Partizani ia ka dalë të shesë Xhuliano Skukën për vlerën e 1 milionë eurove te Metz në ligën e dytë franceze. "Demat" gjithashtu kanë mbajtur edhe 20 përqind të kartonit të sulmuesit, duke dashur të përfitojnë nga një rishitje e dibranit.
Sulmuesi ka udhëtuar sot drejt Francës dhe pas vizitave mjekësore pritet të prezantohet si përforcimi më i ri i Metz. Pasaporta franceze e ka ndihmuar Skukën, duke u regjistruar si komunitar, sipas rregullave të UEFA.
Largimi i Skukës ka bërë që Partizani të futet në merkato, duke gjetur emrin e zëvendësuesit. Bëhet fjalë për Christian Mba, 23-vjeçarin e Trepça '89 në Kosovë. Nigeriani këtë sezon ka luajtur në 18 ndeshje, duke shënuar 10 gola dhe dhënë 5 asiste. Palët janë në negociata për çmimin e kartonit, me Partizanin që do shpenzojë jo vetëm në sulm, pasi edhe mbrojtësi Bitri është zyrtarisht i larguar për në Çeki.