Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, i është kundërvënë sot projektit për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, që parashikon edhe ndërtimin e një kulle deri në 255 metra të lartë.

Në një reagim publik, Xhixho akuzon qeverinë se po fshin identitetin dhe historinë e Tiranës, duke e krahasuar ndërhyrjen te Pallati i Kongreseve me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe transformimin e stadiumit “Qemal Stafa”.

Ajo akuzon kryeministrin Edi Rama se po e trajton Tiranën dhe Shqipërinë si pronë private, duke marrë vendime pa transparencë dhe pa konsultim publik.

" Qeveria po fshin identitetin dhe historinë e Tiranës. Pas Teatrit Kombëtar e stadiumit “Qemal Stafa”, radhën e ka Pallati i Kongreseve. Një kullë deri në 255 metra lartësi,  synon t’i bashkëngjitet një prej godinave simbol të kryeqytetit, e ndërtuar në vitet ’80. Edi Rama po e trajton Tiranën dhe gjithë Shqipërinë si pronë private, duke marrë vendime në mungesë të plotë transparence dhe konsultimi publik. Është i njëjti model që kemi parë në Zvërnec, në aeroportin e Vlorës, në Portin e Durrësit dhe kudo ku interesi publik është vënë në shërbim të një grushti njerëzish pranë pushtetit. Vendime që merren në fshehtësi, marrëveshje që shmangin debatin publik dhe pasuri kombëtare që përdoren si plaçkë politike. Ky është sistemi që shqiptarët po refuzojnë. Kjo është arsyeja pse të rinjtë e këtij vendi po largohen ose po ngrihen kundër padrejtësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një qeveri që përqendron pasuritë dhe mundësitë në duart e klientëve të saj, ndërsa pronën publike e trajton si pronë private, nuk e meriton Shqipërinë. Nuk i meriton qytetarët e saj. Dhe mbi të gjitha, nuk i meriton të rinjtë e këtij vendi" ka shkruar Xhixho në rrjete sociale