Një dokument i klasifikuar si “Top Secret 2”, ku përshkruhet një plan për zgjerimin e ndikimit islamik në Kosovë dhe rajon dhe ku thuhet se “pas 20 vitesh Kosova do të duket si Kandahar”, është pjesë e provave që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfshirë në aktakuzën për spiunazh dhe shantazh ndaj Fatmir Shehollit.

Sipas aktakuzës, të siguruar nga mediat kosovare, dokumenti është dërguar më 5 gusht 2025 nga Sheholli te një person me emrin Viktor Makedonija dhe, sipas Prokurorisë, lidhet me aktivitetet dhe kontaktet e analistit me strukturat e shërbimit informativ serb, BIA.

Në dokument përshkruhet një plan për ndërtimin e xhamive në vende të dukshme pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, trefishimin e numrit të xhamive në fshatrat e mëdha, si dhe shtrirjen e medreseve në të gjithë vendin. Sipas dokumentit, xhamitë do të ndërtoheshin me fonde të mbledhura “nga ambasadat islamike në Beograd”.

Në dokument thuhet:

“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”.

Pranë xhamive, shkollat islamike (mdereset) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmije dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral jankovic, Kaqanik, Dragash dhe Prizren. Krahas operativëve Shqiptar kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku duke përfshirë Romët dhe Ciganet të cilët janë të gatshëm të punojnë per ne dhe të aktivizohen në Islam.

Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjes, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa me shume të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim ne Sport , media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami.

Ne vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjike. Me këtë do te arrijmë që ti ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën. Poshtë në Kosmet duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar.

Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë. Kur kjo të arrihet Serbia do t’i ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”.

“Nga analizimi i dokumentit të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli rezulton se bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, krijimin e perceptimit të saj si shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare. Dokumenti parasheh shfrytëzimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon për financimin dhe përhapjen e aktiviteteve fetare, si dhe ndikimin te figura dhe prijës fetarë, me qëllim të krijimit të një narrative negative për Kosovën, nxitjes së migrimit dhe ndikimit në qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj saj”

Prokuroria Speciale vlerëson se përmbajtja e këtij dokumenti, e parë së bashku me provat e tjera të administruara në dosje, është e rëndësishme për të dëshmuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë që, sipas saj, Fatmir Sheholli ka pasur me strukturat e shërbimit informativ serb BIA.


Lajmi kryesor:

Akuzohet se spiunoi për BIA-n serbe, analisti Fatmir Sheholli merret i pandehur! Prokuroria: Në telefon iu gjet plani 'Top Secret' për ta kthyer Kosovën nën Serbi