TIRANE - Dje është zhvilluar edhe ndeshja e prapambetur mes ekipit të Partizanit dhe ekipit të Elbasanit në stadiumin kombëtar 'Qemal Stafa'. Ndeshja ka nisur e vrullshme për të dy ekipet që kërkojnë golin me ngulm. Partizani ka qenë më superior gjatë tërë kohës, ndërkohë që ka pasur edhe mbështetjen e tifozëve.

Pas disa tentativave për të shënuar dhe bllokimit të mbrojtësve të ekipit verdh e blutë të Elbasanit, Partizani shënon golin e parë dhe të vetëm të ndeshjes. Një goditje këndi nga e djathta për demat e kuq, të cilën e shfrytëzon shumë mirë mbrojtësi Tafaj duke ndërhyrë me kokë goditur fuqishëm dhe dërguar sferën në rrjetën e portierit Ruci.

Goli ka qetësuar ekipin e Partizanit dhe stafin drejtues me në krye presidentin Sallaku në shkallët e stadiumit. Në minutat e mbetura të pjesës së parë ekipi i Partizanit ka pasur edhe dy raste të mira për shënim, me anë të mesfushorit Ishka dhe sulmuesit Malo, por mbrojtja elbasanase ka bllokuar gjithcka.

Pjesa e dytë ka pasur pothuajse të njëjtën ritëm nga të dy ekipet, por rezultati nuk ka ndryshuar pavarësisht tentativave të ekipit të Elbasanit për të barazuar dhe ekipit të Partizanit për të dyfishuar. Pas kësaj fitoreje, ekipi i Partizanit ka 34 pikë, duke u ngjitur në vendin e tretë pas Lushnjës dhe Mamurrasit, duke zbritur pas vetes Pogradecin me një pikë më pak.

Verdh e blutë mbeten në vendin e 11-të të Kategorisë së Parë me 19 pikë. Pas ndeshje trajneri i demave të kuq u shpreh i kënaqur me rezultatin e ndeshjes, por jo me lojën, ndërsa trajneri i Elbasanit File vazhdon të theksojë që ekipi ka nevojë për kohë që të rritet.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.02.2013

Redaksi Online
(b.m.shqiptarja.com)