Partitë nisin Reformën Zgjedhore,
caktohen ekspertët/Debatet e plota

Partitë nisin Reformën Zgjedhore,<br />caktohen ekspertët/Debatet e plota<br>
Edhe pse situata prej përmbytjeve në Shqipëri është kaotike, puna për reformën zgjedhore ka nisur ditën e djeshme në komisionin e përkohshëm parlamentar, ku është caktuar numri i ekspertëve. Grupi i punës do të përbëhet nga 8 ekspertë, të cilët do të hartojnë një kalendar të aktiviteteve bazuar në çështjet problematike të evidentuar në mbledhjen e komisionit. Struktura e grupit të ekspertëve nuk ka pasur dakordësinë e të gjithë anëtarëve të komisionit, madje ka krijuar përplasje mes deputetëve të së njëjtës forcë politike.

Deputetët socialistë ishin kundër caktimit të 8 ekspertëve, numri maksimal i propozuar prej tyre ishte 6. Por dy bashkëkryetarët e komisionit të Reformës Zgjedhore, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi dhe deputeti socialist Bled Çuçi kanë qenë në një linjë dhe kanë mbështetur propozimet e njëri-tjetrit.

Diskutimi në Komisionin e Reformës Zgjedhore

-Oerd Bylykbashi: Ne sot kemi përcaktuar atë që është e domosdoshme për fillimin e punës në këtë Komision. Çështja e parë është ngritja e grupit të ekspertëve dhe më pas të ngarkojmë me punë grupin e ekspertëve për të hartuar një kalendar të aktiviteteve mbi bazën e asaj që do të diskutojmë ne këtu. Rekomandimet e OSBE/ODHIR-it të cilat janë të patrajtuara fare. Në këtë këndvështrim, PD konsideron si elementë thelbësorë që duhet të ketë reforma zgjedhore është dekriminalizimi i procesit zgjedhor. Kjo sigurisht kërkon ndërhyrje në Kod Zgjedhor. Një tjetër çështje është forcimi i politikës penale, problemi i korrupsionit zgjedhor të komisionerëve, numërimi i votave, roli i policisë ne zgjedhje, financimi i partive politike, transparenca e tyre... Gjykoj që këto çështje që listoj, ky komision t’u gjejë zgjedhje.

-Bashkim Fino: Tani mua më duket pak e panevojshme, e tejkaluar, e ezauruar do thosha, e cila ju e dini fare mirë që është bërë një debat i gjatë në Kuvend më 13 tetor, ditën kur u miratua ngritja e këtij komisioni. Dhe atje të gjitha forcat politike, trajtuat problemet politike të partive tuaja, problematikat e evidentuara nga OSBE/ODHIR dhe mua më duket e tepërt të ridëgjoj përsëri po të njëjtat gjëra që z. Bylykbashi i përmblodhi le të themi, të gjitha ato diskutime që u bënë më 13 nëntor. Ndërkohë që ne duhet të ngremë sa më shpejt grupin e ekspertëve, t’u japim detyra ekspertëve për të filluar të gjitha çështjet që tashmë dihen. Më falni, por e quaj kohën shumë flori...

-Bled Çuçi: Z. Bylykbashi, nuk bëri asgjë tjetër veçse parashtroi si pika, gati shteruese, për çështje që ky komision duhet të merret. Dhe duke marrë shkas nga fjala juaj në lidhje me debatin politik në seancë plenare, do t’ju lutesha kolegëve të mos merren fare më me çështje politike, por në qoftë se do kenë çështje të tjera jashtë atyre nga ato të Bylykbashit t’i diskutojmë këtu, në mënyrë që të furnizojmë pastaj edhe ekspertët për të bërë një kalendar sa më të plotë.

-Bashkim Fino: Kur të vinë ekspertët dhe t’ua themi jam dakord t’i dëgjojmë këto, por tani ja themi prapë njëri tjetrit..

-Bled Çuçi: Z. Fino të lutem...

-Bashkim Fino: Të lutem, por mos më ktheni përgjigje për Bylykbashin, apo tani jeni bashkëkryetar..

