Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ngriti sot alarmin për forcimin e ushtrisë serbe, duke deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht modernizim, por lidhet me synimet hegjemoniste ndaj Kosovës.
Në fjalën e mbajtur në Konferencën e nëntë të Ambasadorëve të Kosovës, Kurti tha se pas rritjes së kapaciteteve ushtarake të Beogradit fshihet një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike.
““Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht një përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, po një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike që lidhet drejtpërdrejt me synimet hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanti Kosovës. Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake për arritjen e këtij qëllimi” u shpreh ai.
Deklarata e Kurtit vjen në një kohë kur në Serbi janë shfaqur sërish mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj Kosovës. Sipas raportimeve, në Peruçac është shfaqur një grafit me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, një ditë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç foli për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në zonën e Ujmanit.
Të dielën Vuçiç bëri të ditur se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë dhe inxhinierë.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiç gjatë vizitës në punimet e Urës së Vjetër Hekurudhore në Beograd.
Serbia ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake përmes bashkëpunimit dhe blerjes së armatimit të avancuar nga Kina, e cila është shndërruar në furnizuesin kryesor të armëve për Beogradin vitet e fundit. Arsenali serb përfshin sisteme moderne kineze të mbrojtjes ajrore, dronë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi. [1, 2, 3, 4, 5]

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se Serbia mbetet burim kërcënimi për Kosovën dhe stabilitetin në rajon, ndërsa akuzoi Bashkimin Evropian se me qëndrimet tolerante ndaj Beogradit e ka inkurajuar të mos heqë dorë nga ambiciet e tij hegjemoniste.
“Të pasurit në kufi të një fqinji, siç është Serbia, që vazhdon të ketë raporte të ngushta me Rusinë, paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për krejt Ballkanin. Serbia vazhdon të mos e mbështesë asnjë sanksion kundër Federatës Ruse dhe, të njëjtën kohë, ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vende si Kina. Ky orientim i Serbisë është më shumë se një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare. Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. Deklarata e ministres serbe se, po të ishte në vend të Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën, sërish është një deklaratë që duhet të merret seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë. Qëndrimet tolerante të BE-së ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar Serbinë të mos heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste”, tha ai











Komente
Komento