Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se Serbia mbetet burim kërcënimi për Kosovën dhe stabilitetin në rajon, ndërsa akuzoi Bashkimin Evropian se me qëndrimet tolerante ndaj Beogradit e ka inkurajuar të mos heqë dorë nga ambiciet e tij hegjemoniste.
“Të pasurit në kufi të një fqinji, siç është Serbia, që vazhdon të ketë raporte të ngushta me Rusinë, paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për krejt Ballkanin. Serbia vazhdon të mos e mbështesë asnjë sanksion kundër Federatës Ruse dhe, të njëjtën kohë, ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vende si Kina. Ky orientim i Serbisë është më shumë se një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare. Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. Deklarata e ministres serbe se, po të ishte në vend të Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën, sërish është një deklaratë që duhet të merret seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë. Qëndrimet tolerante të BE-së ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar Serbinë të mos heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste”, tha ai
Lajmi kryesor:
Pas deklaratave të Vuçiçit, Kurti ngre alarmin për forcimin e ushtrisë serbe: Synimet hegjemoniste të Beogradit ndaj Kosovës nuk kanë ndryshuar










