Partia e Lirisë i është rikthyer të dielën apelit të saj drejtuar qeverisë për pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit nga çmimi i naftës, duke kritikuar rritjen në 215 lekë për litër.
“Rreth 60% e çmimit janë taksa që shkojnë direkt në arkën e shtetit”, thuhet në reagimin e Erisa Xhixhos në Facebook. .
Ajo krahason situatën me vendet e rajonit, duke theksuar se atje janë marrë masa për të frenuar rritjen e çmimeve, si kufizimi i fitimeve në Kosovë, ulja e akcizës në Mal të Zi, ulja e TVSH-së në Maqedoninë e Veriut dhe ndërhyrjet në Serbi.
Në deklaratë ajo argumenton se edhe një ulje e mundshme e akcizës me 20% do të kishte efekt minimal në çmimin final.
Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos në rrjete sociale
Rreth 60% e këtij çmimi janë taksa që shkojnë direkt në arkën e shtetit. Në rajon po merren masa: Kosova kufizon fitimet, Mali i Zi ul akcizën, Maqedonia e Veriut ul TVSH-në, Serbia ul akcizën me mbi 20% dhe hedh në treg 40 mijë tonë naftë. Partia e Lirisë ka propozuar zgjidhje të menjëhershme: Pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe pezullimin e Taksës së Karbonit Por qeveria refuzon. Sepse, për këtë qeveri, çmimi nuk është rritur ende mjaftueshëm. Ndërkohë pritet që çmimi të shkojë në 220 lekë për litër, që më pas të ulet akciza me 20%, çka do të thotë vetëm 9 lekë më pak. Një ulje totalisht e papërfillshme! Çdo rritje e naftës do të sjellë rritje të çmimit të bukës, qumështit, vajit, transportit – rritet çdo kosto jetese. Zgjidhja e vetme është ulja e taksave! Ndaj sot, në orën 18:00, të gjithë në shesh për veten tonë, për familjet tona, kundër kësaj autokracie që vetëm varfëron qytetarët.
Komente









