TIRANE- Dy gra kanë denoncuar në emisionin Pa Gjurmë se e kanë kaluar jetën si në burg të imponuar nga ish-bashkëshortët. Ata vendosën që pas më shumë se 10 vitesh bëjnë publike historitë e tyre në emisionin ''Pa gjurmë''. Të përlotura ato rrëfejnë minutat e tmerrit dhe dhunën e ushtruar sistematikisht mbi to deri në kërcënimet me jetë. Përmes ndërhyrjes së emisionit "Pa Gjurmë", të dyja rastet merren nën kujdesin e veçantë të Shërbimit social Shtetëror.
Bora, nëna e katër fëmijëve u martua që në moshën 13-vjeçare, pa dëshirën e saj. Ajo tregon se u largua nga shtëpia për shkak të dhunës por u ndesh sërish me dhunë.
“Goca madhe është 8 vjeçe...u martova 13 vjeçe, vetëm prej dhunës ika sepse nuk munda me....ika nga dhuna dhe rashë prap në dhunë. Në Greqi kam qëndruar 6 muaj me të...kam ikur 13 vjeçe nga mali në mënyrë ilegale, ngaqë u bëmë familje e madhe u shtuan torturat.-rrëfeu nëna
E dhunuar, pa mbështetje e vetme në mes katër rrugëve, nuk i hiqet nga mendja momenti kur tentuan t'i rrëmbenin njërin prej fëmijëve.
“Në 2011 erdhi në jetë goca...në spital nuk me priste askush...fal vajzës unë sot jam gjallë sepse kur isha 6 muaj me djalin i ka dalë bashkëshortit përpara dhe i ka marë thikën nga dora, duke iu lutur...sepse ai pinte shumë alkool...kam bërë denoncim kur linda femijën e katërt, aty telefonova babain as ai s’ma dha mbështetje... E kam marrë burrin vetëm sepse isha e mërzitur...nuk e di a e kam dashur-vijon rrëfimin e saj 26-vjeçarja
Ndërsa Linditën, edhe atë e martuan në moshën 14-vjeçare pa dëshirën e saj, por vetëm me aprovimin e prindërve. Guxoi të denoncojë terrorin e përjetuar ndër vite nga bashkëshorti i alkoolizuar. Dhunë nga më ç'njerëzoret, që zor se mund të imagjinohet.
"Më kanë fejuar me mblesëri. Babai më ka vdekur, vendoste xhaxhai për fatin tim. U ankova tek nëna për martesën sepse xhaxhai nuk jetonte me ne. Në korrik të vitit 1998 u martova dhe e lashë shkollën. Për dy vite ai më mbante të kyçur. Kisha 14 vite diferencë me të. Gëzimi im i vetëm ka qenë kur kanë ardhur në jetë fëmijët e mi. Ka pasur probleme, por nuk e pranonte dhe as nuk e pranon, për këtë arsye nuk mjekohej. Më 20 qershor 2016 jam larguar për herë të parë nga ai. Ka abuzuar seksualisht. Më jepte medikamente të ndryshme, për të më mbytur, më kërcënonte që unë të bëja çfarë të më thoshtte ai", thotë Lindita
I dha gjak nga trupi për t'i shpëtuar jetën, por ish-bashkëshorti del nga spitali dhe kërkon t'i marrë jetën sërish.
“Në 2016 e kam denoncuar, e kam bërë shumë vonë por nuk kam gjetur mbështetje, mora urdhër mbrojtje, por ai erdhi një natë tek banesa ku rrija. Kur shkuam me fjet, djali i vogël më tha mos i fik diritat. Kur shkuam në gjumë, kishte qëndruar poshtë krevatit dhe ka shkuar të marrë thikën kur pa që kishim fjetur të gjithë, tentoi të më vrasë. Kjo gjë më la me pasoja edhe jam kuruar për këtë. Me kërcënonte . Më vendos thikën në fyt dhe më tha nëse lëviz do të vras ty dhe fëmijët. Nuk e di se sa kam qëndrua,r por më ra të fikët. Kur u zgjova ai ishte po aty. Me ka cu tek dhoma, me ka ul në divan me tha kam ardhur të bashkohem me ty. Por i thashë me këtë mënyrë? Fillova të justifikoja veten që ai të qetësohej. Arrita t’ja marr thikën Ngrihem t’i marr diçka për të pirë dhe ia dhashë, doja të zgjoja fëmijët duke bërë zhurm, por fëmijët nuk e kan ndjerë. Ai tha unë do të vras ose unë i gjallë nuk dal nga këtu. Fëmijët e kanë frikë. Jam larguar nga ai bashkë me fëmijët”.
Në kaq vitesh dhunë fizike dhe psikologjike dhe që sot që fëmijët po rriten, ajo që kërkojnë është qetësia e munguar, të cilën do ja falte ndarja përfundimisht nga dhunuesit dhe kërcënimet e vazhdueshme të tyre.