Rreth 2 mijë hektarë tokë bujqësoreVrinë të Sarandës do të mbrohen më mirë nga përmbytjet, erozioni dhe depërtimi i ujërave të kripura pas rehabilitimit të argjinaturës së kanalit K-17, ndërsa investimi pritet të krijojë kushte edhe për rikthimin e kultivimit të midhjeve në zonë pas 17 vitesh. Faza e parë e punimeve ka përfunduar me përforcimin e rreth 1.3 kilometrave të argjinaturës, si pjesë e një pakete investimesh prej rreth 20 milionë eurosh për sistemin e ujitjes dhe kullimit.

Gjatë inspektimit të investimit, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, tha se ndërhyrja i jep zgjidhje një problemi të hershëm që lidhej me hyrjen e ujit të detit në hidrovorin e Vrinës.

“Faza e parë e investimit ka përfunduar me sukses dhe sipas standardeve më të mira. Problematika e mëparshme ka qenë hyrja e ujit të detit në hidrovorin e Vrinës dhe rrezikoheshin tokat e kësaj zone nga përmbytjet”, deklaroi Salla.

Sipas tij, faza e dytë e projektit do të vijojë me rehabilitimin e mëtejshëm të argjinaturës dhe modernizimin e sistemit të ujitjes e kullimit.

“Vijimi i ndërhyrjeve me fazën e dytë të rehabilitimit të argjinaturës së kanalit K-17 në Vrinë, si pjesë e një pakete të integruar investimesh që përfshin edhe modernizimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit, do të garantojë mbrojtjen afatgjatë të tokave bujqësore dhe më shumë siguri për prodhimin, ekonominë lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë zonës”, u shpreh Salla.

Ministri tha se investimi do të ketë ndikim edhe te zhvillimi i kultivimit të midhjeve dhe ekonomia e zonës.

“Pas 17 vitesh do të hapim krahët për midhjen dhe midhja do të na ndihmojë për ekonominë e vendit”, tha Salla, duke shtuar se ndërhyrja për ndarjen e ujërave lidhet edhe me zhvillimin e turizmit dhe rritjen e prodhimit bujqësor në zonë.

“Po bëjmë një paketë investimesh aty ku kemi nevojë dhe ku duhet, në të gjithë Shqipërinë, ku përfshihen edhe hidrovoret, për t’u paraprirë përmbytjeve dhe sistemeve të kullimit”, deklaroi ministri.