'Partizani mund ta ketë të lehtë, Bazeli e nënvlerëson!' Egbo: Tiranës nuk i falet që mos të jetë në Europë
Partizani ka gjasa të mëdha kualifikimi edhe pse luan me Bazelin. Kështu mendon ish-trajneri i Tiranës Emenuel Egbo, i cili saktëson se ekipet europiane i nënvlerësojnë skuadrat shqiptare. Ai shton se Teuta është më e favorizuar për të kaluar në turin e tretë të conference league, ndërsa e sheh shumë të vështirë për Laçin.
Ernest Koçi 19 Korrik 2021, 13:53 | Përditesimi: 19 Korrik 2021, 12:38
Emanuel Egbo, ish-trajneri që shpalli kampion Tiranën dhe që e dërgoi deri në play-off të Kupave të Europës, mendon se skuadrat shqiptare mund të bëjnë shumë mirë këtë sezon në Conference League. Edhe pse të enjten Partizani luan me një rival shumë të vështirë si Bazeli Egbo është optimist.
“Partizani që të gjithë mendojne se e ka me Bazelin mund të jetë ndeshja më e lehtë. Kjo sepse nuk është më ai Bazel që ka qenë më para. Tani kanë edhe probleme në mbrojtje, ndërsa një avantazh i Partizanit është se ekipet europiane i nënvlerojnë ekipet shqiptare.”
Sipas Egbos, vetbesimi që ka Vllaznia pas kualifikimit në turin e parë, do të bëjë diferencën në përballjen me ekipin qipriot të Ael Limasol.
“Vllaznia do ketë një armë të fortë sepse nuk është e thjeshtë të humbësh ndeshjen e parë 3-1 dhe të fitosh të kthimit 3-0. Kanë një vetbesim në nivel optimal. Mendoj se kjo do bëjë diferencën me ekipin qipriot.”
Ish-trajneri i Tiranës nga të gjithë skuadrat shqiptare sheh Teutën si më të avantazhuar për të kaluar në turin e tretë të Conference League, ndërsa më të vështirë sipas tij e ka Laçi.
“Teuta e ka më të lehtë në letër, por vetëm në letër. Ekipin e Andorës e ka mundur edhe Prishtine e Kososës, ndërsa Laçi mund ta ketë të vështirë sepse ekipet rumune janë si ekipet ballkanase. Unë mund ta quajë derbi ballkanas sepse rumunët kanë një mentalitet si shqiptarët.”
I pyetur për mungesën e Tiranës në kupat e Europës Egbo përgjigjet:
“Ekipet me traditë në botë nuk e kanë që një sezon fitojnë kampionatin dhe sezonin tjetër nuk shkojnë as në Europë.”