Partia Përparimtare serbe e Vuçiç shpall fitore gati në të gjitha qytetet, opozita akuzon për parregullsi

Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Serbi duket se është drejt fitores në zgjedhjet e përsëritura në Beograd, si dhe në zgjedhjet lokale të 2 qershorit në qytete të tjera. Zgjedhjet në Beograd u përsëritën sepse s’kishte fitues të qartë në ato të dhjetorit.

Por opozita është ankuar për parregullsi në zgjedhjet lokale të 2 qershorit në Serbi, duke bërë që mjedisi politik të vazhdojë të jetë i tensionuar në vend.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha mbrëmë se lista zgjedhore e mbledhur rreth Partisë Përparimtare serbe ka fituar 52 për qind të votave në Beograd, si dhe  ka fituar në 15 nga 17 komunat e Beogradit.

Në një konferencë për shtyp mbrëmë nga selia e SNS-së, Vuçiç tha se fitoret në Novi Sad dhe Nish ishin tepër bindëse.

Duke shpallur fitoren, Vuçiç tha se partia e tij do të ketë shumicën në kuvendin e Beogradit prej 110 vendesh.

Bazuar në 51 për qind të votave të numëruara në Beograd, organizata joqeveritare në Serbi, CeSid parashikoi se SNS-ja, e cila mbështetet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, është duke udhëhequr me 53 për qind, ndërsa partia e qendrës së djathtë, Lëvizja për Ndryshim e Savo Manojlloviqit, është e dyta me 17.2 për qind.

“Kjo është... një fitore e jashtëzakonshme”, tha Vuçiç në një konferencë për media, duke shtuar se partia e tij do ta ketë shumicën në Asamblenë e Qytetit të Beogradit, e cila ka 110 ulëse, si dhe në Novi Sad.

Megjithatë, Manojlloviç tha se koalicioni i tij nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve.

“Këto janë zgjedhjet më të parregullta ndonjëherë”, tha ai mbrëmjen e 2 qershorit

Dalja në zgjedhje ishte më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Beograd, pasi disa parti opozitare vendosën të mos marrin pjesë, duke pretenduar se nuk kishte kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Koalicionet opozitare Serbia kundër Dhunës dhe Shpresa e akuzuan koalicionin e udhëhequr nga SNS-ja për vjedhje votash në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ku u gjetën parregullsi të shumta nga misionet vëzhguese vendore dhe ndërkombëtare.

Autoritetet serbe vazhdimisht e kanë mohuar se ka pasur ndonjë parregullsi serioze në zgjedhje.

Vëzhguesit dhe partitë opozitare në zgjedhjet e 2 qershorit raportuan përsëri për parregullsi gjatë ditës.

Misioni joqeveritar vëzhgues CRTA tha se i ka bërë shtatë ankesa penale për dyshimet se ka pasur parregullsi në qendrat e votimit, duke thënë se anëtarët e saj kanë incizuar incidente të transportimit të organizuar të votuesve në qendrat e votimit dhe se ka pasur këmbim të votës për para.

Anëtarët e opozitës raportuan se qendrat e thirrjeve u përdorën nga SNS-ja për t’i blerë votuesit dhe se ato përmbajnë lista alternative.

Ana Bërnabiç, ish-kryeministre nga SNS-ja dhe tani kryetare e Kuvendit, i mohoi akuzat.

“Ne e kemi një qendër të thirrjeve. Ne kemi anëtarë, të cilët, në ditën e zgjedhjeve, i ftojnë anëtarët dhe simpatizantët e tjerë, anëtarët e familjeve, fqinjët dhe miqtë për të dalë për të votuar”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Policia në Novi Sad tha se disa oficerë policorë u sulmuan, edhe pse shtoi se “nuk ka pasur incidente serioze”.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe u mbyllën në orën 20:00.

Zgjedhjet lokale u mbajtën edhe në Luginën e Preshevës, ku partitë shqiptare garuan me gjashtë lista zgjedhore, ndërsa në Bujanoc me katër.

