Foto: Ministri Andis Salla dhe kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi
Pas më shumë se 17 vitesh pa ndërhyrje, ka nisur thellimi i Kanalit të Vivarit në Butrint, një investim që synon të rikthejë funksionalitetin e kanalit dhe të krijojë kushtet për hapjen e kuotave të kultivimit dhe eksportit të midhjes.
Punimet parashikojnë, në fazën e parë, largimin e rreth 50 mijë metra kub sedimenteve të grumbulluara ndër vite. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ndërhyrja do të përmirësojë shkëmbimin natyror të ujërave mes Lagunës së Butrintit dhe Detit Jon, duke ndikuar në oksigjenimin dhe nivelin e kripësisë, elementë të rëndësishëm për ekosistemin dhe kultivimin e midhjes.
Gjatë inspektimit të punimeve në Sarandë, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, tha se investimi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e ekonomisë së zonës.
“Jemi në Kanalin e Vivarit për investimin që po kryejmë për thellimin e kanalit. Për herë të parë pas shumë vitesh do të hapim edhe kuotat e midhjes, një proces shumë i rëndësishëm për ekonominë vendase, por edhe për konsumatorin shqiptar”, u shpreh Salla.
Punimet po kryhen me një dragë të posaçme, e cila do të mundësojë thellimin e kanalit dhe largimin e sedimenteve, me synimin për të rikthyer qarkullimin natyror të ujërave dhe për të krijuar kushte më të favorshme për habitatin e Lagunës së Butrintit.
Gjatë inspektimit, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, tha se investimi do të ndihmojë kultivuesit e midhjes dhe do të krijojë mundësi për zgjerimin e tregut dhe eksportin e prodhimit.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, thellimi i Kanalit të Vivarit, së bashku me ndërhyrjet në kanalet që furnizojnë lagunën me ujë të ëmbël, synon të përmirësojë qarkullimin natyror të ujërave dhe të krijojë kushte më të mira për florën, faunën dhe aktivitetin e kultivuesve të midhjes.
Lajmi kryesor:
Përfundon rehabilitimi i 1.3 km argjinaturë në Vrinë të Sarandës, Salla inspekton investimin: 2 mijë hektarë tokë bujqësore më të mbrojtura (VIDEO)










