ITALI - Papa Françesku është kthyer në Vatikan. Para se të largohej nga spitali Gemelli, ai u shfaq në një ballkon me rastin e Engjëllit të Tënzot të së dielës. Kjo ishte paraqitja e tij e parë publike që nga shtrimi në spital më 14 shkurt.
Papa Françesku u lirua sot nga Poliklinika Gemelli pas 38 ditësh qëndrimi në spital. Para se të kthehej në Vatikan, ai bëri një ndalesë në Bazilikën e Santa Maria Maggiore.
"Gjendja e tij ka qenë e qëndrueshme prej dy javësh, por periudha e pushimit do të vazhdojë dhe do të jetë në konvaleshencë për të paktën dy muaj," shpjegojnë mjekët.
![]()
Gjatë javës së fundit gjëndja e tij shëndetësore është përmirësuar por dhe vetë Papa ka dëshiruar të kthehet sa më shpejt në Vatikan. Pavarësisht se ka qenë i tërhequr dhe pak i dukshëm, ai ka dashur të jetë pranë besimtarëve në këtë periudhë të rëndësishme të Pashkëve, momenti më i shenjtë për të krishterët.
Papa do të vazhdojë terapitë e filluara në spital. Lidhur me rikuperimin e zërit, mjekët theksojnë se është e vështirë të parashikohet, por përmirësimet e fundit kanë qenë të shpejta, çka mund të sinjalizojë një kohë të shkurtër rikuperimi. Pneumonia bilaterale ka dëmtuar mushkëritë dhe ka ndikuar në muskujt respiratorë, duke ndikuar kryesisht te zëri i tij.
Papa Françesku
Papa Françesku ka mbërritur në Bazilikën e Santa Maria Maggiore. Një ndryshim i papritur i itinerarit në minutën e fundit. Gjatë rrugës nga spitali Gemelli drejt Vatikanit, Ati i Shenjtë vendosi të ndalojë për t’u lutur përpara ikonës së Salus Populi Romani.
Shumë besimtarë, të befasuar nga prania e tij, e përshëndetën me brohoritje dhe duartrokitje.
Papa Françesku u shfaq sot në një karrige me rrota nga ballkoni i Poliklinikës Agostino Gemelli në Romë, ku përshëndeti dhe bekoi besimtarët e mbledhur për ta parë.
Pritja ishte e ngrohtë, me duartrokitje dhe brohoritje nga turma, ndërsa flamuj të ndryshëm, përfshirë ata të Spanjës, Izraelit dhe Ukrainës, valëviteshin në shenjë përkrahjeje.
“Faleminderit të gjithëve, sa të bukura janë lulet tuaja,” u shpreh Papa, duke vënë re një grua që mbante lule të verdha dhe duke e përgëzuar:
“Shoh këtë zonjë me lulet e verdha: sa e mrekullueshme.”
Në mesin e të pranishmëve ndodhej edhe kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, i cili ndoqi momentin e përzemërt të Papës me besimtarët. Përshëndetja e tij nga ballkoni i spitalit u shoqërua me brohoritje të forta, duke treguar dashurinë dhe mbështetjen e popullit.
Papa Françesku dha një bekim të shkurtër për të gjithë ata që ishin mbledhur për ta parë, duke shprehur mirënjohjen e tij për praninë dhe dashurinë e besimtarëve.
Komente