Përsëritja e zgjedhjeve në Beograd u mbajt njëkohësisht me zgjedhjet lokale në qytetet dhe komunat e tjera, pas kërkesës së opozitës, edhe pse një pjesë e saj tha se do t’i bojkotonte zgjedhjet lokale.

Asnjë palë nuk arriti ta formojë shumicën për Asamblenë e Qytetit në Beograd pas zgjedhjeve që u mbajtën në dhjetor, të cilat u kritikuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë, sipas të cilëve kishte “parregullsi” në zgjedhjet lokale dhe nacionale.

Ato shqetësime u bënë jehonë akuzave nga opozita se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiq, SNS, dhe aleatët e saj, kishin transportuan me autobusë votues posaçërisht në Beograd nga vende të tjera.

Një ndryshim në ligjin për zgjedhje në Serbi mundësoi që rivotimi në Beograd të mbahej njëkohësisht me zgjedhjet lokale në 88 qytete dhe komuna të tjera të vendit.

Megjithatë, disa grupe opozitare paralajmëruan bojkotimin e votimit prapëseprapë, për shkak se, sipas tyre, nuk ishin përmirësuar kushtet.

Një grup punues i përbërë nga përfaqësues të pushtetit dhe opozitës u formua në fund të prillit për t’i adresuar disa prej rekomandimeve të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), për përmirësimin e procesit të votimit.

Vëzhguesit e ODIHR i vëzhguan zgjedhjet lokale të 2 qershorit në Serbi.

Opozita e Bashkuara proevropiane bëri fushatë të madhe para zgjedhjeve në Beograd në dhjetor, me mesazhin marrja e kryeqytetit do të ishte hapi i parë drejt rrëzimit të Vuçiqit dhe aleatëve të tij, të cilët janë në pushtet prej vitit 2012.

Vuçiçi ka lidhur marrëdhënie diplomatike dhe tregtare me Rusinë dhe Kinën, si dhe i ka shpërfillur thirrjet e Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska më 2022.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:39
Zgjedhjet në Serbi/ Ardita Sinani shpall fitoren në Preshevë: Do të qeverisim me këmbë në tokë

Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratike shpalli fitoren mbrëmjen e djeshme në Preshevë për zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën e 2 qershorit.

Nga rezultatet preliminare të publikuara, PVD ka marrë 4078 vota.

Në një fjalim para mbështetësve Sinani u premtoi votueseve se do të udhëheq me përgjegjësi e këmbë në tokë me komunën e Preshevës.

“Me mençuri politike kemi dëshmu se dimë me udhëheq të gjitha proceset për 30 vite, ky proces ishte shumë i rëndësishëm. Dhe me maturi e me këmbë në tokë duhet ta qeverisim për katër vitet e ardhme, andaj me këtë fitore bindëse më keni ngarkuar me një përgjegjësi për të udhëheq me komunën e Preshevës. Urime me fat”, u shpreh Sinani, në videon e publikuar nga Tëvë1 në Kosovë. 

Ajo u përcolli të fala votuesëve nga kreyministri i Kosovës, Albin Kurti. Kjo u shoqërua më pas me duartrokitje dhe thirrje të emrit të tij. 

Rezultatet preliminare në zgjedhjet lokale në Preshevë:
Partia për Veprim Demokratik – 4078 vota – 11 këshilltarë
Partia Demokratike Shqiptare – 3093 vota – 8 këshilltarë
Alternativa për Ndryshim – 2856 vota – 8 këshilltarë
Lëvizja për reforma – 2140 vota – 6 këshilltarë
Aleanca për Luginën – 1154 vota – 3 këshilltarë
Unioni Demokratik Shqiptar – 566 vota – 1 këshilltar
Lista serbe – 641 vota – 1 këshilltar

Ndërsa Fronti për Ndryshim shpall fitoren e zgjedhjeve në Bujanoc.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë