TIRANE - Nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj, e ka konsideruar si qesharak komisionin hetimor të ngritur ditën e djeshme për kreun e opozitës, Edi Rama. “Ky një zhvillim qesharak dhe i denjë për atë grup të pseudomazhorancës, e cila nuk është një mazhorancë reale.

Ky është një model shqiptar. Historia ka treguar që shumë komisione janë ngritur por nuk ka pasur një produkt final dhe janë shtyrë pafundësisht nga parlamenti pa asnjë lloj sensi politik dhe juridik, nuk kanë dhënë rezultat”, tha Biberaj për News 24.

Biberaj ndërkohë ka konfirmuar se FRD ka pasur oferta për koalicion si nga PD, ashtu edhe nga PS, por i ka refuzuar ato. “Po, kemi pasur oferta, të dyja i kemi refuzuar. I kemi refuzuar, pasi me PS na ndan ideologjia dhe programi, nuk mund të kalonim majtas.

Ne vijmë nga e djathta tradicionale. Ndërsa rrugët tona me PD janë ndarë për arsye parimore. Ne jemi forcë e qendrës së djathtë, refuzuam aleancën me PD dhe PS, ne jemi në të drejtën tonë dhe kemi përkrahje të jashtëzakonshme.

Jam i bindur që asnjë nga koalicionet nuk do ketë 71 vota, ne na nxjerrin zgjedhjet me një grup parlamentar”, tha ai. Duke u ndalur tek zgjedhjet, Biberaj u shpreh i bindur se FRD do jetë forca e tretë politike, bazuar kjo në sondazhe, sic përmendi numri dy i kësaj partie.

“Sondazhet na nxjerrin forcë të tretë politike në vend. Nuk jemi përqendruar tek shifrat, kontratën e kemi me qytetarët shqiptarë”, tha ai. Nënkryetari i kësaj force tha më tej se, “Ne do kemi listë dinjitoze kandidatësh, që të maksimizojmë votën, do kemi listë me 140 kandidatë.

Përpjekja jonë që të kemi një numër sa më të madh votash. Qytetarëve ju themi nëse doni të vazhdoni me tranzicion, me korrupsion e varfëri, me probleme në shëndetësi, arsim e drejtësi vazhdoni me forcat e vjetra, nëse doni dicka tjetër keni FRD.

Di të them që të djathtët po vijnë cdo ditë me FRD”, tha ai. Biberaj u shpreh se ai bashkë me kreun e FRD Bamir Topin do kandidojnë si deputetë në qarkun e Tiranës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)