Dy vajza binjake kanë ardhur në jetë sot në “Ditën e Verës”, në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, duke sjellë gëzim për prindërit e tyre, të cilët prej 10 vitesh po përpiqeshin të bëheshin me fëmijë.

Lajmin e bëri të ditur Minsitria e Shëndetësië përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku theksojnë se ardhja në jetë e vogëlusheve u bë e mundur falë trajtimit të fertilizimit in vitro (IVF), i realizuar në Qendrën e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar, një shërbim i mbështetur nga buxheti i shtetit.

Ministria nënvizon se se deri më tani, përmes këtij programi në maternitetin “Koço Gliozheni” kanë ardhur në jetë gjithsej 21 bebe, duke i dhënë shumë familjeve mundësinë të realizojnë ëndrrën e prindërimit.

“Një lajm i bukur në Ditën e Verës! Dy vajza binjake erdhën në jetë sot në SUOGJ “Koço Gliozheni”, pas 10 vitesh përpjekje nga prindërit e tyre - falë trajtimit IVF në Qendrën e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar, një shërbim i mbështetur nga buxheti i shtetit.

Deri më sot, 21 bebe kanë ardhur në jetë në këtë maternitet përmes këtij programi, duke u dhënë shumë familjeve mundësinë të realizojnë ëndrrën e prindërimit”, shkruhet në postimin e Ministrisë.