Alkina Zhulati, njëra nga motrat me aftësi të kufizuar, gjendja e të cilave është trajtuar në Report Tv është gjetur mëngjesin e sotëm nga 2 personat e caktuar nga bashkia Sarandë për mirëmbajtjen e tyre e pajetë.
Sipas çiftit që merrej me mirëmbajtjen dhe sipas punonjëses së Shërbimit Social Sarandë, pavarësisht se kanë kërkuar shërbim mjekësor për gjendjen e saj, askush nga spitali nuk ka shkuar.
‘Unë jam ai djali që kujdesem për pastrimin e dy motrave, bashkë me nusen. Dje kanë qenë shumë mirë, i kemi larë i kemi pastruar. Sot në mëngjes kur erdhëm, dera në mëngjes ishte mbyllur dhe njëra nga motrat është gjetur pa jetë.’- tha kujdestari.
Sipas raportimit të gazetarit të Report Tv Limos Didani, një nga arsyet se pse motrat nuk janë trajtuar në spital është më faktin, se kishte të shtruar pacientë me COVID dhe ekzistonte rreziku se mund të infektoheshin.
Motrave u janë lënë disa ilaçe për t’i konsumuar, por më pas nuk ka pasur trajtim ndaj tyre. Ata kanë kërkuar që të vijojnë trajtimin dhe mjekimi i tyre, por nuk ka pasur asnjë reagim nga spitali i Sarandës.
Mësohet se me komunikimin që ka pasur kujdestari i motrave me Marien e cila është gjallë, ka deklaruar se motra është rrëzuar dhe ajo i ka folur, por ajo nuk i është përgjigjur. Ndërkohë turpi i viktimës është ende në banesë, pasi nuk ka një ambulancë për ta çuar drejt morgut.
Do të jetë mjekësia ligjore që do të përcaktojnë shkakun e vdekjes, ajo që ishte e dukshme është se nuk ka pasur kujdes shëndetësor gjatë 15 ditëve të fundit.
'Nuk u ka munguar shërbimi shëndetësor dhe madje xhaxhai i tyre më ka falenderuar'- kështu ka deklaruar në një intervistë për Report Tv, drejtori i spitalit në Sarandë, Erjon Dhroso, pas akuzave se motrave u ka munguar kujdesi shëndetësor.
Sipas tij ato ishin në gjendje të rëndë për shkak se jetonin në ambinte të papastra, por shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga mjekësia ligjore.
‘Po jam në dijeni të rastit, kam pasur komunikim me xhaxhain e tij që është në Athinë, motrat janë trajtuar tre herë. Nuk e di çfarë thotë kujdestari, kam edhe komunikim në Viber me xhaxhain e tyre që më falenderon. Mund të kenë pasur probleme nga ambientet e papastra që kanë jetuar këto ditë. Ky ka qenë problemi kryesor i tyre, por edhe janë kuruar për atë infeksion, ato nuk vishnin as këpucë, shkelnin zbathur. Nuk ka lidhje infeksioni me të marrë jetën, por ndoshta nga diçka tjetër. Nuk ishin në atë gjendje që të sillnin vdekjen arsye e plagëve në këmbë.’- tha Dhroso për Report Tv.
Pas denoncimit në Report TV të dy motrave me aftësi të kufizuar që jetonin në kushte të mjerueshme dhe mungesë totale higjiene në një banesë në Sarandë, u vunë në lëvizje institucionet dhe gjetën zgjidhje për këtë çështje.
Nga ana e bashkisë Sarandë u mor angazhimi edhe për mobilimin e ambienteve të shtëpisë, deklaratë që kryebashkiaku Gurma e bëri gjatë një interviste në Report Tv.