Dhjetë vjet më parë, në përkujtimin e 70-vjetorit të FK Partizani, presidenti i klubit Gaz Demi bëri një premtim që atëherë tingëlloi më shumë si një sfidë sesa si një slogan festiv: ta shpallte Partizanin kampion dhe t’i jepte klubit një shtëpi të tijën. Ishte një deklaratë e thjeshtë në formë, por e rëndë në peshë, sepse në atë kohë Partizani nuk kishte as stabilitet sportiv dhe as infrastrukturë, duke u stërvitur në kushte të përkohshme e pa bazë të vetën. Sot, një dekadë më pas, ky premtim lexohet si pikënisja e një transformimi të thellë që e ktheu Partizanin nga një klub me histori, por pa asete, në një klub kampion me identitet, pronë dhe perspektivë të qartë për të ardhmen.
Në atë kohë, Partizani kishte vetëm historinë me vete, dhe asgjë tjetër. Një emër i madh, një fanellë e rëndë nga kujtesa kolektive, trofe që jetonin në arkiva dhe në rrëfimet e brezave, por pa infrastrukturë, pa stabilitet dhe pa një shtëpi ku kjo histori të merrte formë konkrete. Ishte një klub që mbështetej te lavdia e së shkuarës për të mbijetuar në të tashmen, duke jetuar më shumë nga kujtimi i asaj që kishte qenë sesa nga garancia e asaj që mund të bëhej.
Ne të gjithë e dinim historinë e Partizanit dhe një pjesë e madhe e jona kishte bërë tifo për të. Ai lindi si një klub që nuk do të mbetej kurrë thjesht një skuadër futbolli. FK Partizani u themelua më 4 shkurt 1946, si produkt i një kohe të ngarkuar politikisht dhe historikisht, por shumë shpejt ai e tejkaloi origjinën e vet institucionale. Në fushë, Partizani nuk luajti kurrë për të përfaqësuar një strukturë; luajti për të fituar. Që nga ndeshja e parë miqësore kundër Vllaznisë, nën shi e baltë, e deri te fitoret e para bindëse, u kuptua se fanella e kuqe nuk do të ishte zbukurim, por shenjë force.
Kur Partizani hyri për herë të parë në kampionatin kombëtar në vitin 1947, ai nuk kërkoi kohë përshtatjeje. Me fitore, gola dhe autoritet, u shpall kampion që në debutim dhe e përsëriti këtë sukses edhe në dy sezonet pasuese. Tre tituj radhazi në start të historisë nuk ishin rastësi, por shenjë e një klubi që po ndërtonte mitin e vet. Finalja e fituar 6–2 kundër Flamurtarit u bë një nga ato ndeshje që kalojnë nga rezultati në legjendë. Partizani po vendoste standardin e ri të futbollit shqiptar.
Në dekadat që pasuan, klubi u shndërrua në një nga kolonat kryesore të kampionatit. Titujt u shtuan, Kupat u grumbulluan, rivalitetet u bënë pjesë e identitetit të futbollit shqiptar. 17 kampionate te fituara, 15 kupa te Shqiperise dhe I vetmi klub shqiptar kampion ballkanik. Partizani u bë emër që ose e doje, ose e kundërshtoje fort, por kurrë nuk e injoroje. Ai ishte skuadra që prodhonte lojtarë, që ushqente Kombëtaren, që për dekada të tëra ishte baza kryesore e fanellës kuqezi. Qindra futbollistë të Partizanit veshën Kombëtaren dhe shumë prej tyre u bënë ambasadorë të futbollit shqiptar jashtë vendit.
Kulmi simbolik i kësaj historie erdhi në vitin 1970, kur Partizani fitoi Kupën e Ballkanit kundër Beroe Stara Zagora. Edhe sot, pas më shumë se gjysmë shekulli, kjo mbetet e vetmja kupë ndërkombëtare e fituar nga një klub shqiptar. Në një kohë izolimi dhe kufizimesh, Partizani arriti të dalë përtej kufijve dhe të kthehet me trofe. Ishte momenti kur klubi nuk ishte më vetëm kampion kombëtar, por përfaqësues i Shqipërisë në arenën rajonale.
Por historia e Partizanit, si vetë historia e vendit, nuk ka qenë lineare. Pas vitit 1990, me rënien e sistemit komunist, klubi hyri në një periudhë të gjatë tranzicioni dhe pasigurie. Strukturat u shpërbënë, financat u dobësuan, organizimi u fragmentua. Partizani, për herë të parë në historinë e vet, njohu rënien nga elita dhe mbijetoi falë emrit dhe tifozërisë, jo falë kushteve. Titulli i vitit 1993 dhe disa fitore në Kupë ishin më shumë kujtime të lavdisë së shkuar sesa shenja stabiliteti. Skuadra stërvitej ku të gjente vend: në kodrat e Liqenit Artificial, në ambiente me qira, pa fusha të veta, pa shtëpi, pa bazë.
Kjo ishte gjendja e Partizanit kur në vitin 2013 drejtimin e klubit e mori Gaz Demi. Jo një klub i gatshëm, jo një klub me asete, por një emblemë dhe një histori e rëndë mbi supe. Ai nuk mori stadium, nuk mori fusha, nuk mori akademi. Mori vetëm emrin Partizani. Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën kapitullin e tij vendimtar për historinë moderne të klubit.
Në një realitet ku shpesh presidentët e klubeve kërkojnë rezultate të shpejta pa ndërtuar bazë, qasja e Gaz Demit ishte ndryshe. Fillimisht, krijoi një skuadër konkuruese, për t’i rikthyer Partizanit dinjitetin sportiv. Vetëm më pas, gradualisht, nisi ndërtimi i aseteve. Ishte një proces i ngadaltë, i kushtueshëm dhe pa shumë zhurmë, por me vizion afatgjatë. Partizani u kthye në pretendues serioz, ndërkohë që jashtë syrit të publikut po ndërtohej infrastruktura që klubi nuk e kishte pasur kurrë. Titulli i vitit 2019 i dha fund një pritjeje 26-vjeçare dhe riktheu Partizanin në majë. Titulli i vitit 2023 e konfirmoi se ky nuk ishte rastësi, por rikthim i qëndrueshëm. Paralelisht, premtimi për “shtëpinë” u materializua në mënyrën më konkrete të mundshme.
Sot, Partizani është i vetmi klub futbolli në Shqipëri që zotëron 100 për qind privatisht stadiumin e vet. Stadiumi aktual, me rreth 5 mijë vende, është i certifikuar nga UEFA dhe vitin e ardhshëm do të presë ndeshje të Kampionatit Evropian U-21. Krahas stadiumit, klubi ka hotelin e vet, gjithashtu 100 për qind privat, dhe së fundmi ka siguruar edhe fushat e veta stërvitore. Nga një klub që dikur stërvitej ku të gjente hapësirë, Partizani sot është një kompleks i plotë sportiv.
Në qendër të këtij projekti qëndron Akademia e Partizanit. Rreth 200 fëmijë stërviten çdo ditë në strukturat e klubit, në një akademi që është e vetmja akademi funksionale në Shqipëri. Klubi ka sot 11 skuadra aktive, duke përfshirë ekipin A të meshkujve, ekipin A të femrave dhe të gjitha grupmoshat. Vendimi i fundit për marrjen e fushave i jep fund improvizimit shumëvjeçar dhe krijon kushte të dedikuara stërvitjeje për Akademinë. Ky nuk është thjesht investim sportiv, por investim shoqëror, një projekt për brezat e rinj.
Rezultatet e këtij vizioni duken qartë. Akademia e Partizanit është sot furnizuesja kryesore e ekipeve kombëtare të moshave. Asnjë klub tjetër shqiptar nuk ka kaq shumë lojtarë të thirrur njëkohësisht në përfaqësueset U-15, U-17, U-19 dhe U-21. Madje, Partizani është i vetmi klub shqiptar që aktualisht ka tre lojtarë aktivë në Serie A italiane, një tregues i drejtpërdrejtë i cilësisë së prodhuar dhe i seriozitetit të projektit.
E sotmja e Partizanit nuk është më e ndërtuar mbi nostalgji. Është e ndërtuar mbi infrastrukturë, akademi, organizim dhe stabilitet financiar. Është një klub që nuk mbijeton falë historisë, por e përdor historinë si bazë për të ndërtuar të ardhmen. Roli i presidentit Gaz Demi në këtë transformim është qendror: nga marrja e një embleme pa asete, te ndërtimi i një klubi modern me stadium, hotel, fusha dhe akademi, i gjitha si investim 100 për qind privat.
Në 80-vjetorin e tij, Partizani është më shumë se një përvjetor për t’u festuar. Është një histori që tregon se si një klub mund të bjerë, të mbijetojë dhe të ringrihet jo me fjalë, por me vizion dhe punë. Fanella e kuqe sot nuk është kujtim i së shkuarës, por shenjë e një klubi që ka gjetur shtëpinë e vet dhe po ndërton të ardhmen me themele të forta. Dhe ndoshta kjo është fitorja më e madhe e Partizanit në këto 80 vjet.
Komente






