Sali Berisha dhe Ilir Meta, në një diferencë vetëm disa minutëshe, dolën sot për mediat në konferenca të ndara për mediat por me axhendë të njëjtë, akuzat ndaj Qeverisë për projektin e Portiti të Durrësit. Të dy e kanë konsideruar një mega aferë që shkon në disa miliardë euro. Meta tha se vetëm transparenca e plotë mund ta qetësojë këtë situatë, ndryshe Edi Rama i ka bërë llogaritë keq tha Meta. Ndërsa Berisha u shpreh se janë falur 1.5 milion metra katror tokë në Durrës. Sipas Berishës, po bëhet një aferë korruptive dhe po dhunohen të gjitha ligjet e vendit për t’u ndërtuar porti turistik nga kompania.

Të njëjtat argumente, të njëjtat akuza, përdorën kryetari i ‘Foltores’ dhe kryetari i Partisë së Lirisë. Sipas tyre kjo ëhstë një aferë 10-fish më e madhe se inceneratorët, aventurë e Ramës që do të ketë pasoja të mëdha për vendin.

"Kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit. Rama deklaron se i ka dhënë një kompanie territorin prej 1.5 mln metra katrorë të ndërtimit aty të Dubai-city, të Dubait-Emar-Rama, ose Rama-Emar. Dhënia pa garë është dhunim i ligjeve të vendit, por edhe atyre ndërkombëtare që Shqipëria është e detyruar t'i respektojë”, tha Berisha.

“Të zbardhet afera më korruptive, ajo e Portit të Durrësit. Nuk do jetë më pronë e shtetit shqiptar. Është e rëndësishme për t’u bërë sa më e qartë se cilat do të jenë përfitimet e ekonomisë dhe investimet e këtij koncesione, cilat janë të dhënat ligjore, ekonomike, financiare, LSI dhe tashmë Partia e Lirisë përmes Petrit Vasilit i ka kërkuar ministrisë së Infrastrukturës dhe kryeministrit Edi Rama që t’i japin përgjigje brenda afateve për disa pyetje", tha pas Berisha, Meta. 

Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 11 gusht në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe zhvilluesit me famë botërore Muhammed El Alabbar. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë, ndërsa Rama tha se do të sjellë një zhvillim ekonomik e turistik jo vetëm për zonën e Durrësit, por për të gjithë vendin. Investitori e zhvilluesi Muhammed El Alabbar garantoi se investimi do jetë me përmasa madhështore.

Projekti i ri do të transformojë atë në një port model, me potenciale dhe kapacitete në Ballkanin Perëndimor. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.

Impakti i investimit të portit turistik të Durrësit që kryhet nga kompania që ndërtoi Portin e Dubait dhe ka autorësinë e ndërtimeve më spektakolare në Emiratet e Bashkuara e në plot vende të botës, do të ndryshojë thelbësisht ekonominë e qarkut të Durrësit, si edhe do të krijojë një efekt ekonomik zinxhir në krejt bregdetin shqiptar, ku ka nisur ndërtimi i portit të ri turistik të Sarandës, do të nisë deri në qershor ndërtimi i portit të ri turistik të Vlorës dhe sipas Planit 2021-2025 do të nisë brenda vitit 2023 ndërtimi i portit të ri turistik të Shëngjinit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:50
Porti i Durrësit/ Meta: 'Njeriu i marrë' i ka hyrë një aventure të re, do jetë aferë 10-fish më e madhe se inceneratorët

 

Meta ka pasur sërish një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama, sipas së cilit fundi do i vijë shumë shpejt. Duke u ndalur në portin e Durrësit, Meta tha se kjo është një aventurë e Ramës, që do të ketë pasoja të mëdha për vendin.

“Kush hyn në aventura me një njeri të marrë që është në fundin e vonuar të qeverisjes së vet dhe do të lërë peng vendin, bën gabim të madh që përfshihet në këtë aferë të jashtëzakonshme që mund të ketë vlerë 10 herë më të rëndë se inceneratorët. Iku koha kur punët e Shqipërisë dhe shqiptarët i gjykonin zyrtarë dhe burokratë që nuk e kanë lexuar asnjë ditë marrëveshjen e stabilizimit dhe Asocimit. Kështu që vetëm rruga e transparencës së shpejtë dhe të menjëhershme mund të qetësojë këtë situatë, përndryshe i ka llogaritur shumë keq pasojat e kësaj aventure të re”, tha Meta.