-Bled Çuçi: Ne po mundohemi të hedhim mbi tavolinë të gjithë çështjet që do të diskutohen në komision. Dhe pikërisht nisur nga ajo që thatë ju, unë do ju bëja thirrje kolegëve që të mos merremi me çështje politike. Besoj se z. Bylykbashi numëroi një numër të konsiderueshëm çështjesh, pavarësisht se ka edhe çështje të tjera.. Unë do të shtoja dhe depolitizimin e klimës në komisione. Dhe këtë frymë, çdokush që ka gjëra për të plotësuar axhendën sot është dita që mund ta themi.

-Bashkim Fino: Unë dua një përgjigje nga bashkëkryetari, bëra një çështje procedurale dhe duhet të më mirëkuptojnë kolegët, nëse nuk më mirëkuptojnë vazhdoni flisni, por duhet ta di edhe nga ju. Më falni Bylykbashi, se s’po merrem me kryetarin tim, do vazhdojmë të njëjtin debat? Duhet të kishim tani ekspertët, dhe u thoshim merrni këto detyra, se ky është komision pune.

-Oerd Bylykbashi: Kjo është procedurë rutinë, ne nuk po bëjmë diskutim politik thjesht po listojmë çështje. Kemi këshilltarët e komisionit të cilët mbajnë shënim problematikat, që sapo grupi i ekspertëve të ngrihet ata të fillojnë me zhvillimin e planit të punës. Pra, detyra që ne duhet t’i caktojmë këtij komisioni është që brenda një harku kohor jo të gjatë, maksimumi një javë-10 ditë, nga momenti që ekspertët të jenë të konstituar të na sjellin një plan pune. Unë nuk dua të zgjatem më tej...

-Bashkim Fino: Mirë, mirë... 

-Oerd Bylykbashi: (Qesh) Në parim...

-Bashkim Fino: Mos u zgjat pra!

-Oerd Bylykbashi: Ne duhet të biem dakord sot që grupi i ekspertëve të na sjellë kalendarin e aktiviteteve për të paktën 3 çështje madhore.. prandaj nëse ka ndonjë koleg çështje për shtuar, që të mos e mbyllim ne bashkëkryetarët.

-Bled Çuçi: Besoj se jemi në të njëjtën linjë.

-Ermonela Felaj: Unë së pari do doja të thoja që në këtë komision të ruajmë një komunikim sa më etik, duke mos ripërsëritur rastet e mëparshme ku komisionet e kanë mbyllur aktivitetet e tyre pa asnjë produkt konkret. Unë do propozoja të kishim një tablo të qartë nga ekspertët, për ligjin e dekriminalizimit dhe të adresave. Besoj se ju e thatë, por ndoshta unë aty e kam shqetësimin, ju përmendët çështjen e financimit të partive, realisht janë të rëndësishme, por besoj se duhet ta bashkëngjitim ndoshta si një zë të veçantë çështjet e lobimit të partive. Ne vetë duhet të ftillohemi e të thellohemi më shumë në këtë çështje.

-Dashamir Shehi: Shiko, i shoh këto pesë pika përpara, unë gjykoj që ne duhet nga ana praktike t’i zgjidhim këto. Për sistemin jemi mbledhur, do mbajmë këtë sistem apo do e ndërrojmë sistemin? Se kjo është komisioni, për këtë jemi mbledhur. Unë kam ardhur me shpresën që do ndërrojmë sistemin, kjo është çështja politike e madhe. Do rrimë me sistem proporcional rajonal apo do ta bëjmë proporcional kombëtar, apo maxhoritar. Çfarë është numërimi elektronik? Është çështje teknike. Për këtë çështje do biem dakord? Iku kjo, këtë çështje e mbyllim që sot madje.. se zonja e tha shumë mirë, nuk do vazhdojmë gjërat që ka lënë komisioni tjetër. Ajo na shërben si eksperiencë, ne do ta fillojmë të ri, se do e fillojmë nga sistemi... Prandaj do biem dakord sot si dita e parë, unë do të thoja edhe për lezet, të entuziazmit popullor fillojmë vendosim, zgjedhjet e reja populli shqiptar do të votojë elektronikisht, iku kjo. Hajde pastaj flasim për çështjet e tjera. Sistemi është kryesori fare, është kryefjala. Nga sistemet derivojmë, pjesa politike. Ne te pjesa teknike kemi ardhur nga fatkeqësia jonë se vjedhim votat e njëri-tjetrit.

