Partizani premton surpriza ndaj
norvegjezëve, në dyshim Nexhipi

Partizani premton surpriza ndaj<br />norvegjezëve, në dyshim Nexhipi
Sot është dita e së vërtetës për ekipet shqiptare në Europë pas disa javësh përgatitje. Kukësi, Partizani dhe Laçi do të testojnë forcën në duelet për të arritur fazën e grupeve në Europa League. Sonte në orën 19:00 Partizani luan përballë Stroemsgodset.

Norvegjezët me një histori kontroverse, që përmban brenda saj shumë dështime dhe suksese shikohen si favorit nga kuotimet e basteve për të kaluar në turin e dytë, por të kuqtë nuk do të dorëzohen lehtë, aq më tepër që janë të favorizuar se ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Tiranë pas një jave, dhe sot në Norvegji do të synojnë që të pësojnë sa më pak me qëllim që të zgjidhin gjithçka në Tiranë në fushën e tyre.

Ndërsa Stroemsgodset synon që të mbyllë gjithçka që në ndeshjen e parë. Në kampin e kuq, jo gjithçka shkon vaj, pasi mes trajnerit Starova dhe kapitenit Nexhipi nuk ka qetësi. Fantazisti kërkon formacionin e parë duke deklaruar hapur disa herë se nuk do ta pranonte kurrsesi stolin, madje ka paralajmëruar se nëse nuk ndryshon gjendja mund të largohet nga të kuqtë.

Por, edhe Starova duket i prerë në qëndrimin e tij, se në formacionin e parë do të jetë ai që e meriton, teksa lëvizjen e parë e ka bërë duke i hequr shiritin e kapitenit Nexhipit duke ia kaluar portierit Hoxha. Sonte do të jetë testi i parë, jo vetëm përballë ekipit norvegjez, por edhe vendimit të “Bobit” për të parë nëse do të lëshojë pe, apo do të thellojë më tej krisjen.

Nexhipi, përpos faktit që ka mbështetjen e padiskutueshme të tifozëve, pas në krahun e tij edhe historinë, pasi në Kupat e Europës është i vetmi lojtar pjesë e Partizanit që ka më shumë ndeshje. Dhe një fakt i tillë është mjaft i rëndësishëm, pasi eksperienca është decizive për ndeshje të tillë. Nëse Starova vendos që të mos e aktivizojë, atëherë Nexhipi thuajse do të largohet.

Dhe pikërisht nga përçarja dhe inatet brenda grupit të kuq mund të përfitojnë akoma më shumë kundërshtarët që mund të mbyllin gjithçka në ndeshjen e parë. Nga ana e tij, presidenti Demi të paktën në media, duket se ka vendosur që të qëndrojë larg përplasjes në fjalë.

Formacioni dhe skema
Skema pritet të jetë 4-2-3-1. Në portë nuk ka asnjë diskutim që do të jetë Hoxha, dyshimi i vetëm në lidhje me Albanin është nëse do të jetë apo jo kapiten sot. Në mbrojtje “Bobi” do të aktivizojë në qendër Bicajn dhe Vrapin, pasi të dy kanë luajtur bashkë dhe japin siguri. Nga krahët do t’u besohet Fejzullahut dhe Kalarit, që ardhur nga Tirana. Mesfusha pritet që të jetë e tejmbushur me 5 futbollistë me qëllim për ta mbajtur kundërshtarin sa më larg zonës. Batha dhe Trashi janë të sigurt, ndërsa dilema e vetme është nëse do të jetë Nexhipi, apo në vendin e tij do të jetë Vila, teksa nga krahët për të sulmuar do të jenë Plaku në të djathtë dhe Vila ose Fazlliu në të majtë, ndërsa i vetëm në sulm do të jetë serbi Racic.
 
Shqiptarët në Norvegji presin Partizanin
Për të ndjekur ndeshjen e parë të Partizanit në Norvegji kanë udhëtuar nga Tirana edhe një numër i vogël tifozësh, pjesë e grupimit “Ultras Guerrils”. Por për të ndjekur Partizanin në stadium pritet që të jenë edhe shqiptarë ngs Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia që jetojnë dhe punojnë në Norvegji. Tashmë fjalën e fundit e ka trajneri Starova dhe fusha, pasi gjithçka është gati. 

Starova: Nuk jemi për turizëm
në Norvegji, duam kualifikimin

Në prag të ndeshjes me ekipin norvegjez, tekniku i Partizanit Sulejman Starova është shprehur se do të japim maksimumin për të dalë me një rezultat pozitiv në ndeshjen e sotme.

“Do të jetë një sfidë e vështirë, pasi kundërshtari ka grup të fortë dhe ndeshjen e parë e luan në shtëpi ku do të japë gjithçka për të mos rrezikuar në kthim. Por ne jemi të motivuar dhe gati për të dhënë më të mirën, nuk jemi për turizëm këtu, qëllimi ynë është që të marrim një rezultat pozitiv dhe për të shmangur humbjen.

Ndërsa kualifikimi mendoj që do të vendoset në Tiranë” u shpreh ai. Partizani ka mbërritur dje në Norvegji dhe pas ditë ka zhvilluar stërvitjen e parë në fushën e stadiumit Stroemsgodset ku do të luajë sot ndeshjen e parë.

Premiot për kualifikimet
Kampionati shqiptar vitet e fundit duket se ka vetëm një vlerë, luftë për të siguruar pjesëmarrjen në Europë, pasi është një minierë ari. Nëse një ekip siguron qoftë edhe vetëm pjesëmarrjen në Europë ka hequr një pjesë të mirë të shpenzimeve për edicionin e radhës.

Kështu përfitimet vetëm për pjesëmarrjen në turin e parë eliminator shkojnë në 200 mijë Euro për cdo ekip, ndërsa në turin e dytë shuma është 210 mijë Euro, i treti 220 mijë dhe “Play – Off” 230 mijë.

Historianë Europë
Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia, Flamurtari, Skënderbeu, Kukësi, Teuta, Besa, Elbasani, Laci, Albetrol, Apolonia, Tomori dhe Bylis janë skuadrat shqiptare që kanë përfaqësuar futbollin tonë në arenën europiane. Ekipi me më shumë pjesëmarrje në Europë është Tirana, që regjistron 26 pjesëmarrje me 70 ndeshje të luajtura, tek të cilat ka arritur 15 fitore, kundrejt 43 humbjeve.

Ndërkohë, skuadra që ka kaluar më shumë ture është Kukësi,3 raunde në Europa League. Sukseset më të mëdha skuadrat shqiptare i regjistrojnë ndaj atyre malteze, që në 12 takime kanë regjistruar 7 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Por nuk duhet harruar edhe paraqitja e Flamurtarit dhe përballjet spekatakolare me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit. 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën