Pas 14 vitesh, Rama të enjten
ligjëratë në Harvard si kryeministë

Pas 14 vitesh, Rama të enjten<br />ligjëratë në Harvard si kryeministë
Sipas njoftimeve të konfirmuara shtypit, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të mbajë një ligjëratë në sallën e Shkollës së Qeverisjes Kenedi të Universitetit të Harvardit, ditën e enjte, më 16 tetor 2014.

Vizita disaditore e Kryeministrit shqiptar në universitetin me famë botërore dhe në qytetin e Bostonit, djepin e lëvizjes patriotike shqiptare për pavarësimin dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të trojeve shqiptare, të nisur mëse 100 vjet më parë, është e mirëpritur. Kjo është vizita e dytë e një kryeministri shqiptar në Harvard, pas asaj të ish-Kryeministrit Meta, shoqëruar nga ish-Kryeministri Nano, në vitin 2000.

Sa i takon Ramës, kjo është vizita e tij e tretë jo-private në rrethet e shquara akademike të Bostonit. Në vitin 2002-2003 ai ishte Profesor Vizitues në katedrën prestigjioze që mban emrin e intelektualit dhe akademikut të shquar Robert C. Wood, në Universitetin e Masaçusetsit në Boston. Kurse më 25 janar 2010 ai mbajti një ligjëratë përsëri në Shkollën Kenedi të Universitetit të Harvadit, ku solli përvojën e diplomacisë kulturore dhe transformimin qytetës. Në atë ditë të ftohtë dhe plot dëborë janari, ku salla universitare ishte mbushur plot e përplot dhe pjesëmarrësit e shumtë u detyruan të vendosen në një sallë ngjitur për të ndjekur ligjëratën me TV, Edi Rama e pushtoi audiencën me oratorinë, mprehtësinë dhe humorin e tij.

Kësaj rradhe Edi Rama vjen në Harvard si kryeministër i shtetit të vogël evropian. Ligjërata e tij publike në Insitutin e Politikave, ku kanë ligjëruar personalite të shquara në rrafsh hotëror, pritet me interes edhe më të madh se më parë. Ndër pyetjet që iu bënë Ramës katër vite më parë në të njëjtën ndërtesë ishte njëra për ushtrimin e së drejtën e votës së shtetasve shqiptarë me banim jashtë shtetit. Shumë vende të botëspërfshirë SHBA, Italia, Kosova-ua njohin këtë të drejtë bashkështetasve të tyre që jetojnë jashtë. Shqipëria ende jo.

Ka të ngjarë që pyetja t’i përsëritet z. Rama, aq më tepër që ai është tashmë kryeministër i një shumice parlamentare që mund ta vendosë në jetë këtë gjë. Rama vjen në Harvard pikërisht një vit pas vendimit historik dhe gjerësisht popullor për të mos lejuar shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin shqiptar. Duke patur parasysh disa zëra të veçuar në opinionin shqiptar që vazhdojnë të pretendojnë se vjet u bë një gabim i madh dhe u humb një shans historik, ndofta zotit Rama do t’i shtrohet pyetja nëse ai është penduar apo jo për vendimin e tij. Përgjigja me gjasë do të jetë “jo, aspak”, aq më tepër se burime të pakonfirmuara, vënë në dukje se të ashtuquajturat “përfitime” të Shqipërisë ishin krejt irrelevante, edhe pasi procesin e shkatërrimit në territorin shqiptar ishte planifikuar që ta kryente një kompani italiane…

Sa i takon pjesës tjetër të vizitës së Ramës në Harvard, në universitetin e njohur ka tash një vit që vijnë rregullisht për trajnime të shpejta dhe intensive disa ministra të qeverisë shqiptare Shpresat janë të mëdha që këto trajnime të jenë sa më efektive, edhe pse burimet e jashtëzakonshme akademike në shkollat e ndryshme të Universitetit të Harvardit , si p.sh. Shkolla e Drejtësisë, Shkolla e Biznesit, apo të Institutit Teknologjik të Masaçusetsit – (MIT) mund ta relativizojnë deri diku këtë nismë.

Por përveç kohës së nevojshme “akademike”, z. Rama mund të kryejë edhe disa vizita të tjera në Boston dhe Kembrixh. Në sallat dhe parqet e atij universiti prestigjioz, pikërisht 102 vjet më parë -dhe më pas- studionin dhe shkelnin gjigandë të tillë si Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi e Koço Tashko. 116 vjet më parë pikërisht në Boston Fan Noli dhe patriotë të tjerë shqiptarë hodhën themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ku të gjitha shërbimet më në fund kryheshin në gjuhën shqipe. Më 13 qershor 1912 në Boston u regjistrua zyrtarisht Federata pan-shqiptare VATRA, me nënshkrimet e Faik Konicës, Llambi Çikozit, Fan S. Nolit, Kristo Floqit, Elia Tromarës, Naum Ceres dhe Kosta Kottës. Në fillim të viteve 1990 studiuesi Ardian Klosi , miku tragjikisht i humbur i Ramës, do të gjurmonte dokumente të panjohura të Vatrës dhe Konicës në Boston, çka i botoi më pas.

Dhe më tej, sipas dokumenteve rishtaz të zbuluara nga i nënshkruari, në vitet 1917-1918 VATRA e kryesuar nga Fan Noli ishte kthyer në qeveri de facto në mërgim e shtetit të copëtuar shqiptar të Luftës I Botërore. Në lagjen Back Bay të Bostonit në atë kohë Fan Noli drejtonte organizimin e një veprimtarie të dendur diplomatike, mbrojtëse, buxhetore e vetëfinancuese të pashembullt, që i kishte të gjitha atributet e një qeverie në ekzil, sikurse mëtonin me të drejtë aso kohe pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në të, si dhe pasardhësit e tyre edhe sot e gjithë ditën.

Dhe më tej, në arkivat dhe bibliotekat e Universitetit të Harvardit ndodhet një prej dëshmive më të rëndësishme dhe të shquara të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë. Fjala është për koleksionin e rrallë të pikturave dhe skicave të piktorit, artistit, humanistit dhe shkrimtarit të shquar anglez Edward Lear (Eduard Liër). Lear e vizitoi disa herë Shqipërinë. I ndihmuar me besnikëri edhe nga Gjergj Kokalli, shqiptari suljot, ai u dashurua me vendin, me bukuritë e natyrës dhe me popullin e varfër, por mikpritës. Shumicën e veprave të tij me temë shqiptre, rreth 150 skica dhe piktura, ai i pikturoi gjatë vizitës së tij të vitit 1848. Vetëm një duzinë syresh ai i botoi në vitin 1851 në librin e famshëm “Ditari i një piktori pejzazhist në Shqipëri”.

Pjesa tjetër, e pabotuar dhe e panjohur, është thuajse e plotë në arkivat e bibliotekës Houghton të Univeristetit të Harvardit. Falë bujarisë së Universitetit të Harvardit, i gjithë koleksioni i Edëard Lear-it i ruajur atje, jepet i digjitualizuar në internet. Kjo pasuri me vlerë të jaashtëzakonshme sot është e qasshme për këdo. I nënshkruari ka patur rastin fatlumë t’i shikojë këtë koleksion në origjinal, para se të hidhej në internet. Ishin aty Shkodra me Rozafatin madhështor e urën mbi Bunë, që s’është më, me Xhaminë e Plumbit dhe me kostumet piktoreske e shumëngjyrëshe të veshura nga mikja e Lear-it, Kaliopi Bonati; është aty Tirana e vogël historike, e parë nga kodrat e Saukut, Ura e Tabakëve me Dajtin hijerëndë në sfond, Pazari dhe Xhamia që nuk janë më; është aty Durrësi, Apollonia, Kruja. Eshtë aty Tragjasi i vjetër dhe historik, fshati ku Lear kaloi natën në mikpritjen tradicionale labe dhe bregase, fshat sot e gjithë ditën i braktisur, që u dogj nga gjermanët ditën e Pashkëve të vitit 1944 siç dëshmohej edhe nga oficerët amerikanë të OSSit të strehuar me urgjencë në lartësitë e Malit të Tragjasit, por që në pikturën e Lear-it na vjen me gjallërinë e plotë të jetës dhe që sot përcjell fuqishëm thirjen për kthimin e atij vendi në një Park Historik Kombëtar të Qëndresës ndaj Nazizmit.

Mirëpo në veprën e Lear-it në Harvard shikojmë edhe Beratin e tetorit të vitit 1848 (Lear ishte aty pikërisht 166 vjet më parë), Gjirokastrën hijerëndë, magjike e plot dritë, grykat dhe qafat e Bënçës në rrugëtimin për Tepelenë, Tepelenën me kalanë e famshme të Aliut, Elbasanin me qendrën plot gjallëri, Kërrabën piktoreske, Vlorën e papërsëritshme, me Gjirin, Karaburunin dhe Sazanin, pa harruar pelikanët tashmë të zhdukur. Gjejmë tek Lear-i edhe Bregun, apo Rivierën shqiptare të Jonit, qysh nga Dukati, Llogaraja e deri në Vuno, Dhërmi e Himarë.

Një pikturë që shpalos Rrugët e Bardha dhe Qafën e Çikës në Llogara përcjell shënimin e Lear-it për një dramë të rrallë familjare: “Babai qan për djalin e tij në burg”. Kjo skicë e fuqishme kontraston me pamjen bukolike të Vunoit, të pikturuar më 24 tetor 1848, ku në bregoren me fshatin piktoresk në sfond, përcillen burra e gra të Vunoit duke kuvenduar e vallëzuar. Dhe natyrisht, në një pjesë tjetër të koleksionit, gjejmë edhe Çamërinë, ku spikat Margëlliçi plot dritë e jetë, Filati, etj. Prej disa vitesh i nënshkruari ka qenë në bisedime me Auron Taren dhe disa veprimtarë të shquar të kulturës dhe arteve për të hulumtuar mundësinë e përhapjes dhe botimit të kësaj pasurie të paçmuar.


Në kontaktet me universitein m’u bë e qartë se ishte më mirë të pritej, pasi vetë universiteti kishte marrë nismën e digjitalizimit të plotë të mbarë koleksionit të Edward Learit, edhe për arësye të ruajtjes së tij. Ky projekt ka përfunduar prej një viti, dhe tashmë, pas disa klikimeve nga kompjuteri i tij apo i bibliotekës.Learin mund ta shikojë dhe shijojë kushdo. Megjithatë, ndryshe është shikimi nga kompjuteri, dhe ndryshe është shqyrtimi i origjinalit.

Ndofta kryeministri Rama do ta gjente kohën që, për interesat e tij si kryeministër dhe për qasjen e tij prej artisti, ta shijojë vetë personalisht dhe në origjinal koleksionin e pikturave dhe skicave të pejzazheve shqiptare të Edëard Lear-it.Aty mund të kundrohet qartë transformimi, për mirë apo keq, apo edhe shkatërrimi, që i është bërë Shqipërisë nga këto pesë – gjashtë breza pas Lear-it. Aty mund të burojnë ide se si mund të mbrohet dhe ruhet peizazhi qytetës dhe fshatar shqiptar sot e në të adhmen. Në bashkëpunim me Ministren e Kulturës, Z . Rama mund të marrë lejën apo autorizimin për riprodhimin, botimin dhe ekspozimin për qëllime kulturore, arsimore të mbarë koleksionit shqiptar të Lear-it në Harvard.

Ekspozime të veprës së tij mund të bëhen nga të gjitha bashkitë e vizituara nga Lear. Një itinerar i rrugëtimeve të Lear-it mund të ndërmerret si projekt i posaçëm nga Ministria e Kulturës ku riprodhime të veprave të tij të vendoseshin pikërisht aty ku Lear i ka pikturuar ato vende dhe pejzashe 166 vjet më parë, dhe ku brezi i sotëm dhe i ardhshëm të mund të krahasojë vetë bukuritë, por edhe efektet shkatërrimtare dhe nevojën e ngutshme të ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit. Le të shpresojmë në një “takim” në distancë të Edi Ramës me Edward Lear-in në Harvard në tetor 2014, ose pas 166 vjetësh nga udhëtimi magjepsës shqiptar i piktorit të famshëm anglez.

Marrë nga Shekulli

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim