2 javë nga fundi i kampionatit, Super Ligës, apo e thënë ndryshe Kategorisë Superiore të futbollit në vend, "Demat e kuq"  të Duros, edhe pse renditen në vendin e 4-t me 67 pikë, vazhdojnë të besojnë ende tek Europa.
Aktualisht skuadra e Skënderbeut mban kryesimin me 73 pikë, në tabelën ku "Ujqërit e dëborës" ndiqen nga veriorët e Kukësit të cilët pozicionohen në vendin e dytë me 69 pikë, për të vazhduar me "Bardh e blutë" e Tiranës që e gjejnë veten në vendin e tretë me 68 pikë,  e për t'u ndalur tek ata që ende besojnë, pra Partizani i cili e sheh veten në vendin e 4-t me 67 pikë, dhe që përveç 2 fitoreve radhazi, i duhet që të shpresojë edhe tek ndonjë gabim i Kukësit apo Tiranës, që të realizojë të paktën një objektiv që i ka mbetur për këtë sezon.
Megjithatë, kur mbeten edhe 180 minuta nga mbyllja e kampionatit, në një konferencë për shtyp, njëri prej futbollistëve të skuadrës Endri Vrapi është shfaqur mjaftueshëm optimist përpara mediave dhe tifozëve me deklaratën e tij.
"Mbetemi plotësisht në luftë për të siguruar pjesëmarrjen në kupat e Europës, edhe pse përballja e radhës na rezervon një takim delikat ndaj Vllaznisë, ekip i cili na ka hapur probleme gjatë këtij kampionati" është shprehur Vrapi në fjalën e tij.
"Shkodranët" vijoi Vrapi, "na kanë penalizuar nga objektivi 'titull', por nuk do mund të na ndaloinë pjesëmarrjen në Europë, dhe në këtë sfidë e cila do të ketë impenjimin maksimal, kam besim që do e kalojmë me sukses" shtoi Vrapi.
"Pjesëmarrja në Europë mund të konsiderohet sukses për Partizanin, dhe duke parë këtë kontigjent lojtarësh që ka në përbërje e meriton plotësisht", u shpreh Endri Vrapi gjatë Konferencës.
Në këto dy ndeshje të mbetura, skuadra e Partizanit luan sezonin dhe duhet të sigurojë me doemos 6 pikët të cilat do t'i mundësojnë ekipit pjesëmarrjen në Europë./atsh/