Nuk i kishte shënuar asnjë gol në tri ndeshjet e këtij sezoni, por Partizani ka realizuar 3 të tillë pikërisht në ndeshjen me vendimtare ndaj Laçit, për më tepër në transfertë, duke fituar 3-0. Kardozo ka zhbllokuar shifrat në minutën e 50-të për të kuqtë dhe më pas të besuarit e Klevis Dalipit kanë mbrojtur me fanatizëm rezultatin, për të ardhur në fundin e ndeshjes, ku kanë shënuar edhe 2 gola të tjerë, me Abdurrahmanin dhe Prognin.
Një fitore bindëse për Partizanin, duke mbajtur të vetëm vendin e tretë në renditje dhe shkëputur pikërisht 3 pikë ndaj Laçit. Një sukses edhe nga ana psikologjike, ku kurbinasit do ta kenë të vështirë për të mbajtur edhe presionin e Luftëtarit nga poshtë.
Po ashtu, Kukësi ka fituar në transfertë, në Kamëz, në shifrat 0-1. Për kampionët në fuqi ka shënuar Kale në minutën e gjashtë. Kamza pak ka bërë në pjesën e parë. Në të dytën, verilindorët janë mbrojtur fort dhe kanë arritur të marrin tri pikë me shumë vlerë.
Kukësi mbetet në vendin e dytë, tashmë 6 pikë para Partizanit. Ndërsa Kamza futet në vallen e skuadrave që luftojnë për mbijetesë.
Komento