Pas 3 muajsh punime, Ura e CenitLezhë u hap këtë të hënë për kalimin e këmbësoreve dhe automjeteve, duke i dhënë fund trafikut të rënduar që ishte krijuar në qytet.

Me financim të fondit shqiptar të zhvillimit, kjo urë e cila ishte amortizuar dhe nuk garantonte kalim të sigurt për këmbësorët është rindërtuar dhe zgjeruar.

Përfundimi i punimeve i inspektua nga Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, sipas të cilit ky investim është pjesë e një vizioni më të gjerë për riorganizimin e qarkullimit urban dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, me synimin që Lezha të përballojë më mirë flukset sezonale, veçanërisht gjatë muajve të verës.

“Është një nga investimet më të rëndësishme që kemi bërë deri tani. Ura ka qenë e amortizuar dhe nuk kishte akses për këmbësorët. Kjo zonë është në rikualifikim, përveç urës po investohet edhe kanali. Ka një bum sa i përket investimeve në infrastrukture. Ajo që është qershia mbi tortë është se ujëtat e zeza nuk do të derdhen në lumë dhe Lezha nuk do të ketë më probleme serioze sa i përket përmbytjeve”, tha Ndreu.

E pozicionuar në një pikë strategjike, Ura e Cenit shërben si një korridor i rëndësishëm lidhës mes autostradës dhe brendësisë së qytetit, duke përfshirë edhe një zonë me aktivitet të lartë ekonomik. Hapja e saj do të shpërndajë flukset e trafikut dhe të ofrojë një alternativë të nevojshme për hyrje daljet nga Lezha.