Pas 1 dekade izolimi, Assad mirëpritet në samitin e vjetor të Ligës Arabe

Pas 1 dekade izolimi, Assad mirëpritet në samitin e vjetor të Ligës Arabe

Bashar al-Assad në Arabinë Saudite

Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka marrë pjesë të premten në Samitin vjetor arab, për herë të parë, prej kur është përjashtuar nga grupi, më shumë se një dekadë më parë.

Në këtë samit është duke marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky.

Duke folur në një konferencë për media, në qytetin Xhedah të Arabisë Saudite, Zelensky ka thënë se njerëzit e tij nuk e kanë zgjedhur luftën me Rusinë, dhe i ka akuzuar disa vende në botën arabe për “mbyllje të syve”.

“Ne jemi duke larguar pushtuesit nga toka jonë… ne nuk do të dorëzohemi ndaj të huajve apo pushtuesve”, ka shtuar ai.

“Edhe nëse ka njerëz këtu, në këtë samit, që kanë qasje ndryshe për luftën në tokën tonë, duke e quajtur konflikt, jam i sigurt se ne të gjithë mund të bashkohemi për të ruajtur njerëzit nga kafazet e burgjeve ruse”, u ka thënë Zelensky liderëve arabë, disa prej të cilëve kanë aleancë me Rusinë.

Në hapje të samitit, princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman e ka përsëritur se shteti i tij mbështet uljen e tensioneve në Ukrainë, dhe është i gatshëm të ndërmjetësojë gjetjen e zgjidhjes për krizën.

Zelensky ka thënë se Arabia Saudite “luan rol të rëndësishëm dhe ne jemi të gatshëm të çojmë bashkëpunimin në nivel tjetër”.

Assad, në anën tjetër, ka thënë se shpreson që kjo ngjarje do të ndihmojë në krijimin e një faze të re të solidaritetit arab.

“Ne e kemi në dorë një mundësi historike të rikrijimit të lidhjeve tona, larg ndërhyrjeve të jashtme”, ka thënë ai.

Vetë princi Mohammed, është parë duke e pritur me ngrohtësi Assadin në konferencë.

Pjesëmarrja e tij vjen gati dy javë pasi Liga Arabe ka vendosur të rikthejë Sirinë si anëtare, pas suspendimit të saj 11 vjet më parë.

Për Assadin, i cili dikur është akuzuar për krime lufte dhe përdorim të armëve kimike, ftesa në Xhedah shënon sukses të madh.

Qindra njerëz kanë dalë nëpër rrugë, në veriperëndim të Sirisë - zonën e vetme të drejtuar nga rebelët në këtë shtet - për të protestuar rikthimin e Qeverisë siriane në Ligën Arabe, kanë thënë disa aktivistë lokalë.

Siria është përjashtuar nga blloku arab prej 22-anëtarësh, në nëntor të vitit 2011, në shenjë proteste ndaj përdorimit të forcës ushtarake nga ana e Qeverisë, për të shtypur protestat pro-demokracisë.

Si pasojë e shtypjes, Siria më pas është përfshirë në luftë civile. Në Perëndim, mundësia e diskutimeve me udhëheqësin sirian, është ende jashtë tavolinës. REL

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille