Zv.Ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për 113 vjetorin e Policisë së Shtetit.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Qefalia u shprehu mirënjohjen të gjithë efektivëve të Policisë për punën e tyre, teksa shtoi se moto e uniformave blu është ‘rend, siguri dhe ligjshmëri’.

Duke u përcjellë efektivëve mirënjohjen e ministers Albana Koçiu, e cila ndodhet jashtë Shqipërisë, Qefalia premtoi se mbështetja e qeverisë për Policinë do të jetë e vazhdueshme, pasi sipas tij ‘pas çdo polici ka një nënë që lutet dhe një fëmijë që pret.

“Sakrifica juaj është një sakrificë sublime, që ka shkuar deri në dhënien e jetës për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Kjo është një vlerë e lartë e institucionit tuaj. Sot Policia e Shtetit është në një transforim të vazhdueshëm, më e orientuar drejt standardeve europiane.

Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme, garantimi i rendit dhe sigurisë publike mbeten prioritete absolute në shërbim të qytetarëve dhe së drejtës. Angazhimi ynë është i qartë, rend, siguri dhe ligjshmëri.

Më lejoni të nderuar pjesëmarrës që t’u përcjell në emër të ministres së Brendshme, Albana Koçiu, e cila ndodhet në një shërbim jashtë shtetit, mirënjohjen e thellë për çdo punonjës policie. Pas çdo polici ka një nënë që lutet dhe një fëmijë që pret. Prandaj mbështetja e qeverisë shqiptare për policinë e Shtetit do të vazhdojë në mënyrë të pandalshme", tha mes të tjerash Qefalia.


Lajmi kryesor:

113 vjetori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda: Nuk jemi ajo që flitet, por ajo që bëjmë! Nderim për 231 dëshmorët! Struktura jonë gur themeli për rendin dhe ligjin