DURRËS- 10 muaj pasi ishte sekuestruar në Portin e Durrësit, brenda një kamioni i cili ishte kapur më 17 kilogramë heroinë në muajin qershor të 2021, janë gjetur të fshehura edhe 1 kg të tjerë lëndë narkotike heroinë. Në pranga, në atë kohë, ka rënë shoferi i kamionit Sulo Paja. Policia thotë se kishte informacion, se brenda kamionit kishte sërish lëndë narkotike, ndërsa mbetet e paqartë, sesi nuk është mundur që të zbulohet në atë kohë.

Policia e Durrësit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionin tip “Scania” dhe pas ndërhyrjeve me mjete prerëse, në shasinë e kamionit, u bë e mundur gjetja e sasisë së lëndës narkotike heroinë, me peshë 1 kilogramë.

Kujtojmë se në datën 26 qershor, policia e Shkodrës në bashkëpunim me policinë kufitare, në kuadër të operacionit policor ‘ATTEMPT’, pas kontrollit në vijën e dytë, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, gjetën brenda kamionit 17 kg heroinë, e cila ishte e ndarë në 34 pako dhe kishte destinacion Malin e Zi.

1649157853_1649149694heroine.jpg