Gjatë ditës së djeshme, ashtu sikur ishte planifikuar është prezantuar Agustin Torassa. Argjentinasi ka mbyllur marrëveshjen me drejtuesit e klubit duke firmosur kontratën deri në përfundim të këtij sezoni, me opsion rinovimi edhe për sezonin tjetër nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve dhe palët mbeten të kënaqur.
Prezantimi i sulmuesit është bërë në prani të Drejtorit Dervishi. Argjentinasi do të mbajë veshur fanellën me numër 27, aq sa janë edhe vitet e jetës së tij. Agustin Torassa është formuar si futbollist në akademinë e All Boys, ku ka shënuan 10 gola në 126 ndeshje në kampionat nga viti 2007, ndërsa është huazuar te Chacharita dhe El Tigre.
Sulmuesi është huazuar për 6 muaj te Salsburgu në Austri, ndërsa para mbërritjes te Partizani ka qenë pjesë e Atletiko Huracan në “Primera Divizion” në kampionatin spanjoll të futbollit, ku ka zhvilluar 14 ndeshje duke shënuar 3 gola.
Pas prezantimit, sulmuesi i është bashkuar grupit në stërvitjen e drejtuar nga trajneri italian, Agostineli. Agustin Torassa ka zhvilluar stërvitjen e parë me Partizanin të diferencuar nga grupi për shkak se kishte lodhje nga udhëtimi i gjatë që ka bërë dy ditët e fundit.
Pas fitoreve me rezultat të ngushtë pjesën e parë të edicionit dhe nisjes së keqe të fazës së dytë në përballjen me Laçin në Kupën e Shqipërisë, pritshmëritë për argjentinasin janë shumë të mëdha në kampin e kuq.
Tashmë përveç Sukajt dhe Racic, tekniku italian ka në dispozicion edhe alternativën më të re për të sfiduar kundërshtarët. Pas mbërritjes së argjentinasit, klubi i Partizanit ka njoftuar se Alsid Tafili nuk do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës së kuqe në pjesën e mbetur të kampionatit.
Mesfushori 28 vjeçar, i cili u bashkua me 15-të herë kampionët e vendit në fillim të këtij sezoni, ka vendosur të ndërpresë me konsensus bashkëpunimin me Partizanin
Mario Morina është blerja e fundit e Kukësit. Presidenti Gjici i plotësoi dëshirën dytësore teknikut Duro për një sulmues, teksa pas refuzimit të Partizanit për të lëshuar serbin Racic, Kukësit nuk i mbeti mundësi tjetër më e mirë në tregun shqiptar se Morina.
Sulmuesi është prezantuar në Kukës duke u bashkuar me grupin për të qenë gati për ndeshjen e parë në kampionat në fundjavë. Morina pas largimit nga Flamurtari ku rezultoi një aventurë e dështuar ishte lojtar i lirë duke qenë në shënjestër të disa ekipeve.
Fillimisht u lakua një rikthim te Tirana, kalim te rivalët e Partizanit, por edhe zhvendosja në Shkodër, por problemet me tifozerinë e Vllaznisë bënë që të përfundonte te Kukësi.
d.b/shqiptarja.com