TIRANË- Partia e Lirisë ka bërë sot të tjera denoncime sa i përket asaj që quajnë afera e inceneratorëve. Në një dalje për mediat, deputeti Petrit Vasili dhe Koordinatorja Kombëtare e Luftës kundër Korrupsionit Brisida Shehaj kanë artikuluar akuza të reja sa i përket inceneratorit të Fierit. Sipas tyre, kompanitë e përfshira te inceneratorët kanë marrë 3 kredi me pretekstin për pagat e punonjësve në kohë COVID-i, edhe pse numri i tyre ka qenë i kufizuar. 

Një korrespondencë mes supervizorit dhe koncesionarit, sipas Shehajt, vërteton se impianti nuk u testua dhe certifikua asnjëherë. 

 “Bëhet fjalë për 3 komponent, kredimarrja e para. Nisim me kredinë e parë. Në 15 nëntor të 2016-ës, kompania pasi ka firmosur kontratën merr kredi në verës 2.2 mld dollarë. Ajo që e bënë edhe më të rëndë faktin, është se dorëzantit për këtë kredi, dorëzani është dhe kompania Albtec. Është e qartë se si këto kompani janë palë të lidhura dhe në këto kotrata vazhdon njësoj. Barra bie te shqiptarët. Kontratë kredie tjetër. Në vitin 2020 ku kanë marrë kredi duke u bazuar te VKM për COVID-in, për pagat e punonjësve. Në shtator 2020 kompania vendos të përfitojë sërish nga riskedulimi për paratë nga COVID. Përfitojnë nga urdhri i kryeministrit dhe i guvernatorit të BSH. Pika tre është miratimi për marrjen e një kredie në shumë 3 mln dollarë me afat 3 vjeçar për rimëkëmbjen e aktivitetit.”, tha Shehaj.

Nga ana tjetër, deputeti Petrit Vasili thekson se në krye të kësaj skeme mashtrimi është kryeministri Edi Rama, i cili shkoi te inceneratori i Fierit në mars, që ta përdorte përpara zgjedhjeve.

“Skandali që pjesë e këtij mashtrimi publik bëhet vetë kryeministrit. Njofton koncensionari; hajde merreni në dorëzim në mars, dhe para zgjedhjeve në prill, këtu bëhen prova se si mund të vihet në funksionim inceneratori, që nuk kishte mbaruar, Ai shkoi për shoë, për t’i dhënë zemër hajdutëve. E keni shumë të qartë të nderuar qytetarë se këta vijojnë dhe marrin kredi pa fund dhe peng vendosin kontratën e shtetit. Këta vijnë me duar në xhepa, kanë bërë pazarin me qeverinë dhe qeveria i jep miliona, 40 e ca milionë dollarë. Nuk mjafton kjo por edhe ajo garancia sovrane që i garanton shteti milionat. Duhet të ishte dorëzuar projekti deri në vitin 2019 por jemi në 2022 dhe s’kemi asgjë”, tha Vasili.

Më herët edhe PD e Rithemelimit, akuzoi se firma e paligjshme e inceneratorëve janë thikë në shpinën e qytetarëve dhe drejtësisë.