TIRANË - Klubi i Futbollit Partizani festoi të mërkurën ditëlindjen e 80-të të themelimit. Ky përvjetor e gjeti klubin e kuq me një stadium modern, një hotel për ekipet, Akademi dhe miratimin e lejes për ndërtimin e dy fushave të reja që do kompletojnë Kompleksin 'Partizani' në zonën e Tufinës në Tiranë.

Të kuqtë festuan në shtëpinë e tyre këtë ditëlindje të 80-të ku nuk munguan emra të njohur të sportit, politikës dhe jetës publike në vend. Në fjalën e tij presidenti i Partizanit, Gazment Demi, vendosi theksin te puna e bërë në dhjetë vjeçarin e fundit.

"Para 10 vitesh, kur festonim 70-vjetorin në Pallatin e Kongreseve, dhashë një premtim: shumë shpejt do të kishim shtëpinë tonë. Sot, ky premtim është bërë realitet. Sot, Klubi i Partizanit ka një stadium modern, një hotel me 48 dhoma dhe një standard me 5 yje, dhe jo më kot festën për këtë përvjetor e bëmë në shtëpinë tonë.

Projekti ende nuk ka përfunduar, por me dritën jeshile të dhënë nga Qeveria Shqiptare, që ato karakatinat që patë kur hytë në kompleks të kthehen në fusha futbolli për rritjen e fëmijëve, mendoj se shumë shpejt ky kompleks do të marrë formën përfundimtare dhe do të jetë një destinacion i rëndësishëm i jetës sportive, jo vetëm për qytetin, por edhe për rajonin", tha Demi.

Në fjalën e tij, duke përfituar edhe nga prania e disa politikanëve në festë, Demi theksoi rëndësinë e 'Ligjit të Sponsorizimeve' në sport dhe një strategji mes biznesit, politikës dhe federatës për të mirën e sportit.

"Duke përfituar nga rasti që kemi edhe politikanë të pranishëm, dua të theksoj se këto shkolla futbolli nuk mund të zhvillohen duke qenë ne, si biznesmenë, të vetëm në këtë iniciativë. Shteti duhet të na krijojë kushtet që biznesi të kthejë sytë nga sporti. Ligji i Sponsorizimit ende nuk është bërë realitet. Edhe Kosova është përpara nesh. Për të ndërtuar strategji zhvillimi duhet të bëhemi bashkë: biznes – qeveri – federatë, me qëllim që ne që investojnë në sport të mos na quajnë të çmendur", tha presidenti i 'Demave të Kuq'.

I themeluar më 4 shkurt 1946, Partizani ka qenë për dekada me radhë protagonist absolut i futbollit në Shqipëri, duke ndërtuar një histori të pasur me trofe, emocione dhe pasion.

Në këto tetë dekada, klubi i kuq ka shkruar faqe të arta në historinë sportive të vendit, duke u kurorëzuar 17 herë Kampion i Shqipërisë, duke fituar 15 Kupa të Shqipërisë, 3 Superkupa, si dhe 1 Kupë Ballkanike, një sukses me peshë edhe në arenën ndërkombëtare.