Dibër-Pas uljes së intensitetit të reshjeve të dëborës, gjatë orëve të mesnatës është bërë e mundur hapja e hapja e bajpasit të Qafë Murrizit në rrugën e Arbrit, teksa vazhdon të ketë probleme nga era e fortë në segmentin Fushë Bulqizë deri në Planin e Bardhë.
Megjithatë aksi është bërë i kalueshëm plotësisht dhe për mbajtjen nën kontroll po punojnë 4 mjete borëpastruese.
Akset Peshkopi-Kukës dhe Peshkopi -Librazhd janë të kalueshme me zinxhirë. Kompanitë kontraktore kanë bërë hapjen dhe kriposjen e rrugëve.
Firmat kontraktore kanë hapur rrugët e brendshme të qyteteve, rrugët që lidhin qendrat e njësive Administrative dhe po punojnë për hapjen e fshatrave.
Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe ka segmente ku ka prezencë të dëborës dhe akullit në rrugë, ndaj policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm, të evitojnë lëvizjet e panevojshme, të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët.
Gjatë natës nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore apo civile.
Shkollat e qytetit dhe të zonave të afërta janë hapur dhe vijon mësimi, ndërsa në zonat e thella vijojnë të jenë të mbyllura edhe ditën e sotme, deri në një njoftim të dytë.
Nga gruper e OSHE janë riparuar defektet në njësitë ku ka pasur probleme, momentalisht ka mungesë energjie në disa fshatra të Ostrenit, Trebishtit dhe Lisit në Mat.
Lajmi kryesor:
Përmirësohet situata pas reshjeve të borës dhe erës! Rrugët kombëtare të gjitha të kalueshme! Vazhdon pezullimi i mësimit në disa zona
Foto: Korçë
Në Qarkun e Korçës gjatë natës ka patur reshje të dobëta dëbore të shoqëruara me erë të fortë në disa zona të cilat kanë mundësuar përqëndrimin e dëborës në rrugë e vende të ndryshme.
Sipas një njoftimi zyrtar raportohet se temperaturat kanë shkuar deri në -7 gradë, kryesisht në zonat malore.
Ndërkohë është punuar për mirëmbajtjen e akseve kryesore nacionale kryesisht pastrim, kriposje dhe aktualisht vazhdon qarkullimi normal përgjatë këtyre akseve.
Nisur nga temperaturta e ulëta dhe reshjet e dëborës rekomandohet përdorimi i pajisjeve dimërore nga të gjithë drejtuesit e automjeteve.
"Është hapur segmenti Vithkuq-Shtyllë-Panarit, Voskopojë-Lekas, janë hapur rrugët lidhëse në bashkinë Devoll dhe do të vazhdohet me Njësinë Adminstrative Miras, në Bashkinë Pustec janë hapur të gjitha rrugët lidhëse me fshatrat. Gjithashtu edhe në bashkinë Kolonjë ka vazhduar puna për hapjen e rrugëve në Helmës, Prodan dhe Bejkovë. Nga Bashkia Pogradec janë hapur rrugët lidhëse me qëndrat e Njësive Administrative Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë, sot do të vazhdojë puna për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat e tyre", thuhet në njoftim.
Sa i përket energjisë elektrike,zonat që nuk kanë drita janë: Bashkia Maliq fshatrat Protopapë dhe Pulahë, 12 abonentë, në Bashkinë Kolonjë Njësia Administrative Leskovik, fshati Peshtan, Vrepckë, Lashovë, Gjirakar 10 abonentë, resorti “Peshku Sotire”, 3 abonentë. Bashkia Korçë fshati Panarit, Trebickë dhe Orgockë 20 abonentë, në Bashkinë Pogradec 2 abonentë në grupi i antenave në fshatin Çervenakë.
Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve, teksa problem vazhdon të mbetet riparimi i defektit dhe rikthimi i energjisë elektrike në fshatrat e Njësisë Administrative Proptisht të cilët marrin energji elektrike nga Agjenc.Elekt. Përrenjas.
Është komunikuar me OSSHEE Elbasan dhe pritet riparimi i linjës.