Nga buka dhe veza, te jahtet luksoze dhe tenderat publikë. Partia e Lirisë doli të dielën me një seri akuzash ndaj mazhorancës socialiste.

Në një video në rrjetet sociale, sekretari i përgjithshëm Tedi Blushi kritikon qeverinë që nuk ul çmimin e produkteve bazë ,bukës, vezës, qumështit, vajit dhe miellit . por ndërkohë heq TVSH-në për importin e jahteve luksoze, ul taksat për resortet me 5 yje dhe fal detyrime për ndërtues e përfitues të tokave publike.

“Qeveria nuk ul çmimin e bukës! Nuk ul çmimin e një kokërr veze. Nuk ul çmimin e qumështit! Nuk ul çmimin e vajit! Nuk ul çmimin e miellit.
Por çfarë bën kjo Qeveri? Heq TVSH-në për importin e jahteve luksoze. Ul taksat për resortet me 5 yje. Fal tatime për oligarkët e betonit dhe zaptuesit e tokës publike dhe të bregdetit. Në një shtet ku buka e gojës tatohet më shumë se luksi, nuk është shtet social, është shtet kriminal. Çfarë qeverie është kjo që u shtrëngon barkun të varfërve dhe u shton oreksin të pasurve?”, deklaron ai.

Memelli foli për një krizë të thellë të shtetit të së drejtës dhe për korrupsion që, sipas saj, është kthyer në normë qeverisëse.

Ajo u ndal te pezullimi me vendim gjykate i deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga funksionet ekzekutive dhe hetimi i nisur nga SPAK për çështje që lidhen me tendera publikë dhe menaxhim fondesh.

Sipas Memellit, kërkesa për heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut duhet të trajtohet pa mbrojtje politike. “Imuniteti nuk është armaturë për t’u fshehur nga drejtësia”, thekson ajo, duke paralajmëruar se çdo bllokim i procesit do të ishte pengim i drejtësisë.

Sipas saj, “askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”.

Deklarata e plotë e Jasmira Memellit

"Sot Shqipëria ndodhet përpara një krize thelbësore të shtetit të së drejtës, institucionalizuar nga një qeveri që ka ngritur korrupsionin në normë qeverisëse. Skandalet qeveritare nuk janë më raste sporadike, por një epidemi që po shkatërron shpresën e qytetarëve. Korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisjes është një plagë e hapur që po gërryen ekonominë, po dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit dhe po detyron qytetarët shqiptarë të braktisin vendin. Pezullimi me vendim gjykate i deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga funksionet ekzekutive përbën një zhvillim të rëndë institucional. Fakti që ajo është nën hetim nga SPAK për çështje që lidhen me tendera publikë, keqmenaxhimin e fondeve shtetërore, dhe që është kërkuar heqja e imunitetit të saj parlamentar, nuk le vend apo hapësirë për interpretime dhe aq më tepër çjerrje për mbrojtje politike. Kjo nuk është çështje individësh, por sistemi. Për vite me radhë, fondet publike janë shpërdoruar për projekte me kosto të fryra, afera korruptive, punë të pambaruara ose minimaliste, mungesë gare reale dhe mungesë transparence. Çdo shifër e keqmenaxhuar nuk është thjesht një shifër në letër, është një shkollë e munguar, një spital i papajisur, një rrugë rurale e pashtruar apo një familje që nuk merr ndihmën e merituar. Pasojat e këtij modeli qeverisjeje janë të prekshme për çdo qytetar: Rritje e çmimeve dhe e kostos së jetesës, Rritje e borxhit publik, Pabarazi ekonomike në thellim, Emigrim masiv i të rinjve që nuk shohin më perspektivë në vendin e tyre, Rënie e besimit tek shteti dhe tek politika Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen europiane mbi themele të lëkundura nga korrupsioni. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë selektive dhe as e kufizuar vetëm tek nivelet e ulëta të administratës. Ditën e nesërme, përgjegjësia bie mbi Këshillin e Mandateve. Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar duhet të trajtohet në mënyrë serioze, pa kalkulime politike dhe pa mbrojtje partiake. Imuniteti parlamentar nuk është armaturë për të shmangur drejtësinë. Ai është një mekanizëm kushtetues për të garantuar pavarësinë e mandatit, jo për të penguar hetimet penale.Nëse shumica parlamentare zgjedh të bllokojë  këtë proces,  do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pengimin e drejtësisë dhe për minimin e shtetit të së drejtës. Ne kërkojmë shqyrtim serioz dhe transparent të kërkesës për heqjen e imunitetit. Mosndërhyrje politike në procesin hetimor.Publikim të plotë të çdo procedure që lidhet me tenderët dhe kontratat publike nën hetim dhe vendosjen e një standardi të ri llogaridhënieje për çdo zyrtar të lartë publik. Asnjë ndryshim ligji nuk mund të mbrojë në përjetësi korrupsionin. Heqja e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres është provë dhe sfidë për cilindo në atë Këshill Mandatesh që pretendon së është kundër korrupsionit. Është një provë për ndarjen e pushteteve dhe një provë për seriozitetin e reformës në drejtësi. Qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë hakmarrje politike. Ata kërkojnë drejtësi dhe barazi para ligjit. Ata kërkojnë që askush të mos jetë mbi ligjin.Shqipëria meriton institucione që i shërbejnë qytetarëve, jo pushtetit" tha ajo. 

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Shkurt, 08:56

    A është vlerësim për Shqipërinë pjesëmarrja në Bordin e Paqes?