Historia e klubit që numëron 15 tituj kampionë, 15 Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë nisi pas çlirimit të Shqipërisë në Luftën II Botërore. Më janar të vitit 1946 ekipi me emrin Ushtria luajti një ndeshje miqësore kundër Vllaznisë duke barazuar 0-0.
Më 7 prill 1946 skuadra paraqitet për herë të parë me emrin Partizani dhe nis rivalitetin me Tiranën me një fitore 2-0. Partizani është i pari klub shqiptar që u shpall kampion i Ballkanit në vitin 1970, ndërsa ka realizuar një paraqitje dinjitoze edhe në Kupat e Europës ndër vite.
Partizani ka nxjerrë edhe shumë emra të mëdhenj, ndër të cilët mbetet i paharruar për të gjithë brezat Panajot Pano, që është vlerësuar si ‘Nderi i Kombit’. Por ditët e lavdishme për Partizanin do të merrnin fund me nisjen e viteve të demokracisë, pasi atëherë ka fituar edhe titullin e fundit kampion, më 1993.
Pas rënies nga Superliga pas sezonit 2008-09, Partizani arriti të ngjitet përsëri pasi në sezonin 2012-13 u rendit në vend të dytë në Kategorinë e Parë. Partizani bëri një merkato cilësore në verën e vitit 2013 duke u bërë një skuadër mbarëkombetare, me lojtarë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Ndërsa këtë edicion po lufton për titullin kampion. Partizani ka shkruar emrin në sportin shqiptar, jo vetëm në futboll, por edhe në basketboll, volejboll, qitje, atletikë, mundje, gjimnastikë, çiklizëm, not e boks.
d.b/shqiptarja.com
