Paraqitjet nën pritshmëri dhe rezultat e dobta kanë vijuar edhe këtë javë te Partizani. Skuadra kampionë e Superligës nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 kundër Bylisit, duke komplikuar situatën një javë para derbit.
Në stadiumin Selman Stërmasi, i cili sot mbeti i dëmtuar nga tërmeti, pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura. Në fraksionin e dytë të lojës skuadra e kuqe ishte disi më këmbëngulëse dhe në minutën e 73 arriti të zhbllokonte rezultatin. Një kros i Lorenc Trashit u devijua në mënyrë të gabuar nga Peposhi, ç’ka bëri që të shpërthente gëzimi i përkoshëm te vendasit.
Gjithsesi Bylisi i cili javët e fundit kishte bërë surprizën duke mposhtur fillimisht Skënderbeun dhe më pas duke barazuar me Kukësin, surprizoi edhe Partizanin. Ntepe i harruar në zonë nuk e pati të vështirë të mposhte Alban Hoxhën, duke bërë që skuadrat të ndanin nga një pikë në këtë ndeshje.
Ndërkohë sfida tjetër e orës 16:00 mes Skënderbeut dhe Teutës ka përfunduar me shifrat 1-0 në favor të korçarëve. Golin e vetëm të sfidës e realizoi sulmuesi Krasniqi në minutën e 21.