Pas 14 vitesh, largohet nga ekrani Zonja Tefta

E cilësuar nga prestigjiozja “Financial Times” si perëndesha e amvisave shqiptare Zonja Tefta do ta niste kështu aventurën e saj televizive plot 14 vite më parë, duke shënuar një risi në kulinarinë shqiptare dhe formatet televizive në vend. 

Ishte pikërisht prilli i vitit 2014 momenti në të cilin Tefta Pajenga , ose si e njohin të gjithë Zonja Tefta nisi historinë me emisionin e parë të gatimit në televizionet shqiptare. Personazhi më i dashur për të gjitha amvisat nisi rrugëtimin e saj në televizionin TeleNorba , pa e ditur se emri i saj do të ngulitej në mendjen e publikut duke krijuar një markë të cilësisë dhe shijes.

Me karakterin dhe sjelljen e saj të ëmbël, Zonja Tefta ka ditur të bëjë për vete zemrat e amvisave, por edhe të bashkëpunëtorëve të saj në ekran. Megjithëse kanë kaluar shumë vite , Zonja Tefta ka lënë gjurmë të thella tek bashkprezantueset në kuzhinë. Përveçse iu ka mësuar shumë receta , ja si e tregojnë ato eksperiencën e tyre me Zonjën Tefta

Kanë kaluar 14 vjet që nga dita e parë që kam takuar Zonjën Tefta në studio e TeleNorba shqiptare. Unë isha një student, kur ajo punonte dhe aty më lindi dëshira për të mësuar gatimin. Teta Tefta më ka markuar pikërisht për këtë gjë. Nëse do të kujtoja një element, të cilin nuk do ta harroj është mënyra si bën ti Teta Tefta kafen turke. Çfarë do të marr me vete gjithmonë nga ty Teta Tefta ështw zonjëlliku me të cilin ti ua mblidhje të gjithave si vajza të stafit.

Anis Brahimi

E ndërsa Zonja Tefta vazhdonte me po të njëjtin ritëm, misionin e saj për ti mësuar shqiptarët të gatuanin në mënyrë të shëndetshme, një tjetër prezantuese do ti bashkohej kuzhinës së saj.

Ishte një mama e dytë për të gjithë kohën që kemi kaluar bashkë. Kam perfeksionuar gatimin, por emocionet janë aq të mëdha sa nuk gjej fjalë që ti shpreh. Ishte një punë e pwrditshme, një pjesë shumë e madhe e ditës e kaluar bashkë, duke nisur që nga këshillat që më jepte si vajzën e saj deri tek ana profesionale. Ka një aftësi Tefta, të të bëjë të ndihesh shumë komode dhe të çlirojë nga gjithë pasiguritë. Edhe kur mbaronim punën, takoheshim pasdite, pinim kafe, diskutonim probleme familjare. Pavarësisht diferencës që kemi si breza, është aftësia e saj që arrinte të afrohej aq shumë dhe të më bënte mua të ndihesha shumë mirë. Dua ti them Teftës që i uroj jetë të gjatë dhe shumë suksese të tjera në hapa që do të bëjë tani, pasi do ti japë lamtumirën karrierës së saj.

Kostana Morava

Teknologjia dhe studio ndryshuan ndër vite, por puna e zonjës Tefta vijoi të mbetet njëlloj si në ditën e parë e madje me më shumë energji e pasion për gatimin dhe teleshikuesit gjithnjë e më shumë besnikë ndaj fantazisë që përcillej çdo ditë në transmetim të drejtpërdrejt. Anjeza Maja 

Tefta me thënë të drejtën është historia e gatimit në shqipëri. Unë kam pasur rastin ta njoh edhe nga afër dhe Tefta nuk është nga ata persona që di thjesht dhe vetëm të gatuajë. Ajo është një mike shumë e mirë. Me të mund të bësh biseda fantastike, personale, mund të flasësh për shtëpinë, për dashurinë. Tefta në këtë periudhë, në këtë kapitull të jetës së saj, jam e sigurt që do e gjejë mundësinë dhe do krijojë hapësirën e bukur të jetës , ashtu sikurse realizon pjatat plot shije. Dua ta puth fort, ajo është një mike shumë e mirë mbi të gjitha, një person shumë i dashur për mua. Ajo që kujtoj është se me Teftën bëheshim gati në emision duke kërcyer, duke kënduar. Tefta ishte si ilaçi i mëngjesit. 

Anjeza Maja

Mes shumë prezantuesve , kohën më të gjatë në ekran, Zonja Tefta e ka kaluar me moderatoren Eneida Xhelili. Popullariteti i saj ka mbërthyer për vite me rradhë shikuesit duke pritur dita ditës recetat e Zonjës Tefta, të cilat kanë qenë tepër të larmishme. 

Zonja Tefta mirëmëngjes. Të them mirëmëngjes sepse kështu jemi mësuar që ti drejtohemi për shumë vite me rradhë njëra tjetrës. I bëre 14 vjet në ekran, por pothuajse 14 i kemi kaluar bashkë. Kemi kaluar shumë situata bashkë. Të kam njohur si nënë, si gjyshe, si kolege. Kam dëgjuar që ke qenë një mësuese shumë e mirë për nxënësit e tu. Më vjen shumë keq që vitet kalokan kaq shpejt, por mund të them një gjë që, jo më kot zgjodha të drejtohem nga këtu te Pazari i ri sepse këtyre produkteve që shiten nga pas krahëve të mi i ke dhënë jetë me fantazinë tënde. Duke i ëndërruar natën, duke i shkruar nëpër ato blloqet që janë bërë të shumta besoj për vite me rradhë. Unë të dua shumë, më mungon , do kisha dëshirë që të të puthja nga afër. Të uroj që të jesh një gjyshe e përkushtuar dhe dua të të puth nga afër.

 Eneida Xhelili

Në janar të këtij viti emisioni Rreze Dielli në Report Tv, me një format të ri bëri bashkë dy prezantuesit Erjona Rusi dhe Alban Musa të cilët bashkë me Zonjën Tefta përcollën çdo ditë për 2 orë atmosferën e ngrohtë përmes të ftuarve, temave dhe recetave të larmishme.  Me shumëllojshmëri recetash, në kuzhinën e “Rreze Dielli” nisi të mbizotërojë humori e lirshmëria e 3 drejtuesve të këtij emisioni. Zonja Tefta, Erjona dhe Albani formojnë një trio e cila i përshtatet karakterit të çdo shikuesi. 

Zonja Tefta unë mund të them 100 gjëra për të lavdëruar profesionalizmin tënd, pork am vendosur që në këtë mesazh të fundit në përfundim të karrierës tënde , të ndalem tek një aspekt njerëzor i yti që më ka mbetur dhe do të vazhdojë të mbetet. Fakti që me ty, që në sekondat e para që kemi nisur të punojmë bashkë jam ndjerë si në shtëpi, si me një njeri që e njihja prej shumë vitesh. Një njeri që punon me shumë kënaqësi, pa doreza dhe me shumë humor. Kjo them se ty të bën unike dhe do të mbetesh unike.

Erjona Rusi

Në kuzhinë jemi mësuar të shohim gra, dhe Zonja Tefta ka pasur për 13 vjet vetëm bashkëprezantuese, deri para disa muajsh kur në kuzhinë filloi ta ndihmonte moderatori Alban Musa, që nuk harroi asnjë ditë të komplimentonte me dashuri “kuzhinieren” më të famshme në Shqipëri. 

Çfarë të them unë për ty o e bukura e dheut, siç të quaj gjithmonë në studio. Në fakt ka qenë një privilegj shumë i madh që unë të jem bashkëprezantues me ty në pjesën e gatimit në programin që bashkë kemi prezantuar. Realisht po ta them për herë të parë që fakti që unë e pranova ofertën për të qenë një ndër prezantuesit e programit të mëngjesit në Report Tv, një ndër arsyet kryesore ka qenë sepse do ishe ti. Sigurisht që edhe pse do shkëputesh tani nga televizioni do mbahesh mend gjatë për të gjithë kontributin që ke dhënë si institucioni i parë i kulinarisë shqiptare.

 Alban Musa

Zonja Tefta ka pasur fatin që gjithë jetën të ushtrojë profesionet që i ka ëndërruar. Që në moshën 18 vjeçare, pas mbarimit të shkollës pedagogjike ajo ka punuar si mësuese, punë të cilën e dashuronte. Në të njëjtën mënyrë që i shpjegonte nxënësve të saj mësimet, me po aq dashuri, kujdes e durim u mësonte shikuesve recetat. Për çdo ditë të këtyre 14 viteve në transmetim, recetat e saj janë dhe do të vazhdojnë të mbeten një thesar në fondin e kulinarisë shqiptare.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'