Ora 12:42
Pas Berishës edhe Meta: Të zbardhet afera më korruptive, ajo e Portit të Durrësit

 

Pas Sali Berisha edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ngritur akuza në drejtim të qeverisë për portin e Durrësit. Sipas tij, kjo është një aferë korruptive.

“Të zbardhet afera më korruptive, ajo e Portit të Durrësit. Nuk do jetë më pronë e shtetit shqiptar. Është e rëndësishme për t’u bërë sa më e qartë se cilat do të jenë përfitimet e ekonomisë dhe investimet e këtij koncesione, cilat janë të dhënat ligjore, ekonomike, financiare, LSI dhe tashmë Partia e Lirisë përmes Petrit Vasilit i ka kërkuar ministrisë së Infrastrukturës dhe kryeministrit Edi Rama që t’i japin përgjigje brenda afateve për disa pyetje.

 

Ora 12:38
Berisha akuzon Ramën: Dha pa garë 1.5 milionë metra katror në Durrës për ta ndërtuar kompania e Dubait! Po dhunohen ligjet e vendit

 

Tema që kishte zgjedhur Sali Berisha sot për të akuzuar kryeministrin Edi Rama ishte ndërtimi i Portit turistik të Durrësit nga kompania që ndërtoi Portin e Dubait dhe ka autorësinë e ndërtimeve më spektakolare në Emiratet e Bashkuara.

Sipas Berishës, po bëhet një aferë korruptive dhe po dhunohen të gjitha ligjet e vendit për ndërtimin e portit turistik pasi nuk pati asnjë garë, por projektin e mori kompania arabe. Ndër të tjera, Berisha pretendon se Rama fali 1.5 milionë metra katrorë në Durrës që e cilëson aferë mafioze dhe korruptive.

“Rama fali 1.5 mln metra katrorë tokë në Durrës, për të ndërtuar Dubai-Rama. Ligji i parë i çdo hajduti është se ai kërkon të vjedhë sa më shumë. Rasti më tipik është Edi Rama, i cili pasi është kapur në flagrancë me vjedhjen e 420 mln euro për djegësat, gjithçka me firmën e tij, vrapon të vendosë harresë këtë vjedhje, me dy megaafera të mëdha, që janë 10fishi i kësaj shume; ajo e Butrinti dhe Portit të Durrësit.

Jam këtu për të denoncuar për të shumtën herë, aferën mafioze, korruptive të Ramës me portin më kryesor, shekullor e mijëvjeçar, portin e Durrësit. Kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit. Rama deklaron se i ka dhënë një kompanie territorin prej 1.5 mln metra katrorë të ndërtimit aty të Dubai-city, të Dubait-Emar-Rama, ose Rama-Emar. Dhënia pa garë është dhunim i ligjeve të vendit, por edhe atyre ndërkombëtare që Shqipëria është e detyruar t'i respektojë”, tha Berisha.

Sipas Berishës, me superskandalin e ‘Portit të Durrësit’, Rama u lë shqiptarëve veç 10% të fitimit ndërsa merr për vete 90%. Ndër të tjera pretendon se askush nuk njeh kompaninë që e cilëson se është “offshore”.

“Në këtë aferë Edi Rama u thotë shqiptarëve se Shqipëria fiton 300 mln, ndërkohë që vetëm trualli kushton jo më pak se 3 miliardë euro, me çmimin aktual. Pra nëse pronarët e trojeve në Shqipëri e japin truallin për zhvillim ndërtuesve, sipas zonave me një % nga 20 deri ne 50%, Edi Rama u len shqiptarëve vetëm 10% të fitimit. Kurse merr vetë me kompaninë e Emarit-Rama, 90% të vlerës. Ky është një superskandal. Tejkalon çdo lloj imagjinate”, tha Berisha.

Me tone të ashpra, Berisha i bën thirrje Ramës dhe atyre që i cilëson si aksionerë të fshehtë të "Portit të Durrësit" duke i thënë se janë kryemafiozë por nuk do ta gëzojnë pasurinë e shqiptarëve. Përveç këtyre, Berisha thotë se Porti i Durrësit është porti i një vendi anëtar i NATO-s dhe anëtar i Bashkimi Europian, është porti i një rëndësie strategjike, ndaj pretendon se nuk do të ketë ndryshim destinacioni pa një miratim të NATO-s dhe Bashkimit Europian.