“Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”. Ky është mesazhi i publikuar sot në faqen zyrtare të Hashim Thaçit në Facebook, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, që e dënoi ish-presidentin e Kosovës me një vit e pesë muaj burgim në çështjen për tentim-pengimin e drejtësisë.

Të njëjtën deklaratë e ka shpërndarë në Instagram edhe djali i tij, Endrit Thaçi.

Fjalët e publikuara sot janë pjesë e një deklarate që Thaçi mbajti më 4 prill 2023, para trupit gjykues në Hagë, kur u deklarua i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

“Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm, për të gjitha këto akuza”, tha atëherë ish-presidenti i Kosovës. 


Lajmi kryesor:

Tjetër dënim rëndon mbi Hashim Thaçin, Gjykata Speciale i jep 17 muaj burg për tentativë pengimi të drejtësisë! Ish-presidenti i Kosovës në gjyq: Kjo është politikë, jo drejtësi (VIDEO)