Një kullë shumëkatëshe deri në 255 metra lartësi, me një restorant panoramik dhe një pishinë me pamje mbi qytetin, do t’i shtohen Pallatit të Kongreseve. Transformimi I godinës së ndërtuar në vitet ’80, si një ndër veprat modern të kohës, iu besua projektit të studios zvicerane “Herzog & de Meuron Basel Ltd”.
***
Projekti i zviceranes “Herzog & de Meuron Basel Ltd”, u përzgjodh mes pesë propozimeve të paraqitura nga studio prestigjioze ndërkombëtare të arkitekturës, në konkursin për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve.
Juria ndërkombëtare e vlerësoi në mënyrë unanime projektin fitues si një kryevepër që nderon Pallatin e Kongreseve, duke krijuar një dialog mes trashëgimisë dhe inovacionit, si edhe duke afruar më shumë jetën publike të qytetit me këtë monument të rëndësishëm.
Kryetarja e jurisë, Mari Randsborg, tha se projekti i përzgjedhur ka potencialin të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Tiranës dhe të krijojë vlerë për brezat e ardhshëm.
Projekti fitues parashikon transformimin e kompleksit përmes ndërhyrjeve minimale në godinën ekzistuese dhe ndërtimin e një kulle shumëkatëshe deri në 255 metra lartësi. Koncepti synon krijimin e një ndërtese që tërheq vizitorë dhe turistë, duke përdorur gur shqiptar për të ruajtur identitetin lokal. Në pjesën e sipërme parashikohet një restorant panoramik dhe një pishinë me pamje mbi qytetin.
“Juria i bën thirrje ekipit që të marrë në konsideratë lartësië e kullës, vendndodhjen e saj me gjithçka rreth e rrotull, si dhe hapësirën lart, që dukej pak informale dhe e vogël. Shpresojmë si ekisp do të bashkëpunoni me qytetin në mënyrë si të përmirësihen dhe zgjerohen hapësirat publike",- tha Randsborg.
Në vendin e dytë të konkursit u rendit studio holandeze “MVRDV”, e cila propozoi kthimin e kompleksit në një qendër të re konferencash me shtimin e një kupole moderne për përmirësimin e akustikës dhe krijimin e hapësirave panoramike. Ndërsa vendi i tretë iu dha studios amerikane “Studio Gang”, që paraqiti një vizion më të guximshëm me dy kulla të reja dhe një shesh publik të zgjeruar.
Në garë morën pjesë edhe “ARCHI-TECTONICS”, me konceptin e një kopshti urban të gjelbër që lidh Bulevardin me Sheshin Italia, si dhe “Perrault Architecture”, e cila zgjodhi një qasje më konservuese, me ndërhyrje minimale në ndërtesën ekzistuese dhe një kullë të veçuar nga Pallati.
Pavarësisht dallimeve mes projekteve, të gjitha propozimet ndanin të njëjtin parim: ruajtjen e Pallatit të Kongreseve dhe transformimin e tij në një qendër moderne kulturore dhe urbane. Me përzgjedhjen e projektit fitues, nis tashmë faza e dytë e procedurës, që pritet t’i hapë rrugë një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme urbane në Tiranë gjatë viteve të ardhshme.
Komente











teper e rrezikshme per nje vend me aktivitet sizmik
Përgjigju