-Vangjel Dule: Unë, nuk mund ta konceptoj se nga momenti që është konsideruar emergjencë, kemi 27 vite që nuk arrijmë të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të mos e konsiderojmë këtë reformë një çështje emergjence. Dhe çështjet e emergjencës nuk mund të nisin, më 11 nëntor është konstituimi i komisionit, pas 20 ditësh thirret mbledhja e dytë dhe ku di unë me çfarë ritmi keni ndërmend të ecni. Unë do të isha i mendimit të realizoni mbledhje një herë në javë.

-Bled Çuçi: Unë mendoj të biem dakord për numrin e ekspertëve, për strukturën dhe pastaj prezantimin zyrtar për gjithsecilin nga anëtarët e komisionit. Tani nuk e di sa do të jetë numri, 3 me 3, 4 me 4...

-Gent Strazimiri: Ekspertët normalisht si funksionojnë? Me votë? S’ka nevojë, pse duhet të jetë se s’bën 4 me 4, sa të ketë mundësi, sa të kenë dëshirë.. përderisa nuk vendosin gjë me votë.

(Ndërhyjnë pa mikrofon)Nuk ngelet për aq kosto, gjëja.

-Alket Hyseni: Tani duhet të jemi pak të përgjegjshëm, patjetër që ekspertët janë të domosdoshëm, por ne këtu nuk mund të abuzojmë le të themi meqë janë pa votë, ta hapim thesin tani se paguan taksapaguesi shqiptar. Ne duhet të marrim aq ekspertë sa janë të domosdoshëm, unë mendoj se 6 ekspert janë të mjaftueshëm.

-Gent Strazimiri: Këtu është një grup partish politike, unë do isha dakord 1 ekspert këtej, 1 andej është në rregull. Me qenë se këtu (PD-LSI-PR) janë disa parti politike, që mund të donin të dy bashkë 1 ekspert, ndërkohë këtej(PS) është komplet një parti politike, për shkak se këta kërkojnë 3, nuk është domosdoshmëri të bëjmë 3 dhe andej. I kursejmë taksapaguesve shqiptarë dy rroga ekspertësh.

-Nasip Naço: Unë besoj që tetë ekspertë, 4 nga mazhoranca 4 nga opozita, janë mjaftueshëm që të përfaqësohet edhe LSI, edhe PD apo partitë e tjera që janë sot në opozitë. Se si e bëtë marrëveshjen ne e pamë, dhe prandaj kemi ardhur këtu që ta përmirësojmë këtë sistem.. dikujt i duken shumë,unë besoj se ju jeni bërë superfuqi ekonomike, do rrisni të ardhurat, pensionet, nuk e keni problem për katër ekspertë t’i paguani.

-Bashkim Fino: Kurseje me mua ironinë, bëje me atë që ke afër (ulur pranë Fatmir Mediut).

-Bled Çuçi: Për ta përmbyllur, duke qenë se çështjet janë shumë edhe numri i ekspertëve mund të hyjë në punë. Unë propozoj të ketë 4 plus 4 ekspertë.  Jemi dakord atëherë?
(Bashkim Fino dhe Alket Hyseni ngrenë duart kundër)

-Bashkim Fino: Unë jam kundër... janë dy veta kundër.

-Fatmir Mediu: Edhe kujt ju bë vonë se je kundër?
-Bashkim Fino: Puna juaj, unë dhashë argumenta pse jam kundër, do ketë probleme mes tyre se janë shumë. Ju bëra një propozim në bazë të eksperiencës së mëparshme.

-Oerd Bylykbashi: Z. Fino nga eksperienca ime, kur kam qenë bashkëkryetar i grupit të OSBE-së kemi punuar edhe 8 ose 9. Kështu që gjykoj që e ezauruam axhendën për sot. 

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki