periudhë elektorale arrestoi liderët e partive opozitare, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij. Ai bërë gjithçka që ti mbyll çdo hapësirë opozitës. Radhë ka ndodhur që qeveritarët e një vendi të bëhen miliarder dhe qytetarët të varfërohen dhe të braktisin vendin e tyre. Me paratë që grabiti ai armik i egër, kontraktonë lobist ish-ministra dhe ish-kryeministra për deklarata të paguara për mashtrime ndërkombëtare dhe për beteja kundër opozitës’, tha ai.
Deputeti Klevis Balliu u kërkoi demokratëve që sot i janë bashkuar protestës që po zhvillohet para Kryeministrisë, të mos largohen nga aty deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti, duke nënkuptuar se Partia Demokratia mund të vërë në jetë një skenar me akte dhune ose grevë.
"Deri dje, të nderuar miq, ishte vetëm pozita që fliste për narkoshtetin, sot është e gjithë Europa, sot ka 7 rezultate ndërkombëtare që faktojnë akuzat tona. Sot nuk ka asnjë gjuhë e botës që nuk e di se Rama është një trafikant droge që ka vjedhur pushtetin me narkokartelët, kur një shtet bie pre e bandave, ndodh që një biznes merret peng. Nga ky podium do t’ua themi që njësoj siç kemi vepruar me kriminelët kur ishim në pushtet.
Ndaj sot, të nderuar miq, më shumë se kurrë është e nevojshme qëndrueshmëria. Kjo që nis sot nuk është një miting, është nisja e një misioni pa kthim, e një revolte pa kthim, piknisja e fitores së Shqipërisë dhe dëshmit të narkoshtetit. Sot më shumë se kurrë jam krenar që jam pjesë e PD.
Sot, të nderuar miq, le të japim fjalën njëri-tjetrit. Kjo duhet të mbyllet me një protestë, mbyllet me largimin e Ramës, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira",- tha Balliu.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazmend Bardhi gjatë fjalës së tij në protestën e PD përpara Kryeministrisë, akuzoi qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Bardhi u shpreh se qytetarët nuk duhet të dorëzohen dhe se protestat janë për t’i treguar qeverisë se koha e tyre ka mbaruar.
Bardhi falënderoi qytetarët për qëndresën dhe besimin e tyre, duke theksuar se protestat nuk janë vetëm kundër qeverisë, por për dinjitetin, besimin dhe të ardhmen e shqiptarëve.
‘Prania juaj sonte në këtë shesh madhështor proteste do të thotë vetëm një gjë: kjo shoqëri ende ka zemër. Kjo shoqëri ka ende guxim. Kjo shoqëri e do ndryshimin. Këto ditë kam takuar shumë prej jush. Kam dëgjuar shqetësimet tuaja, lodhjen, dilemat tuaja, revoltën tuaj për gjërat që po shkojnë keq. Dhe po! Edhe unë nuk e kam patur të lehtë vendimin për të folur sot para jush. Sepse e di që shumë herë ne kemi dalë në sheshe me shumë shpresë dhe jemi kthyer në shtëpi me shumë zhgënjim.
Por dilema nuk më zgjati shumë. Sepse në çdo takim që kam bërë me ju të dashur demokratë dhe qytetarë të lirë të këtij vendi të stërmunduar kam marrë prej jush vetëm një mesazh: Ne nuk dorëzohemi! Nga ju, në këtë shesh dhe në çdo takim, kam mësuar leksionin më të madh të jetës sime politike: se sakrifica dhe besimi janë dy vlerat më të mëdha që na kanë mbajtur gjithmonë në këmbë. Se sakrifica dhe besimi do të na çojnë përpara për t’u përballur me pengesën dhe problemin më të madh të shqiptarëve: largimin e Edi Ramës, kryeministrit më të korruptuar dhe më të inkriminuar të Europës.
Ne nuk jemi këtu, sepse na pëlqen të kalojmë kohën në protesta. Ne jemi këtu sepse korrupsioni po na merr frymën! Sepse kartelet e drogës, bashkë me qeverinë e tyre, po na vjedhin të ardhmen! Edi Rama, Belinda Balluku bandat kriminale dhe kartelet e drogës që qendrojnë pas tyre duan që ne të kemi frikë. Duan që ne të heshtim. Edi Rama do që ne të ulim kokën. Duan që të mendojmë se jemi të pashpresë. Bashkë me çetën e tij të megahajkdutëve ai do që ne të besojmë se në këtë vend të gjithë janë njësoj, se asgjë nuk ndryshon. Por ne jemi këtu për t’u treguar se ata e kanë gabim dhe se e keqja nuk do të triumfojë', tha ai.
Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta kombëtare e PD para Kryeministrisë ditën e sotme.
Nga pamjet shihet se numri i atyre që i janë bashkuar kësaj proteste është i ulët, ndoshta shumatorja e 5 protestave të fundit që Sali Berisha ka organizuar para Kryeministrisë përgjatë 5 të hënave të fundit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, nga protesta para Kryeministrisë, i është përgjigjur Sali Berishës për "vetëpërjashtimin" nga partia.
Në një prononcim për media, ish-deputeti tha se askush nuk mund ta përjashtojë nga Partia Demokratike.
“Dy skandalet e fundit të qeverisë, kanë ekspozuar të gjithë segmentet shtetit të lidhura me kthimin e institucioneve në parcela private të personave të lidhur me qeverinë dhe krimin, por dhe rrënimin moral dhe korrupsionin politik. Sot është dita për rrëzuar. Nuk më përjashton asnjë njeri, nuk ndryshon asnjë gjë. Sot është radha për të përjashtuar Ramën.
Kam ardhur me mbështetësit e PD dhe unë jam i PD. Jam bashkëdrejtues i një lëvizje të rëndësishme demokratike. Po punoj për PD por ka një qëndrim të qartë që PD dhe opozita duhet të jetë më e fortë që me gjithë këto skandale nuk duhet të qëndronte në këmbë qeveria. Po qëndroj larg se nuk jam organizator, por një protestues”, tha Salianji.

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji dhe mbështetësit e tij i janë bashkuar sot protestës së organizuar nga opozita kundër skandaleve të qeverisë së Edi Ramës.
Salianji, për të cilin Berisha thotë se është vetëpërjashtuar nga PD-ja, shoqërohej nga ‘besnikët’ e tij, të cilët i quajti edhe ‘mbështetës të PD-së.”
Sali Berisha ka lënë selinë e Partisë Demokratike për t'iu bashkuar mbështetësve që po presin fillimin e tubimit të tij para Kryeministrisë, ku numri i të pranishmëve duket tejet i ulët.
Vërshimi popullor që premtoi PD për t’i dhënë fund “regjimit të Edi Ramës” është me vonesë ndërkohë që pjesëmarrja në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ është e ulët. Ndërkohë që Berisha ishte në seli, në shesh është vënë re edhe prania e familjarëve të tij.
Vajza e kreut të PD-së, Argita Berisha dhe bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi i cili është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash, i janë bashkuar protestuesve të mbledhur në bulevard
Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta kombëtare e PD para Kryeministrisë ditën e sotme.
Nga pamjet shihet se vetëm një grusht militantësh i janë bashkuar kësaj proteste, ndërsa orari zyrtar i protestës ishte ora 18: 00.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, mbërriti në selinë e PD-së , pak çaste përpara nisjes së protestës anti qeveritare të opozitës. Ai u prit me brohorima nga një grusht i vogël njerëzish ndërkohë që pak minuta para nisjes së protestës, nëpërmjet të cilës kryedemokrati dëshiron të rrëzojë qeverinë e Edi Ramës, pjesëmarrja në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" mbetet e ulët. Në selinë e PD-së vërehen më shumë makina se sa njerëz.
Në më pak se 30 minuta para orarit zyrtar të fillimit të protestës që Partia Demokratike ka thirrur para Kryeministrisë, bulevardi "Dëshmorët e Kombit" duket i shkretuar, me një numër të ulët pjesëmarrësish që presin tubimin e Sali Berishës.
Partia Demokratike do të zhvillojë një protestë kombëtare këtë të hënë në orën 18:00 përpara Kryeministrisë.
Ndërkohë, lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, është spostuar te Bunkeri në qendër të Tiranës, pasi më herët ishte vendosur tek Kryeministria, aty ku tashmë do të mbahet protesta e PD.
Pak orë para nisjes së protestës antiqeveritare, Komiteti Drejtues i Partisë së Lirisë, zhvilloi një mbledhje me tone të forta politike, akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe thirrje për mobilizim masiv qytetar.
Në hapje të mbledhjes u lexua letra e kryetarit të burgosur, Ilir Meta, i cili iu drejtua strukturave me një retorikë të fortë politike.
“Të gjithë në këmbë për t’ua rikthyer Shqipërinë shqiptarëve. Jemi në prag të protestës kombëtare kundër pengmarrësit të Shqipërisë dhe korrupsionit të tij skizofrenik që nuk e mbulon dot më askush,” shkruan Meta.
Meta e cilëson qeverinë e Edi Ramës “një regjim mafioz të implantuar për të shpopulluar Shqipërinë”, ndërsa ligjin e quajtur prej tij “antifamilje” e përshkruan si “atentatin më të rëndë ndaj identitetit dhe dinjitetit të çdo shqiptari”.
“Të ngrihemi pa dallime partiake për të shporrur këtë klikë sorosiste, pa atdhe, pa familje, pa zot. Ata kanë vetëm një ‘gjini’: gjininë e kleptokratëve,” thekson Meta.
Në letrën e Metës nuk munguan as akuzat për fshehje provash dhe manipulim të drejtësisë:
“A e patë si avulloi prova e kantinës së verës prej miliona eurosh? Imagjinojeni çfarë ndodh me provat e atyre që janë ende në detyrë”, shkruan Meta, duke nënvizuar se drejtësia aktuale është “produkt i 69 votave antikushtetuese të Edi Ramës”.
Meta u bëri thirrje qytetarëve të dalin në rrugë për të rrëzuar atë që e quan “barrikada e 83 ‘Diellave’ që mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar”, duke përfunduar se:
“Misioni ynë është t’ua rikthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Ky mision do të përmbushet me çdo çmim”, nënvizoi ai.
Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, në fjalimin e tij e pwrshkroi situatën në vend si dramatike. Ai theksoi se protesta nuk është për interesa partiake, por për dinjitetin qytetar. Ai akuzoi qeverinë si “një bandë të pangopur dhe kleptomane”, që sipas tij ka grabitur ëndrrën e një "populli të varfër dhe po e dhunon në çdo aspekt të jetës".
Edhe më i ashpër në tone ishte sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili deklaroi se vendi ndodhet nën një “narko-shtet të kapur nga grupe kriminale”.
“Ilir Meta është i burgosur politik i narko-regjimit. Por kjo kauzë është kauza e lirisë dhe ne do ta fitojmë këtë betejë”, tha Blushi.
Ai sulmoi drejtpërdrejt Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, duke i cilësuar si “një organizatë e strukturuar mafioze”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë:
“Kjo përballje kërkon sakrificë. Partia e Lirisë është gati të paguajë çdo çmim”. theksoi ai.
Në të njëjtën linjë ishte edhe nënkryetarja e partisë, Erisa Xhixho, e cila foli për zgjedhjet e 11 majit, që sipas saj “u manipuluan hapur”.
“Fundi politik i Edi Ramës është i pashmangshëm, pavarësisht zvarritjeve të tij. Protestat do të jenë të vazhdueshme dhe aksioni opozitar nuk do të ndalet”, deklaroi Xhixho.
Ajo shtoi se kjo betejë nuk është vetëm për opozitën, por “për të gjithë shqiptarët”, duke paralajmëruar një përplasje të gjatë politike në rrugë dhe sheshe.
Forca të shumta policie kanë zbarkuar pranë Kryeministrisë në Tiranë në kuadër të masave të sigurisë që janë marrë nga Policia e Shtetit për shkak të protestës kombëtare që Partia Demokratike ka thirrur në orën 18:00.

Ambasada Amerikane këshillon qytetarët amerikanë të tregohen vigjilentë dhe të kujdesshëm ndaj protestës së opozitës që do të mbahet sot në orën 18:00.
Në një njoftim sigurie të postuar në faqen e Ambasadës, qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin zonën e protestës, të ndjekin mediat locale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit”.
Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Për këtë arsye, qytetarët amerikanë këshillohen të ruajnë një profili të ulët dhe të vendosin sigurinë personale si prioritet.
Njoftimi i plotë i Ambasadës se Shteteve të Bashkuara të Amerikës
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 22 dhjetor 2025, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i Ambasadës së SHBA është këshilluar të shmangë protestën. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për informacionet më të fundit.
Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është të shmangen zonat e protestave. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale si prioritet. Forconi masat tuaja të sigurisë duke zbatuar zakonet e mëposhtme:
Veprime për t’u ndërmarrë:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje
Të jeni të vetëdijshëm për rrethinën tuaj
Të kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve në ambiente publike
Të ndiqni mediat lokale
Të keni gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje
Të mbani një profil të ulët.”, sqarohet në njoftim.
Komente











Saliut,,,I QOFTÈ FALÈ EDVIN RAMA. Shqipèria dhe shqiptarèt, janè shumè mè parè se politikanèt e saj. Po tè kishte ftuar SPAK nè protestè sot,,,,,,besomani,,,bulevardi do kishte shpèrthyer dhe Balluket e Greqisè, bashkè me Ramèn,,,do duhet tè largoheshin. SPAK,,,nuk bèri thirrje pèr mbèshtetje,,,,ishte vetèm qoftèlargu nga Vuçidoli,,qè as tè tijèt nuk e duan. E kuptoni gjèndjen shqiptare?
PërgjigjuSALI LESHI ME 100 VETA ...ATY NE BULEVAD DO QENDRONI DERISA TE VDISNI.....POPULLI JU NJEH MIRE JU O PLERA.....PTU...RRACE E QELBUR MALOKU.....
PërgjigjuSala me aq mekate sa ka, arrin te mbledhe kaq shume njerez. Ose eshte bindes shume, ose duhen pare keto politikat sociale e te zhvillimit.
PërgjigjuDeshtim protesta!
PërgjigjuSa te jete Saliu kryetar i PDse, PD nuk vjen ne pushtet.
PërgjigjuZgjedhje parakohshme 2026
Përgjigju